Ndërlidhjet

LDK-JA FESTON 14 VJETORIN E KRIJIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet për një Kosovë, shtet të pavarur dhe sovran, ka deklaruar sot kryetari i kësaj partie, njëkohësisht dhe president i Kosovës, Ibrahim Rugova. Këto komente, ai i ka bërë në një ceremoni solemne me rastin e 14 vjetorit të formimit të LDK-së, të cilën Rugova e udhëheq që nga themelimi i saj.
Duke vlerësuar se LDK-ja ishte themeluar si parti dhe lëvizje për të mbrojtur Kosovën, Rugova tha se ajo ishte një prej partive të para demokratike në botën shqiptare dhe përgjithësisht në Evropën Juglindore. Më pas ai numëroi dhe disa nga rezultatat dhe aktivitetet kryesore të LDK-së gjatë 14 viteve të ekzistimit të saj:
“LDK-ja krijoi shtetin e Kosovës përmes akteve madhore, siç janë deklarata e pavarësisë e korrikut 1990, kushtetuta e Kaçanikut e Republikës së Kosovës 1990, referendumi për pavarësi në shtator të vitit 1991 si dhe krijimi i institucioneve të para në zgjedhjet e parlamentare- presidenciale në vitin 1992”, theksoi Rugova.
Me këto veprime, LDK-ja, tha Rugova, për dhjetë vjet rresht, krijoi dhe institucionet e Kosovës, që në botë njiheshin si institucione të shtetit paralel. Duke potencuar më pas se kjo parti i fitoi zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare, çka sipas tij dëshmoi se LDK ka përkrahjen e shumicës në Kosovë, Rugova tha se gjatë udhëheqjes së kësaj partie, ishte ballafaquar dhe me sfida të ndryshme, ku ndër më të rëndat ai përmendi luftën në Kosovë:
“Kështu, LDK-ja e mbrojti këtë shtet kur u sulmua nga armiku ynë më 1998 dhe 1999. Mbrojti po ashtu me popullin e Kosovës, duke marrë pjesë aktive në luftën për liri e pavarësi dhe falë Zotit e NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre evropianë, Kosova u bë një vend i lirë dhe de-fakto i pavarur”, potencoi Rugova.
Në vazhdim, kryetari i Lidhjes Demokratike, Rugova, i cili mban dhe postin e presidentit të Kosovës, tha se kjo parti do të angazhohet për thellimin e vlerave demokratike dhe do të angazhohet për jetësimin e programit nacional përmes institucioneve të zgjedhura. Në këtë program ai veçoi, angazhimin për zhvillimin ekonomik të Kosovës, vazhdimin e privatizimit dhe integrimin e komuniteteve në jetën institucionale, ndërsa në planin e jashtëm, tha ai, LDK angazhohet që bota ta njohë sa më shpejt Kosovën si një shtet të pavarur dhe si pjesë e integruar në të gjitha strukturat euro-atllantike.


XS
SM
MD
LG