Ndërlidhjet

PRESIDENTI KËRKOI ZGJIDHJEN E KRIZËS OSE ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME


Alma Çupi, Tiranë

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu në mesazhin që lexoi sot në Kuvend i kërkoi kryeministrit Fatos Nano, që të zgjidhë krizën në qeveri, ose të bëhen zgjedhje të parakohëshme. Presidenti Moisiu shprehu dëshirën se në emrat, që do të propozohen për rikompozimin e qeverisë nuk duhet të përfshihen figura të përfolura dhe të akuzuara nga vetë drejtuesit e lartë të ekzekutivit, pa dhënë më parë sqarime publike për ta.
"Nëse nuk ndodh kështu, pra kur institucionet e shtetit nuk funksionojnë dhe kur forcat politike në Kuvend nuk janë në gjendje të krijojnë zgjidhje kushtetuese për krizat në qeveri, atëherë çdo
alternativë ligjore është e hapur, përfshirë edhe ajo e matjes së përkrahjes që partitë kanë në elektorat."
Mosplotësimi i vendeve në qeveri si pasojë e rrëzimit tre herë të dekreteve në kuvend të emrave të propozuara nga kryministri, sipas presidentit Moisiu ka ndikuar në përkeqësimin e qeverisjes së vendit.
"Si president i republikës, mendoj se kjo situatë nuk ka qenë dhe nuk është normale. Ajo cënon kushtetutshmërinë. Mosplotësimi i vendeve në qeveri ka ndikuar në mirëqeverisjen në sektorët përkatës, në funksionimin e administratës dhe për pasojë edhe në ecurinë e
proçesit të integrimit të vendit."
Më tej presidenti Moisiu, iu drejtua kuvendit që të veprojë sipas kushtetutës dhe theksoi se deri më tani, as kuvendi dhe as qeveria, nuk kanë vepruar sipas kushtetutës:
"Qëllimi im ka qenë dhe mbetet i njëjtë: nxitja e zgjidhjes kushtetuese dhe sa më të shpejtë të krizës. Fatkeqësisht deri tani dy institucionet përgjegjëse kushtetuese, qeveria dhe kuvendi, ende nuk kanë ofruar një zgjidhje të tillë. Kjo situatë jonormale duhet të marrë fund sa më parë. Zgjatja e mëtejshme e krizës mund të ndikojë deri në stabilitetin aq të nevojshëm, si dhe kredibilitetin në raport me faktorët ndërkombëtarë dhe të sjellë pasoja të padëshirueshme."
Pika e dytë e fjalimit të presidentit ishin zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2003, që sipas tij edhe pse u cilësuan si më të mirat në krahasim me të kaluarën, duhet të nxirren mësimet e nevojshme nga problemet që dolën me listat.
Presidenti Moisiu kërkoi që të eleminohen problemet e listave, duke kërkuar që të bëhet informatizimi i menjëhershëm i Regjistrit të Gjendjes Civile. “Pushteti lokal dhe organet ndihmëse lipset
gjithashtu të zgjidhin problemin e emërtimit përfundimtar të rrugëve, të numërtimit të banesave si dhe të informatizimit real dhe të plotë të adresave,” tha presidenti Moisiu
Në përfundim, të fjalës së tij presidenti Moisiu ftoi edhe njëherë forcat politike të reflektojnë brenda kuadrit institucional, ftoi qeverinë të ringrejë urat e besimit me Kuvendin si dhe ftoi deputetët të përdorin autoritetin tuaj kushtetues për të ndihmuar në kapërcimin e krizës.

XS
SM
MD
LG