Ndërlidhjet

DEMAÇI: ME STANDARDET, UNMIK-U PËRGATITET TA KTHEJË KOSOVËN NËN JURISDIKCIONIN E SERBISË


ADEM DEMAÇI, VEPRIMTAR POLITIK

EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, administrata e UNMIK-ut ka paralajmëruar se gjatë muajit janar do të mund të bëhen vlerësimet e para për përmbushjen e standardeve. Si e vlerësoni ju këtë?

ADEM DEMAÇI
Mua më duket se qysh në fillim administrata e UNMIK-ut e di se si ka për të kaluar, por kjo është njëfarë metode që këtë përpjekje të UNMIK-ut që e ka në bazë të mandatit të Këshillit të Sigurimit për ta përgatitur për ta kthyer Kosovën nën Serbi, duhet ta bëjë në mënyrën më subtile dhe më të pahetueshme, prandaj edhe gjithë këto farë mënyra të sofisitikuara të punës me kosovarët dhe e keqja është se shumë kosovarë po u besojnë dhe po mendojnë se nga standardet do të varet fati i Kosovës. Në të vërtetë, standardet edhe do të plotësoheshin me të vërtetë ashtu siç janë paraparë, sepse populli ynë edhe është i intresuar poër këto standardet që janë mrekulli e kohës së sotme, por sikur Kosova ta kishte statusin e caktuar të shtetit të pavarur. Kosova, ta dini, se këto standarde janë standarde ndërkombëtare, humane dhe të mrekullueshme dhe nuk ka asgjë më të mirë, mirëpo, Kosova dhe kosovarët me këto autorizime që kanë, e në të vërtetë autorizimet esenciale nuk i kanë, pak do të mund të bëjnë. Për shembull, çështja e sigurisë- përderisa kosovarët të mos e kenë komplet përgjegjësinë e sigurisë në duart e veta, nuk do të mund të ketë siguri të vërtetë, prandaj kjo do të jetë një mungesë e madhe dhe në këtë dualizëm në njërën anë të UNMIK-ut dhe në anën tjetër të Kosovës, edhe po lulëzon kriminaliteti në Kosovë.

EVROPA E LIRË
Ndërkohë, administrata e UNMIK-ut ka thënë se deri në fund të këtij viti do t’i bartë të gjithë përgjegjësitë nga kapitulli i pestë tek institucionet e Kosovës deri në fund të këtij viti...

ADEM DEMAÇI
Krejt çka është në gjendje administrata ndërkombëtare të bartë, janë gjëra jostrategjike, Të gjitha ato që kanë rëndësi për një shtet të vërtetë, si sigurimi, policia, ushtria, punët e jashtme, gjyqësia, ekonomia e financa, e drejta për të vendosur për sistemin e zgjedhjeve, që janë kompetenca të rezervuara për UNMIK-un, të gjitha këto kosovarët nuk do t’i kenë dhe këto janë ato punët esenciale. Kurse, kosovarëve do t’u jepen ato autorizime që do të mund të kishin edhe nën administratën e Serbisë, si arsimi, sporti, kultuira e gjëra të tjera të dorës së dytë, kurse ruajtja e kufirit, e doganave, mbrojtja e shtetit, punët e jashtme do t’i ketë Serbia, siçi ka UNMIK-ut dhe kjo është ajo që unë po shoh se janë duke bërë UNMIK-u dhe Këshilli i Sigurimit, kurse shqiptarët po mashtrohen sikur fëmijet e vegjël me disa rrokaqa përpara që po ua japin.

EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, ekspertët vendorë dhe zyrtarët e institucioneve të Kosovës i kanë quajtur ligjet e aplikueshme të Serebisë, si pengesën kryesore për procesin e privatizimit, por edhe për përmbushjen e standardeve. Cili është qëndrimi juaj për këto ligje?

ADEM DEMAÇI
Këtu është puna që meqë UNMIK-u si një ekzekutues i rezolutës 1244 me të cilën parashihet qartë se Kosova është pjesë e Serbisë, pasi aty thuhet se sovraniteti i integriteti i atëherë Jugosllavisë e tash i Serbisë e Malit të Zi në Kosovë është i garantuar, atëherë UNMIK-u as që guxon të shfuqizojë ato ligje, të cilat në të vërtetë i japin të drejtë Serbisë që të përzihet në punët e Kosovës. Ligjet e njëjta Serbia i ka ndërruar në territorin e veta, ndërsa këto ligje që kanë të bëjnë me Kosovën, për ta mbajtur Kosovën nën zap dhe që të mos mund të dalë nga kurthi, këto ligje prandaj edhe nuk preken, se përndryshe, ju e dini se si janë nxjerrë ato ligje,. Ato i ka nxjerrë një Kuvend mafioz i Serbisë me urdhërin e kryemafiozit për një ditë. Këto janë ligje që përbëjnë një turp për botën, për shkak se një shtet i cili e tregoi vetveten se është shtet mafioz e kriminal, ligjet e tij të ruhen, ndërkohë që të luftohet kundër atij shteti dhe krerët e tij të dërgohen në Hagë, kurse ligjet që ata vetë i kanë nxjerrë dhe që janë ligje kolonialiste dhe pushtuese, të ruhen nën njëfarë preteksti që nuk dihet asgjë, pos që Serbisë t’i lihet mundësia të përzihet në punët e Kosovës.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG