Ndërlidhjet

OFERTA E BEOGRADIT PËR PAQERUAJTËS SERBË NË AFGANISTAN NXIT KUNDËRTHËNIE


New York Times

Një konvoj ushtarësh me maska në fytyrë dhe të armatosur rëndë, në përbërje të formacioneve paramilitare të xhandarmërisë serbe, patrullojnë rregullisht nëpër fshatrat shqiptare në Luginën e Preshevës, në kërkim të, siç thonë ata, terroristëve shqiptarë. Më 1999, formacionet e këtilla janë bombarduar nga aeroplanët e NATO-s gjatë fushatës ajrore në Kosovë, ndërkaq sot zyrtarët amerikanë këto forca speciale i shohin si aleate potenciale. Qeveria e Serbisë dhe e Malit të Zi kanë ofruar një kontigjent prej 700 forcash që të punojnë bashkarisht me trupat e NATO-s në Afganistan, ofertë kjo rreth së cilës përgjigja varet nga rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi më 28 dhjetor.
Serbia, e cila dikur ishte e izoluar dhe e varfëruar për shkak të një dhjetëvjetëshi luftërash, dëshiron t’i bashkohet NATO-s, Shtetet e Bashkuara ndërkaq dëshirojnë që të vendosin demokracinë, por kjo detyrë do të mbetet e vështirë për t’u realizuar për shkak të frymës nacionaliste në Serbi.
Gazeta citon aktivisten e të drejtave të njeriut Natasha Kandiç të ketë thënë se forcat serbe të sigurimit, të cilat fajësohen për vrasjen e mijëra civilëve gjatë konfliktit në Kosovë, nuk duhet të marrin pjesë në asnjë mision përderisa nuk zbatohen reformat e domosdoshme brenda tyre dhe përderisa nuk gjykohen komandantët e lartë të akuzuar për krime lufte. Zëvendës ministri i brendshëm serb dhe shefi i sigurisë publike, Sreten Lukiç, është i akuzuar nga Tribunali i Hagës për rolin e tij si komandant i forcave të sigurimit gjatë luftës në Kosovë. New York Times rikujton se kryeministri aktual Zoran Zhivkoviç ka refuzuar që të bashkëpunojë me Tribunalin në dorëzimin e zotit Lukiç.
Por, pavarësisht nga vendimi i politikanëve, komandanti i xhandarmërisë serbe, gjenerali Goran Radosavleviç, i cili në Kosovë ka ushtruar funksionin e zëvendësit të komandantit të policisë, është duke e përgatitur kontigjentin për Afganistan.
Brigada e tij prej 2800 anëtarësh është formuar në shtator të vitit 2001 dhe është rekrutuar nga njësitet që janë akuzuar për përfshirje të drejtëpërdrejtë në krime lufte. Në mesin e kësaj brigade gjenden edhe 80 ish anëtarë të Beretave të Kuqe, formacion ky, i cili në fillim të këtij viti është shpërbërë për shkak të përfshirjes së disa anëtarëve të tij në vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Gjinxhiç.
Zonja Kandiç thotë se gjenerali Radosavljeviç është një nga fajtorët kryesorë për gjenocidin në Kosovë. Ajo thotë se operacionet e policisë serbe për të zhvendosur kufomat e shqiptarëve të vrarë nga varrezat masive në Kosovë në varreza masive në Serbi, nuk kanë mundur të realizohen pa ndihmën e tij.
Vetë gjenerali ndërkaq kundërshton bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës dhe është pjesëmarrës në protestat e organizuara në muajin tetor, në mbështetje për të akuzuarin e këtij Tribunali, Sreten Lukiç.
Gazeta në fund citon gjeneralin të ketë thënë se formacioni i tij është shumëkombësh, por New York Times rikujton se me rastin e rekrutimit të anëtarëve të kësaj brigade, ata kanë marshuar nën tingujt e këngëve nacionaliste serbe, përgjatë pejsazheve që portretizojnë skena lufte nga historia e Serbisë.



XS
SM
MD
LG