Ndërlidhjet

logo-print

LEJIMI I MBAJTJEVE TË ZGJEDHJEVE TË SERBISË TREGON SE NË KOSOVË ATO NUK PARAQESIN PROBLEM NË PLANIN E SIGURISË


Milazim Krasniqi, analist nga Prishtina

Një anketë e bërë me disa qytetarë serbë të Graçanicës dhe e transmetuar të enjten në mbrëmje nga Radio Televizioni i Kosovës zbuloi përcaktimin e tyre që në zgjedhjet parlamentare të kësaj të djele për Kuvendin serb, do të votojnë partinë Radikale të Sheshelit. Ndërsa shefi i Diplomacisë Evropiane Havier Solana, në një intervistë dhënë agjencisë serbe të lajmeve BETA ka specifikuar se Bashkimi Evropian është i vendosur që t'u ofrojë përkrahje të gjithë atyre të cilët janë të gatshëm të vazhdojnë rrugën e reformave. Është lehtësisht e lexueshme se Partia Radikale serbe nuk hyn në këtë llogari të Solanës. Qytetarët serbë të Kosovës edhe në votimet presidenciale serbe të dështuara para disa muajve, janë treguar si një trup elektoral mjaft kompakt. Sipas gazetës beogradase Danas, në zgjedhjet e kaluara për president të Serbisë, ata kanë votuar në mënyrë masive për kandidatin e radikalëve. Rrjedhimisht këto zgjedhje po e pengojnë integrimin e qytetarëve serbë në institucionet e vetëqeverisjes së përkohshme dhe të administratës civile ndërkombëtare në Kosovë. Lejimi i fushatës elektorale dhe i vetë zgjedhjeve serbe në Kosovë është bërë një ushqim vetëm për partitë nacionaliste serbe, të cilat në angazhimet e tyre që të pengojnë reformat dhe integrimin e Serbisë në strukturat euro-atllantike luajnë me kartën e Kosovës. Rritja e trupit votues të radikalëve serbë dhe të partive të tjera nacionaliste, pas kolapsit që përjetuan në tetor të vitit 2000, njërin nga shkaqet e kanë në qëndrimin armiqësor që mbajnë ndaj Kosovës dhe veçanërisht ndaj prezencës ndërkombëtare dhe qëndrimit ndegativ ndaj Tribubalit të Hagës. Edhe pse kartën e Kosovës në garën elektorale e kanë përdorur me të madhe edhe partitë e ish-koalicionit DOS, të cilat konsiderohen si më të moderuara, është qartë se ato nuk mund t'i konkurojnë në këtë terren partisë radikale dhe në rast të rikonfirmimit të suksesit të radikalëve në zgjedhjet parlamentare në Serbi, kjo do të ishte një shenjë e trendeve destabilizuese. Në atë rast bashkësia ndërkombëtare do të duhej të nxirrte leksionet e duhura për burimin nga i cili ushqehet nacionalizmi ekstrem serb. Shikuar nga aspekti i rezolutës 1244 UNMIK-u është i mandatuar që të ushtrojë pushtetin e plotë legjislativ ekzekutiv dhe gjyqësor në Kosovë në bashkëpunim me institucionet e vetëqeverisjes së përkohshme. Në asnjë vend nuk përmendet pjesëmarrja e Kosovës dhe e qytetarëve të saj në konstituimin e pushteteve legjislative në Serbi ose në ish-Jugosllavi. Por lejimi i shtrirjes së këtyre zgjedhjeve në Kosovë, duket si një kalkulim politik për të mbajtur brenda procesit politik Serbinë. Lejimi i shtrirjes së zgjedhjeve parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë, nuk paraqet probleme në planin e sigurisë dhe kjo është një gjë e mirë për të gjithë. Në planin e sigurisë nuk paraqet problem sepse që nga viti 2000 janë lejuar disa palë zgjedhje serbe federale dhe asnjëherë nuk janë shënuar incidente. Kjo padyshim është provë e shkallës së lartë të sigurisë që mundëson prezenca ndërkombëtare, por sigurisht edhe e vetë kujdesit të qytetarëve që duan të mos provokohen dhe të mos provokojnë.

XS
SM
MD
LG