Ndërlidhjet

N. KELMENDI: VENDIMI I HOLKERIT-AMNISTIM I DISKRIMINIMIT QË FUNKSIONONTE NË KOSOVË


Nekibe Kelmendi, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin për shfuqizimin e të gjitha ligjeve serbe të aplikueshme në Kosovë. Nga ana tjeter, këtë vendim e ka shpallur si të pavlefshëm shefi i administratës ndërkombëtare, Harri Holkeri. Sa do të ndikojë një ndeshje e tillë e vendimeve mbi ligjet serbe në proceset aktuale në Kosovë?

NEKIBE KELMENDI
Unë kujtoj së pari, se Kuvendi i Kosovës ka marrë një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm politik, sepse më në fund, është dashur që të shfuqizohen të gjitha ato ligje që kanë qenë të nxjerra nga Kuvendi i Serbisë, e të cilat janë zbatuar në Kosovë. Kjo për faktin se, që nga ardhja e UNMIK-ut në Kosovë, ato ligje kanë qenë të shpallura si të pavlefshme me rregulloren e UNMIK-ut 1999/29, jo të gjitha ligjet, por shumica prej tyre. Konsideroj se me zhvlerësimin e këtij vendimi të Kuvendit të Kosovës nga ana e Përfaqësuesit Special, në fakt është bërë një, ashtu ta quaj, amnestim i diskriminimit apo rehabilitim i një sistemi diskriminues, i cili funksiononte në Kosovë dhe bënte diskriminim institucional ndaj popullatës shqiptare të Kosovës. Si mund të merret me mend që në Kosovë, për shembull, akoma të jetë në fuqi ligji për fondin për zhvillimin e Serbisë, ligji për mjetet në pronësi të Serbisë, ligji për përdorimin e gjuhës zyrtare në Kosovë, si dhe ligji për transformimin e pronës, të cilat si shumë ligje të tjera, kanë patur karakter diskriminues, por edhe kanë qenë të nxjerra mbi një bazë nulë. Kjo bazë, kur them nulë, ka qenë vendim i Kuvendit të Kosovës mbi miratimin e amendamenteve në Kushtetutën e Serbisë, i 22 mars-it 1989, sepse këtë akt, në të vërtetë e ka shpallur nulë edhe vetë Gjykata e atëhershme Kushtetuese e Kosovës. Prandaj, unë kujtoj se Përfaqësuesi Special, përkatësisht zyra e tij ligjore, i ka sygjeruar gabimisht që të shfuqizohen këto ligje, sepse këto ligje edhe ashtu nuk mund të jenë ligje të zbatueshme në Kosovë. Nga ana tjetër, gjithsesi këto ligje nëse ne do t’i zbatojmë edhe më tutje, por mua më mban shpresa se faktikisht këtë do ta vërejë edhe Përfaqësuesi Special dhe nuk do të lejojë që ato të zbatohen, do të ngadalësojnë proceset e zhvillimeve të mëtejshme demokratike në Kosovë, por edhe të ndërtimit të institucioneve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Fundi i këtij viti është përmendur si periudhë për bartjen e përgjegjësive nga UNMIK-u tek autoritetet vendore, ndonëse këto të fundit janë ankuar se në këtë drejtim është punuar shumë pak, për të mos thënë fare. Si i shihni ju këto zhvillime?

NEKIBE KELMENDI
Unë kujtoj se këto zhvillime kanë qenë zhvillime, të cilat me të vërtetë e kanë ngadalësuar procesin e avancimit dhe të prosperimit të Kosovës dhe të ndërtimit të institucioneve të Kosovës, sidomos të bartjes të përgjegjësive nga ndërkombëtarët në vendorët. 4 vjet e gjysëm pas përfundimit të luftës, të vendnumërojmë sa i përket marrjes së përgjegjësive, vërtetë është periudhë shumë e gjatë. Po ta krahasojmë qeverisjen apo administrimin e Irakut nga ana e amerikanëve, atje shihet një përparim jashtëzakonisht i madh dhe për një periudhë 6 apo 8 mujore, përgjegjësitë pothuajse kanë kaluar tek vendorët. Kurse, këtu krahasuar me atje, ne kemi ngelur praktikisht jo për 4 vite, por do të thoja për 10 vite dhe unë kujtoj se këto zhvillime duhet të përshpejtohen, e kam fjalën për procesin e bartjes së përgjegjësive tek institucionet vendore, në mënyrë që edhe të dëshmojmë se jemi të zotët që të qeverisim vetë Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, sipas jush, a ka rrezik që për shkak të të zvarritjes eventuale të bartjes së përgjegjësive të ngadalësohet edhe procesi i përmbushjes së standardeve të përcaktuara për definimin e statusit politik të Kosovës?

NEKIBE KELMENDI
Gjithsesi dinamika e bartjes së këtyre përgjegjësive ka ndikim edhe në përmbushjen e standardeve dhe ne do të jemi dëshmitarë dhe do të shohim se si do të sillet UNMIK-u ndaj bartjes së përgjegjësive dhe tempos apo dinamikës së bartjes së përgjegjësive. Nëse këto përgjegjësi do të barten me një ngadalësi si ka ndodhur deri më tani, atëherë ne e shohim këtë si mosgatishmëri të UNMIK-ut që në Kosovë të ndërtohen standardet, të cilat i janë vënë si kusht Kosovës para se të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar. Nëse UNMIK-u do të shkojë me bartjen e këtyre përgjegjësive me një shpejtsi më të madhe dhe natyrisht, nëse ne tregojmë gatishmëri që këto standarde t’i përmbushim në mënyrën siç i kemi pranuar si qytetarë të Kosovës, atëherë kjo periudhë do të shkurtohet dhe standardet, nuk mund të them se do të realizohen 100 %, por pjesa më e madhe e tyre do të realizohet, e ajo pjesa më e madhe, besoj se do të mjaftojë për bashkësinë ndërkombëtare që t’i qaset zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

Intervistoi: Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG