Ndërlidhjet

UNMIK-U THOTË SE GJATË 2 JAVËVE TË ARDHSHME DO TË TRANSFEROHEN PËRGJEGJËSITË JO TË REZERVUARA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës, vazhdon të jetë e pakënaqur me procesin e bartjes dhe ushtrimit të kompetencave, të cilat thekson se i takojnë në bazë të Kornizës Kushtetuese, kurse në anën tjetër në administratën
ndërkombëtare thonë se të gjitha përgjegjësitë jo të rezervuara, do të barten te qeveria vendore deri në fund të këtij viti.
Një zëdhënëse e UNMIK-ut, Izabella Karloviç, thotë se kanë mbetur edhe dy javë që përgjegjësitë jo të rezervuar të barten tek vendorët:
“Ne po i transferojmë këto kompetenca në mënyrë konstante dhe besojmë ta kompletojmë këtë proces deri në fund të vitit”, thotë Karloviç, duke e mohuar mundësinë që paraprakisht shefi i UNMIK-ut ta bëjë
këtë transferë përmes ndonjë vendimi.
Në anën tjetër Rexhep Hoti, këshilltar i kryeministrit dhe shef i zyrës koordinuese ndërmjet UNMIK-ut dhe qeverisë, mendon se deri më tani kryesisht ka pasur premtime gojore për bartjen e përgjegjësive, dhe se sipas tij, deri më tash pak është bërë në këtë drejtim:
“Mirëpo duhet theksuar se edhe kompetencat, të cilat janë të transferuara tash e sa kohë në kuadër të institucioneve të përkohshme dhe sidomos në qeveri, shumë prej tyre në të vërtetë vazhdojnë të ushtrohen nga përfaqësuesit e UNMIK-ut, nëpër shtyllat përkatëse
të kësaj administrate”, thotë Hoti.
Ndërkohë, bartja e kompetencave, vlerësohet të jetë e ndërlidhur dhe me implementimin e standardeve. Sipas UNMIK-ut, grupet implementuese do të formohen së shpejti dhe se ato do të punojnë në implementimin e
standardeve, pavarësisht mungesës së përgjegjësive për vendorët në fusha të caktuara.
“Grupet punuese, të cilat do të formohen për implementimin e standardeve do të konsistojnë në prezantimin e dy pushteteve, UNMIK-ut dhe institucioneve të përkohshme të Kosovës, prandaj këto
çështje do të adresohen nga të dyja palët”, thekson zëdhënësja Karloviç. Ajo e përjashton mundësinë që në kuadër të këtij procesi të barten dhe përgjegjësitë e rezervuara, pasi sipas saj, për çështjet si
siguria, drejtësia, politika e jashtme dhe minoritetet, mund të vendosë vetëm Këshilli i Sigurimit dhe jo shefi i UNMIK-ut.
Ndërsa Rexhep Hoti, thotë se qeveria vendore, megjithatë pret që të bëhet dhe transferi i kompetencave në kuadër të kapitullit tetë, ku bëjnë pjesë kompetencat e rezervuara.
“Bartja e kompetencave të rezervuara është me rëndësi për të krijuar struktura të qëndrueshme, ose establishmentin e Kosovës, e cila do të jetë në gjendje që t’i realizojë standardet e dokumentit tashmë të
miratuar”, theksoi Hoti.
Sidoqoftë, shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara, u ka premtuar vendorëve se në kuadër të përgjegjësive të rezervuara nga fillimi i vitit tjetër mund të pritet vetëm hapja e dy zyrave, asaj për bashkëpunim me jashtë dhe energjetikë, ndërsa për ngritjen e
ministrive, siç mëton qeveria vendore, sipas UNMIK-ut,mund të vendosë vetëm Këshilli i Sigurimit.

XS
SM
MD
LG