Ndërlidhjet

logo-print

HARADINAJ: 2004 - VIT I PAVARËSIMIT TË KOSOVËS


Intervistë me Ramush Haradinajn, kryetar i AAK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, është bërë e zakonshme që në fund të vitit t’i bëhet një bilanc zhvillimeve njëvjecare. Sipas jush, cilat do të ishin sukseset dhe cilat dështimet e këtij viti në Kosovë, mendoj në aspektin politik.

RAMUSH HARADINAJ
Ajo që do të thoja në fillim është se ky vit ishte edhe një vit pune, një vit pune jo i lehtë për shkak të raporteve qeverisëse, të cilat ekzistojnë në Kosovë. Gjithshka, pra sukseset dhe mossukseset në Kosovë mund të them se ndërlidhen me raportin qeverisës në të cilin ndodhet Kosova. Unë do ta quaj mossukses vetë këtë raport qeverisës, pra një ndarje të tillë të përgjegjësive, me zbrazëtira dhe me ndërhyrje, të cilat mund të them se në momente të caktuara kanë shkaktuar edhe stagnim edhe ngecje. Mund ta quajmë sukses të institucionve dhe popullit të Kosovës, por edhe të mbështetjes ndërkombëtare, ndërtimin e mëtejshëm të bazës ligjore dhe të infrastrukturës në Kosovë dhe vetë zbatimin e përgjegjësive qeverisëse. Dhe menjëherë një gjendje të tillë stagnuese do ta quaja mossukses.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, çështja më e përfolur gjatë këtij viti është çështja e standardeve për Kosovën, plani mbi të cilat u publikua ditë më parë. Si i vlerësoni ju këto standarde dhe a besoni në përmbushjen e tyre?

RAMUSH HARADINAJ
Do të thosha se ajo çka na ka bërë skeptikë edhe më parë rreth një platforme, e cila ka qenë e prezentuar më herët në Kosovë, “Standardet para statusit”, ka qenë vetë origjina. Kjo nuk ka ardhur si rezultat i ndonjë debati apo i konsultimeve të ndërsjella dhe nuk ka qenë një platformë e përbashkët kosovare-ndërkombëtare, por ka qenë një propozim ta quajmë për rrugëdalje nga status-quoja. Një propozim i tillë pa pjesëmarrjen e vendorëve ka hasur në vështirësi dhe skepticizëm. Personalisht, e kam menduar si diçka shumë dogmatike një shprehje të këtillë “standardet para statusit”, për një shoqëri në tranzicion sikur jemi ne. Mund të them se ka ndodhur një kthesë e madhe në këtë drejtim. Ardhja e nënsekretarit Grossman ka shënuar një kthesë pozitive e do ta quaja edhe përmbajtësore, sepse më në fund dimë më shumë dhe edhe ne jemi bërë pjesë e një projekti “Standardet për Kosovën”. Shumëçka rreth dokumentit dhe materies që përmban ky dokument për ne është shpresëdhënëse. Mendojmë se duhet një mobilizim dhe do t’i kthehesha çështjes që përmenda më parë. Ne besojmë se do t’i arrijmë këto standarde, por mendojmë se duhet të ndryshojë raporti qeverisës në Kosovë. Domethënë, institucionet e Kosovës, Qeveria e Kosovës, duhet të kthehen në zbatues, pra të marrin përgjegjësitë në fushat qeverisëse që i kërkojnë standardet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju përmendët nënsekretarin amerikan Marc Grossman. Zoti Grossman kur ishte në Kosovë e ka përmendur mesin e vitit 2005 si periudhë kur duhet të vlerësohet përfundimisht përmbushja e standardeve. A besoni se kjo çështje do të hapet në atë kohë dhe më drejtëpërdrejtë po ju pyes kur mendoni se do të zgjidhet çështja e statusit politik të Kosovës?

RAMUSH HARADINAJ
Konsideroj se edhe gjendja e tanishme rezulton me të arritura nëpër fushat qeverisëse ose në lëmitë e jetës veç e veç, të cilat tani i kuptojmë dhe i cilësojmë si standarde për Kosovën. Në rast se do të ndodhte një vlerësim tani, në fund të vitit 2003, do të rezultonte me të arritura. Ne besojmë se trendi është pozitiv, angazhohemi dhe i japim mbështetje përparimeve në të gjitha fushat që sot i njohim si standarde. Mendoj se nuk duhet ta presim vitin 2005 për vlerësim dhe për hapje të çështjes së statusit final të Kosovës, konsideroj se punën më të madhe duhet ta bëjmë ne kosovarët, në këtë rast institucionet e Kosovës, sidomos duke e njoftuar opinionin vendor me progresin e arritur, duke i njoftuar fqinjët me të arriturat dhe duke bërë më shumë për të shprehur gatishmërinë tonë për bashkëpunim me fqinjët. Ne synojmë një konferencë rajonale ku do të hapej çështja e Kosovës dhe e bashkëpunimin e ndërtimit të marrëdhënieve të ndërsjella dhe linjave më të drejtëpërdrejta të komunikimit në mes të institucioneve të Kosovës dhe vendeve të rajonit. Shpresojmë se do ta kemi mbështetjen e SHBA-ve për organizimin e një konference të këtillë. Po ashtu, synojmë edhe që në vitin që vjen, pra para fundit të vitit 2004, të organizojmë një konferencë të karakterit ndërkombëtar, ku do të mund të vinin në shprehje ofertat ose mënyrat për ta përcaktuar rolin e mëtutjeshëm të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Populli i Kosovës është përcaktuar për pavarësinë e Kosovës, ndërkaq ne jemi përcaktuar për një rol të vazhdueshëm të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, veçanërisht për një mision të përhershëm të NATO-s. Dëshirojmë që nëpërmjet një marrëveshjeje me OKB-në të zgjidhim edhe të ardhmen e UNMIK-ut, mundësisht që ky mision i tanishëm që është administrues, të shërbejë edhe pas pavarësisë së Kosovës si një mision asistues apo monitorues.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, një standardet më të përfolura është gjendja aktuale e pakicave kombëtare, veçanërisht asaj serbe. Si e vlerësoni ju këtë gjendje dhe çfarë mund të bëjnë institucionet e Kosovës në përmirësimin e saj?

RAMUSH HARADINAJ
Do të thosha se duke e krahasuar gjendjen e popullsisë serbe që jeton në Kosovë me pakicat etnike që jetojnë në vendet e rajonit, nuk do të vërehej ndonjë gjendje e keqe dhe e vështirë e pakicës serbe në Kosovë. Nëse bëjmë një krahasim të vitit 2000 me vitin 2003 do të vërehen përparime të mëdha në përgjithësi rreth pozitës së pakicave në Kosovë. Nëse kësaj i shtojmë edhe pozitën kushtetuese, me të cilën i është garantuar një përfaqësim në të gjitha nivelet qeverisëse në institucionet e Kosovës, mund të themi se janë shënuar rezultate, pra përparime. Ne kemi vështirësi, si Kosovë sidomos, në ato mese ose në ato struktura, të cilat nuk janë kyçur dhe nuk bashkëpunojnë e bashkëveprojnë me Kosovën, me misionin ndërkombëtar dhe institucionet vetëqeverisëse të Kosovës. Që të ndodhë më shumë progres, që të përmirësohet edhe më tutje pozita e serbëve të Kosovës dhe që të ndodhë një kthim edhe përmbajtësor apo numerik, sikurse që zakonisht e kuptojmë, duhet të ndodhin ndryshime edhe në botëkuptimet e serbëve të Kosovës ndaj procesit në Kosovë, sidomos në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Në mesin e standardeve të tjera, përmendet gjithashtu edhe dialogu me Beogradin. Ju keni mbrojtur qëndrimin se kontaktet me vendet fqinje duhet të zgjerohen dhe të mos ngushtohen vetëm me Beogradin. A mund të funksiononte një formë e posaçme që do ta hapte rrugë për ndërtimin e këtyre marrëdhënieve?

