Ndërlidhjet

PRETENDOJMË TË KONKUROJMË NË FAMILJEN E UNIVERSITETEVE EVROPIANE


Intervistë me Nexhbedin Beadinin, rektor i Universitetit të Tetovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Beadini, si e komentoni debatin që zhvillohet në Kuvendin e Maqedonisë për legalizimin e Universitetit të Tetovës?

N. BEADINI
Po normalisht punët e mëdha sikurse është Universiteti i Tetovës nuk kanë shkuar lehtë si i kemi menduar. Ky është një projekt shumë i madh që do të zyrtarizohet këto ditë dhe mendojmë që edhe parlamenti do të gjejë forca të përbashkëta që ta tejkalojë këtë situatë dhe më në fund të merret me Universitetin e Tetovës. Ju e dini që ne kemi kërkuar që ky Universitet të zyrtarizohet si universitetit i tretë shtetëror në Maqedoni, dhe për këtë u ndryshua ligji i vitit 2000 që është ligj diskriminues, dhe në këtë mënyrë ne na u hap kornizë ligjore që të fillojmë procedurën drejt zyrtarizimit të Universitetit të Tetovës. Pra u përgatit një projektligj i veçantë që u miratua nga qeveria e Maqedonisë dhe më tej pasoi procedura sipas normativit të arsimit të lartë dhe këto ditë ne presim që ky ligj të miratohet nga parlamenti i Maqedonisë dhe ne zyrtarisht të kemi universitetin e tretë shtetëror në Maqedoni që do të financohet nga buxheti i shtetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Opozita maqedonase ju ka akuzuar se në universitetin tuaj nuk zhvillohet mësim i nivelit të duhur akademik. Akuza të tilla bëri dhe presidenti Boris Trajkovski. Si e cilësoni kuadrin mësimdhënës në Universitetin e Tetovës krahasuar me universitete të tjera publike në Maqedoni?

N. BEADINI
Kjo nuk është aspak e vërtetë sepse po të shihet struktura kadrovike e Universitetit të Tetovës, ne kemi angazhuar në procesin mësimor mbi 500 profesorë, nga të cilët mbi 60 janë doktora të shkencavesh që kanë titullin akademik të profesorit ordinar, inordinar, docent, magjistër asistent etj. Po të shihet kjo strukturë e kuadrove, ne jemi në nivelin e duhur. Këtu vlen të theksohet ajo që ne kemi angazhuar edhe kuadro të tjera në mënyrë që të plotësojmë të gjitha kushtet që kërkon arsimi i lartë dhe pretendojmë që në të ardhmen, të konkurojmë në familjen e universiteteve evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i komentoni kërkesat e disa deputetëve shqiptarë të cilët kanë kërkuar që fillimisht disa degë të universitetit tuaj të shkrihen në Universitetin e Evropës Juglindore?

N. BEADINI
Ne nuk jemi kundër asnjë shtegu që do të hapet në të ardhmen. Një gjë është e vërtetë. Universiteti i Evropës Juglindore ka statusin e universitetit privat. Ne kemi kërkuar që gjithmonë, prej fillimit të universitetit, të jemi universitet shtetëror dhe nuk ka vend që të bëhet ndonjë shkrirje e tillë, sepse pikësynimi jonë ka qenë shumë i qartë që ky universitet në të ardhmen të ketë nën vete degë, programe studimore, institute e kështu me rradhë, sa kemi nevojë ne dhe sa do i kërkojë ekonomia e tregut. Ky pra do të jetë pikësynimi jonë i ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do ti komentonit protestat kundër legalizimit të Universitetit të Tetovës?

N. BEADINI
Kur studentët e njërës palë protestojnë kundër kolegëve të tyre studentë kjo i jep një pamje shumë të zbehtë vendit. Unë mendoj se me zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës do të relaksohet puna dhe vendi, parlamenti dhe qeveria do të gjejnë forca të përbashkëta që ta tejkalojnë këtë situatë, e më në fund ne të kemi universitetin e tretë shtetëror në Maqedoni.

Intervistoi Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG