Ndërlidhjet

logo-print

ÇEKU: TMK-JA PJESË E PROCESIT TË PËRMBUSHJES SË STANDARTEVE NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

TMK-ja është e përkushtuar për të përmbushur standardin tetë, pasi ai e bën më të afërt statusin e vetë TMK-së, e me këtë edhe statusin e Kosovës, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, komandanti i TMK-së, gjenerali Agim Çeku. Në këtë intervistë të fundvitit, gjenerali Çeku ka thënë se TMK-ja ka qenë e suksesshme, me gjithë vështirësitë:
"Viti që po e lëmë pas për TMK-në ka qenë i vështirë, por i suksesshëm. Kisha veçuar ruajtjen e stabilitetit dhe unitetit të brendshëm dhe qëndrimi në binarët që TMK-në e çojnë drejt ardhmërisë. Me sukses i kemi përballuar disa përpjekje të vazhdueshme për dobësimin e rolit të TMK-së në shoqëri dhe të na vishet një imazh tjetër dhe të zhvishet TMK-ja nga imazhi me të cilit karakterizohet tani TMK-ja," tha gjenerali Çeku sipas të cilit, gjatë TMK-ja në dy sondazhe ka dalë institucioni më i besueshëm i Kosovës, ndërsa gjatë vitit janë deminuar afër 270 mijë metra katrore, është reaguar në disa raste të fatkeqësive dhe ka ofruar ndihmë në ndërtim.
Ai tha se TMK-ja aktualisht është e preokupuar me përmbushjen e standardeve:
"Ne jemi të vetëdijshëm se procesi i gjithëmbarshëm varet nga përmbushja e standardeve dhe ne jemi të interesuar që të mos e mbajmë peng procesin, por jemi të përkushtuar që ta përmbushim këtë standard dhe në këtë mënyrë t’i japim kontribut procesit në Kosovë. Po bëjmë planet konkrete dhe jemi optimistë. Me përmbushjen e standardit edhe ne si TMK do të jemi më afër standardit tonë dhe edhe Kosova të jetë më afër statusit të saj.
Ndërkaq, duke folur për vendimin e UNMIK-ut për suspendimin e 12 pjesëtarëve të TMK-së dhe për mospajtimin e tij lidhur me këtë vendim, gjenerali Çeku tha:
"Nuk e kemi konsideruar këtë vendim të padrejtë vetëm që të jemi solidarë, ne nuk solidarizohemi me veprime të këqija, por në këtë rast mendojmë se nuk ka pasur fakte dhe prova se këta pjesëtarë kanë bërë veprime që bien ndesh me kodin displinor."
Gjenerali Çeku ka thënë gjithashtu se kërkesat e Beogradit për shuarjen e TMK-së janë joreale dhe të papranueshme:
"Konsiderojmë këto kërkesa si sulm të drejtpërdrejtë ndaj TMK-së dhe aspiratave të qytetarëve të Kosovës dhe si përpjekje për të zhveshur Kosovën nga identiteti i një shteti dhe shoqërie moderne dhe si të tilla janë të papranueshme dhe të dëmshme për Kosovën. Por ne me punën tonë do t’i përballojmë dhe përpjekjet e tilla janë plotësisht të pafuqishme që të na dëmtojnë", tha gjenerali Çeku duke shprehur gatishmërinë për inkuadrimin në TMK edhe të pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilët përballen me pengesa të ndryshme:
"Ende përshtypja është se këto përpjekje nuk hasin në mirëkuptim nga liderët e komunitetit serb, ndërsa hasin në mirëkuptim nga qytetarët e thjeshtë, por për fat të keq ata janë ende të manipuluar nga udhëheqësit e tyre dhe nuk e kanë dritën e gjelbër që të inkuadrohen në TMK. Por pa marrë parasysh ne do t’i bindim me punë pjesëtarët e pakicave se ne jemi këtu edhe për ata dhe se TMK-ja është edhe e tyre", përfundoi Gjenerali Çeku.



XS
SM
MD
LG