Ndërlidhjet

TRANSPORTIMI I VOTAVE DO SIGUROHET NGA NJË KOMPANI SERBE


Rrahman Paçarizi,Prishtinë

Policia e UNMIK-ut e cila nuk do të përfshihet në ofrimin e sigurisë gjatë votimeve të nesërme për parlamentin e Serbisë që mbahen edhe në Kosovë, pret që transportimin e votave ta sigurojë ndonjë kompani private e sigurisë nga Serbia. Zëdhënësja e policisë ndërkombëtare në Prishtinë, Angela Joseph tha sot për Evropën e Lirë se policia e UNMIK-ut apo Shërbimi Policor i Kosovës nuk duan të përfshihen në çështjen e sigurimit të transportit të votave, pasi kjo është çështje e organizimit të Serbisë, meqë UNMIK-u nuk është i përfshirë në asnjë mënyrë në këto zgjedhje. Zëdhënësja Joseph tha se vetë Serbia do ta gjejë mënyrën për t’i siguruar këto vota:
"Këtë punë nuk mund ta bëjnë forcat e policisë apo të ushtrisë, por ne presim që ata ta angazhojnë ndonjë organizatë private të sigurisë," tha zëdhënësja Joseph. Mirëpo, ajo tha se ende nuk e dinte se cila do të ishte kjo kompani nga Serbia:
"Policia e UNMIK-ut nuk ka marrë asnjë kërkesë për ndonjë gjë të tillë dhe nuk jemi informuar për masat që mund të ketë ndërmarrë Serbia për këtë, ndërkohë që nëse bëhet fjalë për ndonjë kompani private, ata as që kanë nevojë për leje të tillë," tha zëdhënësja Angela Joseph, sipas të cilës policia nuk ka ndërmarrë masa të veçanta të sigurisë. Mirëpo, tha ajo ne kemi këshilluar stacionet e policisë dhe personelin tonë se zgjedhjet mbahen nesër dhe do të ketë patrullime të shtuara, mirëpo policia nuk do të jetë e përfshirë në sigurimin e vendvotimit dhe në asnjë proces tjetër që ka të bëjë me këto zgjedhje, edhe pse patrullat dhe prania e policisë do të jetë shtuar në zonat ku mbahen zgjedhjet
Sipas organizatës CESID, e cila do të vëzhgojë zgjedhjet në Serbi, dhe në Kosovë, në 19 komuna të Kosovës, do të hapen 248 vendvotime. Sipas kësaj organizate në Kosovë janë regjistruar të votojnë 97,142 veta.
Mbajtja e këtyre zgjedhjeve edhe në Kosovë është kundërshtuar me një deklaratë të veçantë edhe nga Kuvendi i Kosovës, mirëpo drejtuesit e UNMIK-ut kanë thënë se askush nuk mund t’ia mohojë askujt të drejtën për të votuar.


XS
SM
MD
LG