RAMUSH HARADINAJ
Mendoj se linja Prishtinë – Beograd është e nevojshme dhe ne e kemi shprehur këtë gatishmëri, por nuk mund të mohojmë rëndësinë e vendosjes së linjave komunikuese edhe me vendet dhe kryeqytetet e tjera në rajon. Do të ishte me dobi që Kosova të aftësohet për ndërtimin e këtyre linjave të komunikimit dhe shkëmbimit të drejtëpërdrejtë me vendet në rajon, nëpërmjet një ministrie të jashtme apo në një fazë të parë, nëpërmjet ndonjë ministrie për bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrime që duhet ta ketë Kosova. Mendoj se të metat që kanë dalë nga procesi i përgatitjes së një dialogu Prishtinë – Beograd dhe vetë takimi iVjenës kanë të bëjnë me mosgatishmërinë për ta ndërtuar Kosovën ose për t’i dhënë Kosovës një mekanizëm adekuat, i cili mund të ndërtojë marrëdhënie të mira me fqinjët. Kosova nuk ka asnjë mekanizëm të aftësuar për vendosjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunim me vendet e rajonit dhe vendet tjera. Pra, ne nuk e kemi ministrinë e jashtme apo ministrinë adekuate që do të mund t’i ndërtonte këto marrëdhënie me sukses.

RADIO EVROPA E LIRË
Pikërisht këtu desha të ndërlidhem, ndërtimi i këtyre marrëdhënieve varet nga veprimet diplomatike, pra një fushë e cila është e rezervuar për administratën e Kombeve të Bashkuara. Si mendoni se do të zhvillohet tutje ky proces, nëse merret parasysh kjo ndarje e kompetencave ndërmjet administratës ndërkombëtare dhe institucioneve vendore?

RAMUSH HARADINAJ
Ne kemi qenë shumë të inkurajuar nga një iniciativë e zotit Holkeri, i cili ka premtuar ndërtimin e strukturave për marrëdhënie ndërkombëtare, sikurse është quajtur, në kuadër të Qeverisë së Kosovës. Liderët dhe politikanët e Kosovës i kanë shpërthyer disi këto limite aktuale, por ne nuk do të arrijmë suksese të mirëfillta ose të nevojshme në këto rrethana dhe raporte qeverisëse. Kosova ka nevojë të dalë jashtë Kosovës. Pra, realiteti i Kosovës domosdoshmërisht duhet të depërtojë në vendet fqinje. Mendoj se ndërtimi i strukturave për marrëdhënie ndërkombëtare, veçanërisht për marrëdhënie me fqinjët, është më se i domosdoshëm dhe duhet t’i japim prioritet. Ne presim që kjo të ndodhë dhe ky duhet të jetë instrumenti ynë dhe i bashkësisë ndërkombëtare për ta depërtuar progresin dhe realitetin që ka Kosova sot jo vetëm tek fqinjët por edhe më gjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, koalicioni që drejtoni ju është pjesë e një koalicioni qeverisës me bazë të gjerë. Sa është treguar funksionale, një formë e këtillë e qeverisjes, e cila në fakt ka eliminuar mundësinë e krijimit të një opozite të qëndrueshme?

