Ndërlidhjet

B.ZENELI: STANDARDET DO JENË PËR TË MIRËN E GJITHË KOSOVARËVE


Bernard Zeneli, shef i Departamentit të Shkencave Politike në UP

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zeneli, shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Harri Holkeri ka thënë se mesi i muajit janar të vitit të ardhshëm, do të shënojë fillimin e vlerësimeve konkrete të shkallës së përmbushjes së standardeve për Kosovën. Si e komentoni ju një deklaratë të tillë?

BERNARD ZENELI
Mua më duket si diçka pozitive, sepse, më në fund, po flitet për afate të vërteta për sa i takon çështjeve që kanë të bëjnë me zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Por, thënia ose dalja me një deklaratë se 15 janari ose mesi i janarit shënon fillimin e një diçkaje, nuk do të thotë se me gjithë mend do të ndodhë ashtu. Edhe më parë UNMIK-u ka dhënë afate, por asnjëherë deri më tani ato nuk është se e kanë parë dritën e vënies së tyre në zbatim. Por, megjithatë, theksoj edhe një herë faktin që, ndryshe nga afatet e tjera që janë vënë përpara nga organet e UNMIK-ut, ky afat ka të bëjë me përcaktimin më të qartë të standardeve dhe me vlerësimet rreth këtyre standardeve, që në një formë ose një tjetër, unë nuk e shoh vetëm si vlerësim të punës së institucioneve vendore për të përmbushur këto standarde, por në të njëjtën kohë e shikoj edhe si një vlerësim për vetë përzgjedhjen e standardeve, a ja vlen që të punohet për këto standarde apo jo dhe këtu mendoj që diçka po lëviz.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zeneli, përderisa plani “Standardet për Kosovën” ka marrë përkrahjen nga udhëheqësit politik shqiptar të Kosovës, ai nuk është pranuar nga përfaqësuesit e pakicës serbe. Sipas jush, mbajtja e një qëndrimi të tillë nga përfaqësuesit serb, a mund të krijojë vështirësi në realizimin e planit, por edhe në përmbushjen e standardeve?

BERNARD ZENELI
Në qoftë se kjo do të shikohej në aspektin ndërkombëtar dhe me një mendësi që është krijuar për sa i takon ngjarjeve në Kosovë, unë do të thoja se po, sepse, fatkeqësisht një pjesë e mirë e opinionit ndërkombëtar e konsideron Kosovën si një krahinë ose si një zonë, në të cilën 50 % e përbëjnë shqiptarët dhe 50 % e përbëjnë serbët. Ky është një vizion që ka arritur bota të krijojë në bazë të informacioneve që janë dhënë nga Kosova dhe nga vendet tjera rreth e qark. Por, ajo çka mua nuk më shqetëson nga ana tjetër është se, roli i serbëve, megjithëse një grup etnik shumë i rëndësishëm do të thoja, në Kosovë nuk përbën shumicë, nuk përbën rol dominues dhe nuk e shikoj aq problematike në aspektin real të punëve dhe në aspektin e implementimit të këtyre standardeve. Në qoftë se Kosova do t’i hyjë implementimit të këtyre standardeve, do të hyjë sepse në radhë të parë është mirë për Kosovën dhe për kosovarët dhe ma merr mendja që gjithë njerëzit duhet të bashkohen, e jo fakti se nuk po na bashkohen serbët ose diçka tjetër. Në qoftë se këto standarde do të vendosen dhe do të bëhen promovuese të zhvillimeve në Kosovë, në radhë radhë të parë ato do të jenë për të mirën e kosovarëve dhe jo për të thënë se për këto standarde ne plotësuam detyrën kundrejt këtij grupi etnik apo bëmë ç'kishim për të bërë për të arritur diçka tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zeneli, kohët e fundit autoritetet vendore kanë kritikuar UNMIK-un për vonesë të bartjes së përgjegjësive nga administrata ndërkombëtare tek institucionet vendore. Kritikat e tilla janë bërë duke pasur parasysh paralajmërimet se bartja e përgjegjësive do të bëhet deri në fund të këtij viti. Si i shikoni ju këto zhvillime?

BERNARD ZENELI
Këto kritika, që vijnë nga qeveria ose në përgjithësi nga vendorët, unë do t’i quaja thjesht, mënyrë për t’i hedhur fajin dikujt tjetër për paaftësinë që tregojnë në përmbushjen e standardeve dhe detyrave që kanë. Nuk ke pse të presësh që në shekullin 21 dikush të të thotë: Merre ti këtë detyrë. Në qoftë se ti e tregon me punën që bën se je në gjendje ta bësh atë detyrë, atëherë ti automatikisht e ke marrë atë detyrë dhe e ke treguar veten se di ta bësh atë detyrë. Në qoftë se do të fillosh që të ankohesh dhe të qahesh, siç qahet pala vendore për mungesën e kompetencave apo siç pala ndërkombëtare për faktin që vendorët nuk janë të aftë për të marrë këto kompetenca, sigurisht se në të dyja anët nuk do bëhet asnjë punë dhe do vazhdohet me këtë lojë, domethënë, të hedhjes së fajit sa nga njëra anë e fushës në tjetrën, thjeshtë, për t’i zgjatur jetën njëri tjetrit në këtë situatë të tranzicionit të përgjithshëm që po kalon Kosova.

Intervistoi: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG