Ndërlidhjet

SERBËT ENDE REFUZOJNË PRANIMIN E POLITIKËS "STANDARDET PËR KOSOVËN"


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesit politik të pakicës serbe në Kosovë, thonë se nuk do të marrin pjesë në grupet punuese për plotësimin e planit, “Standardet për Kosovën”. Një qëndrim të tillë, ata e mbështesin në arsyetimin se pala serbe nuk është pyetur rreth hartimit të draftit përfundimtar. Shefi i grupit parlamentar të koalicionit “Kthimi”, Dragisha Kërstoviç, thotë se përmbushja e standardeve nuk mund t’i kalojë kufijtë e përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe për këtë arsye ai thotë se koalicioni “Kthimi”, i ka shkruar dhe zotit Kofi Anan:
“Do të jetë shumë keq nëse përmes përmbushjes së tyre të kalohen kufijtë e Rezolutës 1244, sepse kjo do të ishte shumë e rrezikshme”, tha Kërstoviç, duke shtuar se vërejtjet e njëjta koalicioni “Kthimi” ua ka parashtruar dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe sipas tij, ka qenë për t'u habitur se si bashkësia ndërkombëtare, në fund nuk i ka përfillur këto vërejtje.
Po ashtu edhe ministri serb në qeverinë e Kosovës Goran Bogdanoviç, pohon se pakica serbe nuk do të marrë pjesë, as në grupet punuese për plotësimin e standardeve që priten të formohen gjatë janarit:
“Ne nuk do të marrim pjesë në grupet punuese dhe duam që standardet që ne i kemi parashtruar përfaqësuesit special të merren parasysh”, tha Bogdanoviç.
Në anën tjetër, një zëdhënëse e administratës ndërkombëtare, Methchild Haneke, thotë se UNMIK-u do të iniciojë bisedime me përfaqësuesit e pakicës serbe për t’ua shpjeguar atyre rëndësinë e plotësimit të këtyre standardeve. Mirëpo, thotë ajo, UNMIK-u është i vetëdijshëm se qëndrimi i serbëve varet dhe nga Beogradi dhe rezultati i zgjedhjeve të lira që priten atje:
“Ne e kuptojmë se në Serbi është një gjendje e posaçme para zgjedhjeve të ardhshme atje, prandaj ne do ta mbajmë derën hapur për pakicën serbe që të kyçen në këtë proces, thotë zëdhënësja Heneke.
Ndërkohë, Oliver Ivanoviç, deputet në Parlamentin e Kosovës, duke e arsyetuar pozicionin e koalicionit “Kthimi” pse nuk i ka përkrahur këto standarde, thotë se serbët kanë qenë më tepër një objekt, që vetëm është informuar kohë pas kohe rreth planit, por se nuk ka qenë subjekt hartues i planit të “Standardeve për Kosovën”.
Përndryshe, plani i standardeve për Kosovën, tashmë ka marrë përkrahjen vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, si dhe mbështetjen e Këshillit të Sigurimit dhe Grupit të Kontaktit, kështu që përfaqësuesit e UNMIK-ut, besojnë se në fund edhe serbët do të pranojnë të kyçen në implementimin e këtij plani, i paraparë të plotësohet deri në mesin e vitit 2005, kur mendohet të fillojë faza tjetër e përcaktimit të statusit të Kosovës.





XS
SM
MD
LG