Ndërlidhjet

TRANSFORMIMI I ROLIT TË NATO-S


Boston Globe

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Nicholas Burns, në një editorial të botuar në të përditshmen amerikane Boston Globe shkruan se gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s që u mbajt gjatë këtij muaji në Bruksel, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, kanë sfiduar Aleancën që të marrë përsipër një rol më të rëndësishëm në misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe Irak. Ata kanë propozuar nismën më ambicioze në historinë e Aleancës, duke pasqyruar interesat amerikane në shfrytëzimin e NATO-s për operacionet vitale të sigurisë. Me angazhimin e më shumë forcave në sa më shumë misione sa më larg nga Evropa, NATO-ja ka shënuar arritje impresive në vitin 2003. Në këtë kuadër, shkruan gazeta, përparimi më i madh është shënuar gjatë misionin historik në Afganistan, operacioni i parë i këtij lloji që zbatohet jashtë kufijve të vendeve anëtare të Aleancës. Duke marrë përsipër ndërkaq komandën e forcave paqeruajtëse në Afganistan në gusht të këtij viti, aleanca është vënë në vijën e parë të frontit të luftës kundër terrorizmit. Dhe, deri në takimin e ardhshëm të krerëve të NATO-s në Stamboll që pritet të mbahet në qershor të vitit të ardhshëm, Aleanca mbase do t’i ketë zgjeruar aktivitetet paqeruajtëse në mbarë Afganistanin, duke shënuar kësisoj misionin më sfidues të stabilizimit në historinë e saj 55 vjecare. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar një rol të ngjashëm të NATO-s edhe për Irakun. 18 nga 26 vendet e saj anëtare, kanë angazhuar forcat e tyre në Operacionin për Çlirimin e Irakut dhe nga Aleanca tani kërkohet që të shqyrtojë mundësitë e veprimeve shtesë gjatë vitit të ardhshëm në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Irak.
Nën anën tjetër, brenda kufijve të Evropës gazeta shkruan se NATO-ja, me arsye, mburret me faktin se i ka dhënë fund dy luftërave në Ballkan, ka ndërprerë spastrimin etnik, ka dërguar të dyshuarit për krime lufte në Hagë dhe ka rivendosur paqen në rajon. Tani me arrestimin e Saddam Husseinit, përpjekjet e NATO-s duhet të përqëndrohen në arrestimin e dy kriminelëve më të tmershëm që ka parë Evropa që nga viti 1945, Radovan Karaxhiçin dhe Ratko Mladiçin, të akuzuar për masakrimin e mijëra muslimanëve gjatë luftës në Bosnjë.
Në Kosovë, forca prej 17 mijë ushtarësh do të vazhdojë të veprojë në kuadër të misionit paqeruajtës, për të siguruar popullatën shumëkombëshe, për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, kthimin e të zhvendosurve dhe për të mundësuar fillimin e bisedimeve me Beogradin. Dhe nëse deri nga mesi i vitit 2005, arrihen përparime të mjaftueshme, komuniteti ndërkombëtar do të fillojë bisedimet mbi statusin e ardhshëm të Kosovës.
Ndryshe, gjatë këtij viti NATO-ja ka përparuar shumë me misionet e saj të reja, strukturën dhe teknologjinë e sofistikuar dhe si e tillë është e gatshme për shekullin 21 dhe personifikon multilateralizëm efektiv. Porosia e zotërinjëve Rumsfeld dhe Powell nga Bruskeli ishte e qartë: Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë përkushtuar në sforcimin e NATO-s dhe shfrytëzimin e saj për të luftuar kërcënimet në rritje mbi sigurinë globale, veçanërisht terrorizmin, shkruan në fund të editorialit Nicholas Burns, ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO.


XS
SM
MD
LG