Ndërlidhjet

KUVENDI KUNDËRSHTON MBAJTJEN E ZGJEDHJEVE SERBE NË KOSOVË


Arbana Vidishiqi

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicë votash deklaratën që cilëson si jo kushtetuese zgjedhjet e organizuara nga Serbia në territorin e Kosovës.
Deklaratën e miratuar me shumicë votash përpara ligjvënësve e lexoi Fatmir Sejdiu, anëtar i kryesisë së Kuvendit.
"Kuvendi i Kosovës i deklaron jokushtetuese dhe të papranueshme zgjedhjet e organizuara nga Serbia në territorin e Kosovës si provokim të rëndë për institucionet e Kosovës, qytetarët e saj dhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë. Kuvendi i Kosovës, kërkon nga UNMIK-u që t'i parandalojë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, të cilat paraqesin ndërhyrje flagrante në jetën institucionale të Kosovës dhe tensionojnë raportet e përgjithshme në Kosovë. Kuvendi i Kosovës i fton qytetarët e përkatësisë etnike serbe në Kosovë që të mos bëhen pre e manipulimeve, instrumentalizimeve negative politike, të drejtuara jo vetëm kundër interesave të Kosovës, por dhe interesave të vetë komunitetit serb në Kosovë".
Në shenjë kundërshtimi me miratimin e kësaj deklarate përfaqësuesit e koalicionit serb " Kthimi" kanë braktisur punimet e Kuvendit, nën arsyen se ky kuvend nuk ka kapacitet ligjor për të ndërhyrë në çështjet e zgjedhjeve.
Kështu tha shefi i grupit parlamentar të këtij koalicioni Dragisha Krstoviç.
"Me këtë çështje merret OSBE-ja dhe subjekte të tjera ligjore ndërkombëtare. Të gjitha këto subjekte deri më sot nuk janë prononcuar kundër mbajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë", tha Krstoviç.
Administrata e Kombeve të Bashkuara nuk ka reaguar mbi deklaratën e Kuvendit, por në prononcimet e mëhershme, përfaqësuesit e saj kanë thënë se kjo administratë nuk do të ndihmojë, por as të pengojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Sabri Hamiti, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se arsyetimi i deritanishëm i administratës ndërkombëtare lidhur me këtë çështje është i papranueshëm.
" Më së pari UNMIK-u dhe më pas BE-ja duhet të heqin dorë nga politika dyfytyrëshe, hipokrite dhe të tregojnë që nuk mund të ketë zgjedhje politike të Beogradit në Kosovë, meqë dihet që zgjedhje të tilla krijojnë tensione në Kosovë sidomos tensione politike ndërmjet etnive".
Ndërkohë tubimet parazgjedhore të kandidatëve serbë po vazhdojnë në mbarë Kosovën, me një përqëndrim më të madh në Mitrovicë. Këtë qytet sot e kanë vizituar dhe kandidatët e partisë për Bashkimin Serb, themelues i së cilës është shefi i formacioneve famëkeqe paramilitare Zhelko Raznatoviç Arkan. Ndryshe në zgjedhjet parlamentare të Serbisë që mbahen më 28 dhjetor, janë kandiduar edhe disa nga deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës dhe përfaqësues të qeverisë. Administrata ndërkombëtare ka tërhequr vërejtjen që në bazë të kornizës kushtetuese, përfaqësuesit serbë mund të kandidojnë në zgjedhjet e Serbisë por nëse fitojnë duhet të heqin dorë nga njëri mandat. Zgjedhjet parlamentare të Serbisë pasojnë zgjedhjet presidenciale të këtij vendi që u mbajtën në nëntor të këtij viti, të cilat për shkak të numrit të pamjaftueshëm të votuesve u shpallën si të dështuara. Në këto zgjedhje serbët e Kosovës, sipas subjekteve vëzhguese më së shumti vota i kanë dhënë partisë Radikale të Vojisllav Sheshelit, i cili aktualisht gjendet në Tribunalin e Hagës për t'ju përgjigjur akuzave për krime lufte.


XS
SM
MD
LG