Ndërlidhjet

THACI: 2004 - VIT I BARTJES SË KOMPETENCAVE


Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, plani për operacionalizimin e standardeve tashmë është bërë publik, por administrata ndërkombëtare ka njoftuar se në hyrjen e këtij dokumenti thuhet se plani do të zbatohet në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, Kornizës Kushtetuese dhe rregulloreve të UNMIK-ut, ndërkaq në ato fusha ku mungojnë rregulloret do të aplikohen ligjet jodiskriminuese serbe. Cila është përgjigja juaj ndaj këtyre ndryshimeve?

HASHIM THAÇI
Standardet janë të formuluara në përputhshmëri me rezolutën 1244, me Kornizën Kushtetuese, me rregulloret e UNMIK-ut dhe mbi të gjitha, në bazë të kritereve të Kopenhagenit që janë kritere demokratike të punuara edhe prej vendeve tjera të pavarura të Evropës Juglindore, do të thotë të kritereve ekonomike, politike, legjislative perëndimore. Kështu që vlerësoj se ky proces duhet të vazhdojë të implementohet, do të punojmë bashkërisht edhe kosovarët edhe vendorët dhe do të kemi një përshpejtim të zgjidhjes së shumë problemeve të qytetarëve dhe përshpejtim të zgjidhjes së statusit politik dhe procesit të integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi tek standardet, nënsekretari amerikan Marc Grossman ka përmendur mesin e vitit 2005 si periudhën për vlerësimin përfundimtar të përmbushjes së standardeve dhe hapjen e çështjes së statusit politik të Kosovës. A besoni se pikërisht në këtë periudhë do të hapet kjo çështje?

HASHIM THAÇI
Unë e çmoj lart angazhimin e zotit Grossman. Ju e dini se edhe unë kam dalë me projektin tim për afatizimin e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, por në atë kohë unë e kisha menduar periudhën e pranverës së vitit 2005, ndërsa zoti Grossman e ka propozuar verën e vitit 2005. Unë besoj se kjo kohë do të jetë e përshtatshme për fillimin e zgjidhjes përfundimtare të statusit politik të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Vëzhgues të shumtë thonë se përmbushja e standardeve varet edhe nga përgjegjësitë që aktualisht kanë institucionet vendore të Kosovës. Si mund të tejkalohen vështirësitë që mund të dalin nga ndarja aktuale e përgjegjësive në mënyrë që të arrihet përmbushja e standardeve?

HASHIM THAÇI
Unë mendoj se UNMIK-u duhet t’i bartë gradualisht kompetencat prej ndërkombëtarëve tek vendorët.
Vendorët duhet të kenë më tepër përgjegjësi dhe mundësi për implementimin e standardeve dhe besoj se në këtë drejtim do të kemi një bashkëpunim edhe më të mirë në mes të institucioneve të Kosovës dhe atyre të UNMIK-ut.

RADIO EVROPA E LIRË
Viti që po lëmë pas është karakterizuar shpeshherë edhe me acarime të raporteve në mes të institucioneve vendore dhe administratës së Kombeve të Bashkuara. Ku qëndron rrënja e problemit në këtë drejtim, a bëhet fjalë për moskoordinim veprimesh apo anashkalim të njëri tjetrit?

HASHIM THAÇI
Thjesht institucionet kosovare duhet të kuptojnë angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, por edhe institucionet ndërkombëtare duhet t’u besojnë më tepër vendorëve në aftësitë dhe përgjegjësitë e tyre për zgjidhjen e problemeve në vend. Tek e fundit, institucionet janë zgjedhur në mënyrë demokratike prej votës së elektoratit. Por, vitin 2004 e shoh si një vit të bashkëpunimit dhe jo të konfrontimit me ndërkombëtarët. Dhe apeloj tek institucionet e Kosovës që të kemi qasje më serioze në punën me ndërkombëtarët, sepse edhe ata janë këtu për të mirën tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi një nga standardet më të përfolura është dialogu me Beogradin mbi çështjet teknike të interesit të ndërsjellë. Duke pasur parasyshë rrethanat aktuale, veçanërisht ato në Serbi, ku vëzhguesit thonë se në zgjedhjet e së dielës do të mund të fitonin forcat radikale, si e shihni ju zhvillimin e mëtutjeshëm të dialogut?

