Ndërlidhjet

VMRO-DPMNE BLLOKON PUNËN E PARLAMENTIT


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

Pas më shumë se 70 orë debat në folëtoren e parlamentit republikan, ende nuk ka epilog konkret rreth nxjerrjes së ligjit për themelimin e Universitetit të tretë shtetëror në Tetovë. Sipas nënkryetares së Bashkimit Demokratik për Integrim, Teuta Arifi, opozita maqedonase keqpërdor parlamentin, duke kërkuar shteg që shqiptarëve të Maqedonisë t'u pamundësohet shkollimi në gjuhën shqipe.
"Kjo mbledhje faktikisht maratonike, është shumë e qartë që përfundimisht, jo vetëm që i lodh deputetët por di të krijojë dhe nervozizëm. Gjashtë ditë me radhë, dy herë nga 24 orë, opozita maqedonase në mënyrë nënçmuese, fyese e trajton Universitetin e Tetovës, studentët e Universitetit të Tetovës, të gjithë ata që punojnë në universitet, popullin shqiptar, dëshmon për fat të keq që opozita maqedonase ka për qëllim të obstruojë çështjen e asaj që për ne është një e arritur e madhe, që është legalizimi i Universitetit të Tetovës", tha zonja Arifi.
Nga ana tjetër nënkryetarja e VMRO-DPMNE-së Ganka Samuillova, ka thënë se deputetët e partisë së saj, nuk do të heqin dorë që të debatojnë edhe më tej në folëtoren e parlamentit, siç janë shprehur që para opinionit të paraqesin argumentet e tyre, se pse nuk duhet të institucionalizohet universiteti i Tetovës.
"Ne edhe më tej do të vazhdojmë të diskutojmë duke paraqitur faktet se pse nuk duhet të miratohet ligji që mundëson institucionalizimin e Universitetit të Reçicë të vogël," thotë nënkryetarja e VMRO-DPMNE-së Ganka Samuillova, pasi sipas saj kjo është forma e vetme demokratike dhe legjitime që të pengohet nxjerrja e ligjit në fjalë. Ndërkohë nënkryetarja e Bashkimit Demokratik për Integrim Teuta Arifi thekson se debati disaditësh në parlament për miratimin e ligjit që do të mundësojë legalizimin e Universitetit të Tetovës, tashmë është duke krijuar nervozizëm tek opinioni dhe nuk është fare në interes të krijimit të një shoqërie demokratike.
" Ne kemi tentuar në mënyrë maksimale që gjithmonë të mbahemi në diskutime të përmbajtura, 6 ditë me radhë, prej të cilave tre ditë me radhë ne vetëm kemi heshtur dhe nuk kemi replikuar, vetëm e vetëm që të mos e krijojmë atë. Në fakt tregon që opozita maqedonase këtu dëshiron të krijojë incidente për arsye se vetëm me incidente e shikojnë mundësinë e tyre për t'u rikthyer dhe për të qenë aktual në situata kur për shembull VMRO-DPMNE ka rejting vetëm 9 %", thotë zonja Arifi.
Edhe koordinatori i Lidhjes SocialDemokrate të Maqedonisë ka theksuar se është jokorrekte forma që është duke aplikuar partia parlamentare në opozitë VMRO-DPMNE, siç do shprehet ai, me fjalime maratonike të bllokohet puna e parlamentit.
"Disa orë me radhë deputetët e VMRO-DPMNE-së ripërsëritin fjalimet dhe ajo që është më e keqja, një fjalim rilexohet disa herë nga ana e tre ose katër deputetëve të kësaj partie, gjë që devalvon në fund të fundit dhe vetë punën e deputetit", thotë Jani Makaduli, nga Lidhja SocialDemokrate e Maqedonisë.



XS
SM
MD
LG