Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: FRANCA KUNDËRSHTOI PËR SHKAQE EKONOMIKE, GJERMANIA PËR POLITIKË TË BRENDSHME


Intervistë me Patrick Moore, analist i Radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, besoj se pajtoheni që lufta në Irak ishte ngjarja kryesore e vitit. Por me këtë rast amerikanët dhe disa evropianë reaguan fare ndryshe, përse?

PATRICK MOORE
Së pari le të theksojmë këtë fjalë që ju përmendët: disa evropianë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Ramsfeld përmendi kohët e fundit që shumica e vendeve evropiane morën pjesë në misionin në Irak në një mënyrë apo në një tjetër. Ajo që kemi parë ka qenë opozita e Francës dhe Gjermanisë. Po pse kundërshtoi Franca?
Ky shtet ka patur investime komerciale mjaft të konsiderueshme me Sadam Huseinin, veçanërisht për naftën. Në Gjermani kancelari Shrëder i fitoi zgjedhjet në vitin 2002 vetëm sepse theksoi tematikën antiamerikane në lidhje me konfliktin e mundshëm në Irak. Pra ai ishte mjaft mirë i mbyllur në këtë çështje, i mbyllur në kundërshtimin e tij, dhe në esencë në fillim të vitit 2003 Franca dhe Gjermania dolën me idenë e përbashkët diplomatike në mënyrë që të pengonin Shtetet e Bashkuara. E gjithë kjo më është dukur sjellje e papeshuar mire e një të riu. Pra, siç e pamë, Franca ka patur arsye ekonomike, ndërsa qeveria gjermane kishte arsye të brendshme politike për një qëndrim të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Amerika sot gëzon pozicion të një dominimi global të pa precedent në historinë botërore. Ky realitet struktural ka siguruar një prestigj dhe respekt të jashtëzakonshëm, por njëkohësisht ka ngjallur edhe ndjenja anti amerikane. Cili është opinioni juaj në këtë aspekt?

PATRICK MOORE
Nuk do harroj kurrë diçka që një nga gazetat më në zë të Gjermanisë, "Frankfurter Allgemeine Zeitung", shkruajti para 10 vitesh, me ç'rast u vu në pah që nuk ka patur asnjëherë ndonjë superfuqi që të jetë dashur. Të gjitha vendet që kanë qenë Fuqi të Mëdha, kanë patur armiqë dhe kritikë praktikisht kudo. Nuk them se qeveria amerikane ka qenë e pafajshme në këtë çështje, sepse mendoj se ka patur disa raste që zyrtarët e lartë amerikanë mund të ishin treguar më të kujdesshëm në zgjedhjen e fjalëve dhe t'i kishin menduar disa veprime në një mënyrë tjetër. Por mendoj se, në fund të fundit, dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë atë që vendimmarrësit mendojnë se është kursi më i mirë dhe jo të shqetësohen në mënyrë të vazhdueshme se çfarë mendojnë të tjerët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, disa analistë thonë se këto ndryshime ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës nuk kanë filluar pas 11 shtatorit. Ato datojnë nga dhjetori i vitit 1989, kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë. A pajtoheni ju me këtë qëndrim?

PATRICK MOORE
Sigurisht që ka shumë për të thënë lidhur me këtë çështje edhe pse unë nuk jam plotësisht dakort. Në radhë të pare, kur ish Bashkimi Sovjetik u shpërbë në vitin 1991, kjo hoqi rrezikun e përbashkët, pra qoftë në 1989 kur perandoria e Evropës Lindore u shpërbë apo në 1991 kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik, rreziku i përbashkët u hoq. Por kush mund të luajë rolin e rrezikut të përbashkët aktualisht? Nuk ka asnjë për momentin. Kina ka potencial por është një fuqi rajonale dhe ka shumë probleme. Në disa aspekte ekonomia e saj po ecën përpara por nëse e shikoni më nga afër kanë shumë firma të drejtuara nga shteti që janë humbëse dhe shumë banka me miliarda dollarë kredish të pavaforshme që, në njëfarë mënyre, njëditë do t'u shkaktojnë probleme. Gjithashtu kinezët, me përjashtim të politikës së tyre në Tajvan, nuk përdorin si praktikë të njëjtën sjellje agresive që ka patur ish Bashkimi Sovjetik. Por çfarë ka lindur? Në vend të një fushe të gjerë bashkëpunimi mes vendeve demokratike që kanë zhvilluar ekonominë e tregut, ajo që kemi parë është një rivalitet në rritje mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Ndoshta është natyrore që ka një vakuum këtu që duhet të mbushet. Por ajo që vërtet shohim këtu është se forcat kryesore në këtë antagonizëm janë ambicjet e Francës, dhe në një shkallë më të vogël, të Gjermanisë për të luajtur një rol në shkallë botërore dhe po e përdorin Bashkimin Evropian si mjet për të arritur qëllimin.

RADIO EVROPA E LIRË
Përkundër mospajtimeve midis Shteve të Bashkuara dhe Evropës, interesat transatlantike mbeten dhe shtohen. Si e shpjegoni ju këtë çështje?

PATRICK MOORE
Ajo që shohim natyrisht është që marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve evropiane janë tepër të afërta dhe tepër të ndërlidhura për të menduar për ndonjë lloj çarjeje. Edhe nëse disa politikanë do të arrijnë të krijojnë një ushtri të tyre të veçantë, që eventualisht do ishte e ndarë nga NATO, edhe me këtë fakt, lidhjet janë shumë të forta për t'u çarë në ndonjë farë mënyre. Ne amerikanët kemi patur disa eksperienca të këtijlloji, sidomos me fqinjët tonë Kanadanë dhe Meksikën. Mund të jetë me interes të dihet që edhe pse ka një kufi tepër të gjatë mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, nuk është vendosur asnjë patrullë kufitare që nga viti 1815, viti kur u mbajt dhe Kongresi i Vjenës, dhe nuk ka patur konflikt mes vendeve tona që nga ai vit. Me Meksikën kemi qenë në luftë rreth 150 vjet më parë, dhe gjatë luftës së tyre civile, revolucionit të viteve 1910-1920 ne ndërhymë të paktën 2 herë. Por kufiri me Meksikën ka qenë paqësor, me përjashtim të rasteve të trafikut. Pra kemi disa probleme me këto dy vende, ato janë tepër të ndjeshme ndaj dobësisë së tyre relative karshi madhësisë dhe pushtetit tonë, por ekonomitë tona janë shumë të integruara dhe të gjithë jemi shumë të ndërlidhur me njëri tjetrin në shumë aspekte. Të tri vendet kanë nevojë për njëri-tjetrin, dhe mendoj se kemi treguar që pavarësisht nga ndryshimet në pushtet apo të perceptimit, pavarësisht se nuk jemi gjithmonë dakort apo që nuk kemi ndonjë dashuri të veçantë ndaj njëri tjetrit, ne mund të bashkëpunojmë pa i lënë gjërat të dalin jashtë kontrollit.
Intervistoi Melazim KOCI.
XS
SM
MD
LG