HASHIM THAÇI
Dialogu duhet të ndodhë, jo vetëm me Beogradin, por me të gjitha vendet fqinje, një dialog konstruktiv, parimor dhe duke respektuar interesat reciproke në realizimin e vlerave demokratike. Ndërsa lidhur me atë se si e shoh unë Serbinë vitin e ardhshëm është se ajo do të ketë institucione të brishta dhe mund të ndodhë që të ketë përsëri zgjedhje të lira.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet e Kosovës po përballen tash e sa kohë me rradhë me një trysni të sofistikuar të komunitetit ndërkombëtar për të përmirësuar kushtet aktuale në të cilat jetojnë pakicat kombëtare, veçanërisht ajo serbe dhe që këto institucione të angazhohen për kthimin e tyre. Çfarë mund të bëjnë konkretisht institucionet vendore në këtë drejtim?

HASHIM THAÇI
Institucionet vendore kanë disa kufizime legale, por është mirë që ekziston vullneti për të punuar për kthimin e të zhvendosurve. Ju e dini se lidershipi kosovar me iniciativën time ka nxjerrë një letër publike për opinionin e gjerë kosovar dhe ndërkombëtare, duke shprehur gatishmërinë për të punuar në drejtim të kthimit individual dhe vullnetar në pronat e shtëpitë e tyre. Kështu që besoj se edhe në të ardhmen do të punohet më intenzivisht dhe bashkërisht me ndërkombëtarët në këtë drejtim. Por, dua të theksoj se këtu komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë edhe më tepër me Beogradin, në mënyrë që Beogradi të mos e pengojë kthimin e të zhvendosurve, e në anën tjetër të linçojë pikërisht për këtë çështje Kosovën tek autoritetet ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaci, viti i ardhshëm është viti i zgjedhjeve në Kosovë. Institucionet aktuale janë krijuar në bazë të një formule për qeverisje gjithëpërfshirëse, pa një opozitë të qëndrueshme. Sipas jush, sa ishte funksionale një formulë e këtillë?

HASHIM THAÇI
Ndoshta nuk ka qenë aq funksionale sa ne kemi dëshiruar, por ka qenë zgjidhja më e mirë për momentin. Neve na nevojitet deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit unitet i qëndrueshëm politik, institucione stabile dhe të jemi të bashkuar si spektër politik në momentin e zgjidhjes përfundimtare të statusit politik. Vetëm të bashkuar mund të realizojmë pavarësinë dhe demokratizimin e vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë jemi tek zgjedhjet, cili sistem zgjedhor do të duhej të aplikohej në zgjedhjet e ardhshme?

HASHIM THAÇI
Sistemi proporcional, me lista të mbyllura apo të hapura nuk është shumë me rëndësi, një njësi zgjedhore dhe natyrisht edhe integrimi i minoritarëve në këto institucione në bazë të veprimeve afirmative.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe zoti Thaçi, siç është bërë e zakonshme në raste të këtilla, çfarë prisni ju në vitin e ardhshëm?

HASHIM THAÇI
Unë pres që të vazhdohet me funksionimin stabil të institucioneve, të organizohen zgjedhjet e lira, demokratike dhe të drejta, të pranohet rezultati prej gjithë spektrit politik kosovar dhe përsëri pres ndërtimin e shpejtë të institucioneve që do të dalin nga vota e lirë e qytetarit në tetor të vitit 2004.

Intervistoi Arbana Vidishiqi


XS
SM
MD
LG