Ndërlidhjet

NË PROCESIN KUNDËR MILLOSHEVIÇIT SOT DËSHMOI WESLEY CLARK


Augustin Palokaj, Hagë

Sot në Gjykatën e Hagës përfundoi dita e parë e dëshmisë së ish-komandantit suprem të NATO-s Wesley Clark, në gjykimin e Sllobodan Millosheviçit, i akuzuar për krime lufte.
Zoti Clark, aktualisht kandidat për nominim demokrat në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, ka dëshmuar në seancën e mbyllur për opinion, që ishte kërkesë e administratës amerikane.
Në një konferencë për gazetarë, Wesley Clark tha se sipas rregullores së Gjykatës, nuk mund të flasë për dëshminë e tij të sotme kundër Millosheviçit dhe me këtë rast foli për arrestimin e Sadam Huseinit.
"Jam i kënaqur për këtë lajm, uroj gjeneralin Sançez dhe të gjithë që kanë marrë pjesë në arrestimin e diktatorit Husein," ka thënë Clark, megjithatë ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë edhe një rrugë të gjatë për të kaluar në Irak, pasi ende nuk janë gjetur armët për zhdukje në masë. SHBA-të nuk e kanë plotësisht mbështetjen ndërkombëtare, ndërsa nuk është mposhtur as Al-Kaida, tha gjenerali Clark.
I pyetur se ku mund të gjykohet Sadam Huseini, Clark tha se Shtetet e Bashkuara për këtë duhet të konsultohen me bashkësinë ndërkombëtare e sidomos me popullin e Irakut, por tha se nuk duhen përjashtuar as vende siç është Haga.
Duke folur për dëshminë e sotme të tij kundër Millosheviçit, Clark duke insistuar se nuk guxon të japë kurrfarë detajesh, tha vetëm se me kënaqësi ka pranuar të dëshmojë, dhe se dëshmia e tij është me rëndësi për viktimat në rajonin e Ballkanit, për qindra mijëra të vrarë dhe 2 milion të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Clark premtoi se nesër do të flasë para gazetarëve më hollësisht për dëshminë e tij, dhe si ndihet ai në këtë gjykim të Millosheviçit ku është ftuar të përballet me të pas katër viteve.
Më parë Clark, kur arriti në Amsterdam, para se të fillonte dëshminë e tij, deklaroi:
" Kam kaluar më shumë se 100 orë në periudhën gati 4 vjeçare me Millosheviçin, në disa raste si drejtor për planin strategjik në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane, pastaj në ekip me ambasadorin Hollbrooke, që solli deri tek marrëveshja e Dajtonit, e më vonë si komandant i forcave të NATO-s për Evropën duke u marrë me Millosheviçin, e në fund në luftën kundër Jugosllavisë, për shkak të pastrimit etnik në Kosovë, ka thënë Clark mbrëmë në aeroportin e Amsterdamit. Shumicën e bisedimeve me të akuzuarin Millosheviç, Clark e ka përshkruar edhe në librin e tij " Të bësh luftë moderne". Po ashtu disa pjesë të bisedave të Clarkut me Millosheviçin, tashmë në këtë gjykim ka dëshmuar edhe ish-kolegu i gjeneralit Clark, gjenerali gjerman Klaus Nauman, i cili ka qenë me Clarkun në ato bisedime në cilësinë e shefit të Komitetit Ushtarak të NATO-s.
Sipas marrëveshjes së administratës amerikane dhe të Tribunalit të Hagës, dëshmia e gjeneralit Clark së pari do të jetë e mbyllur për opinion e pastaj pasi të kontrollohet transkripti nga qeveria amerikane, kjo dëshmi do të transmetohet në publik, sipas të gjitha gjasave duke filluar nga e premtja më 19 dhjetor.

XS
SM
MD
LG