Ndërlidhjet

PËRFAQËSUESIT E SERBËVE KËRKOJNË FORMIMIN E DY ENTITETEVE NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kuvendi i Bashkësisë së Komunave serbe të Kosovës, një institucion ky i formuar vitin e kaluar dhe që nuk njihet nga UNMIK-u, ka kërkuar sot përmes një deklarate formimin e dy entiteteve në Kosovë. Deklarata e shpallur so, që është quajtur deklarata e Ditës së Shën Nikollës, sipas pjesëmarrësve ka ardhur si përgjigje ndaj standardeve dhe situatës së përgjithshme në Kosovë. Me këtë rast njëzëshëm është votuar deklarata shtatëpikëshe, që thotë se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, përkatësisht e Serbisë dhe Malit të Zi, ndërsa struktura paralele në Kosovë konsiderohen ato që janë ndërtuar pas vitit 1999 dhe që nuk kanë lidhje institucionale me Serbinë. Këshilltarët kanë kërkuar gjithashtu eliminimin, e siç kanë thënë strukturave konfuze paraushtarake, që sipas tyre janë TMK-ja dhe pjesëtarët e Shërbimit të Doganave të Kosovës dhe kanë kërkuar nga Beogradi aksion energjik për rikthimin e të gjithë institucioneve arsimore, kulturore, fetare dhe ushtarake në Kosovë. Marko Jakshiç, kryetar i Kuvendit të kësaj bashkësie të komunave serbe, ka thënë se serbët nuk janë pakicë kombëtare, pasi në shtetin e vet janë komb:
"Ne si komb ne kemi të gjithë të drejtat, që nga ato arsimore, shëndetësore, gjyqësore dhe të sigurisë dhe kjo na jep të drejtë që të formojmë entitetin tonë dhe në vendin, hapësirat ku jetojmë, të jetojmë me dinjitet dhe normalisht, siç jetojnë njerëzit në gjithë botën, tha Jakshiç.
Ai ka thënë se kriteret për të formuar dy entitete duhe të jenë demokratike, kadastrale, ekonomike, kulturore dhe historike, ndërkohë që pasqyra aktuale etnike nuk mund të jetë masë, pasi ajo sipas tij favorizon dhe legjitimon eksodin dhe spastrimin etnik:
"Me entitetin do të rikthejmë edhe strukturat serbe që janë përzënë më 1999 dhe do të kthejmë edhe ato më kryesoret, ushtrinë dhe policinë serbe, që këtë drejtë e kanë edhe me rezolutën 1244," tha Jakshiç.
Zoti Jakshiç ka thënë se pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi do të vizitojnë të gjitha partitë politike dhe kandidatët e zgjedhur si dhe Beogradin zyrtar për t’i njoftuar për situatën në Kosovë dhe për t’ua prezantuar deklaratën e miratuar sot. Anëtarët të kësaj bashkësie që nuk njihet nga UNMIK-u janë edhe disa deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës, ndërkohë që Oliver Ivanoviç, anëtarë i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, formimin e kësaj bashkësie e pati quajtur një veprim joserioz.

XS
SM
MD
LG