Ndërlidhjet

ÇEKU DHE KAMERFOFF: TMK BALLAFAQOHET ME MUNGESË FINANCIMI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Trupat Mbrojtëse të Kosovës po ballafaqohen me mungesën e fondeve dhe të donacioneve, kanë pohuar sot komandati i KFOR-it gjenerali Holgger Kamerhoff dhe ai i TMK-së Agim Çeku. Këto komente ata i kanë bërë pas takimit të rregullt të Grupit të Lartë punues për TMK-në, ku u tha se është diskutuar në lidhje me standardin numër tetë ku bëhet fjalë për profesionalizimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, i cili parashihet të përmbushet gjatë vitit vijues. Gjenerali Kamerhoff, tha se në kuadër të planit për operacionalizimin e standardeve ku bën pjesë dhe TMK-ja, ka disa projekte të cilat duhet të realizohen, mirëpo ne jemi të vetëdijshëm, tha ai, se për jetësimin e tyre nevojiten dhe paratë, të cilat TMK-së po i mungojnë:
“Jemi pajtuar se është nevojë urgjente gjetja e fondeve për zhvillimin e aktiviteteve dhe trajnimeve për TMK-në”, tha gjenerali Kamerhoff. Ai tha po ashtu, se dështimi i konferencës së donatorëve për TMK-në, e paraparë të mbahej dje, ishte zhgënjyese, pasi donatorët nuk ishin paraqitur në këtë konferencë. Nëse do të jetë TMK në gjendje që t’i përmbushë standardet e parapara me dokumentin e miratuar, kjo mbetet të shihet tha komandanti i KFOR-it, duke pohuar se TMK duhet shndërruar në një organizatë civile për raste emergjente.
Ndërkohë, gjenerali Agim Çeku, përveç se u shpreh i brengosur për mungesën e donacioneve për TMK-në, tha se këto trupa, megjithatë do të jenë në gjendje që t’i përmbushin standardet e parapara.
“Tema kryesore ishte standardi numër tetë për TMK-në, mënyra se si ne do ta përmbushim këtë standard. U diskutua dhe plani konkret të cilin e ka hartuar UNMIK-u në bashkëpunim me TMK-në, me KFOR-in, me IOM-in, dhe ne jemi optimistë se do ta përmbushim këtë standard, por nevojitet mbështetje, nevojiten pajisje”, tha gjenerali Çeku, sipas të cilit, kërkesë kryesore e takimit ishte se TMK duhet të ngrejë nivelin e profesionalizimit kurse në këtë drejtim, sipas tij është e nevojshme dhe mbështetja financiare. Përndryshe, në takimin e sotëm të Grupit të Lartë Punues për TMK-në, ku përveç kreut të këtyre trupave, dhe të KFOR-it, bëjnë pjesë dhe shefi i UNMIK-ut si dhe përfaqësuesit e zyrave të Kuintit në Prishtinë, nuk është përmendur suspendimi i 12 pjesëtarëve të TMK-së, që para disa kohësh çoi në rritjen e tensioneve mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve.



XS
SM
MD
LG