RAMUSH HARADINAJ
Do të nisesha nga arsyet që na kanë shtyrë të kemi një formulë të këtillë qeverisëse. Meqenëse ka qenë edhe pushteti i parë demokratik, i ndërtuar dhe i njohur edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ne kemi konsideruar se është e nevojshme të arrihen dy rezultate. Në rradhë të parë një stabilitet politik, si në shoqëri, ashtu edhe në institucione. Po ashtu kemi marrë parasysh edhe krijimin e institucioneve gjithëpërfshirëse, meqenëse Kosova i ka ndjeshmëritë e veta edhe në kuptimin e përfaqësimit edhe të pakicave etnike, por edhe pakicave politike. Mendoj se kjo zgjidhje ka qenë zgjidhja më adekuate për rrethanat në të cilat ne e kemi filluar pushtetin e parë të demokratik të njohur ndërkombëtarisht pas lufte në Kosovë. Natyrisht, kjo i ka edhe anët negative që kanë të bëjnë me mungesën e një vështrimi kritik të ndërsjellë, në vend të saj në Kosovë ka vështrim mbështetës që mund të mbulojë edhe shumë dobësi në qeverisje. Shpresojmë se në zhvillimet e ardhshme qeverisëse të mund t’i arrijmë situatat kur në Kosovë do të ketë pozitë dhe opozitë, por po e përsëris se kjo zgjidhje ka qenë zgjidhja adekuate për kohën në të cilën kemi qenë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët zhvillimet e ardhshme qeverisëse. Viti i ardhshëm do të jetë edhe viti i zgjedhjeve në Kosovë. Sipas jush, në çfarë sistemi duhet të zbatohen këto zgjedhje?

RAMUSH HARADINAJ
Ne duhet të shkojmë nga një demokraci më e drejtpërdrejtë, duhet të synojmë zgjedhjet ku njerëzit do të mund të zgjedhin kandidatin e tyre, përfaqësuesin e tyre, nëpërmjet distrikteve dhe qarqeve. Zgjedhjet duhet të mbahen edhe në kuptimin e një ndarjeje gjeografike dhe rajonale që duhet të ndodhë në Kosovë. Meqenëse, në momentin e tanishëm ne nuk jemi ndërtuar si infrastrukturë zgjedhore, ndërkohë që na mungon legjislacioni, mendoj se duhet të shkojmë në një zhvillim gradual. Për zgjedhjet që vijnë presim që edhe njëherë të përsëritet formula e mëhershme, një listë zgjedhore, por gjithsesi ajo duhet të jetë e hapur. Kjo do të ishte një do të thosha demokraci jo edhe aq e mirëfilltë, meqenëse njerëzit do të jenë të sforcuar të votojnë për partinë në një mënyrë. Megjithatë, jam i bindur se listat e hapura, do t’i japin mundësi votuesve të Kosovës që të përcaktohen më drejtëpërdrejtë për përfaqësuesin e tyre në institucione, pra në Parlamentin e Kosovës. Poashtu kemi shprehur gatishmërinë që të zbatohet një celës, meqenëse do të jenë listat e hapura, një cleës që do të garantonte përqindjen e pjesëmarrjes së femrës në institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Intervistën e fillova me një pyetje të zakonshme dhe do ta përfundoj me një pyetje gjithashtu të zakonshme. Çfarë prisni për vitin e ardhshëm?

RAMUSH HARADINAJ
Ne besojmë se të gjitha këto vitet e pasluftës që i kemi kaluar janë vite të një konsolidimi dhe të një ndërtimi mbi një zbrazëtirë shumë të madhe institucionale dhe funksionuese për Kosovën. Dhe shumë të arritura në Kosovë ka qenë dhe është vështirë të ekspozohen dhe të dëshmohen. Në Kosovë është punuar shumë dhe ka rezultate, por ato rezultate nuk janë edhe aq sipërfaqësore. Mendojmë se viti që vjen do të shërbejë edhe si vit i konkretizimit. Pra, ne do të mund të dëshmojmë në vitin që vjen se Kosova ka shënuar përparime në shumë fusha të jetës. Presim që fundi i vitit të ardhshëm të rezultojë me një konkluzë të përbashkët. Sidomos presim që edhe zoti Grossman, Departamenti i Shtetit dhe në përgjithësi të gjitha mekanizmat që janë të involvuar në Kosovë të vërtetojnë progresin për të cilin jemi angazhuar dhe kësisoj të shënojë fundi i vitit të ardhshëm edhe hapa konkretë drejtë inicimit dhe drejt zgjidhjes së statusit final të Kosovës, e që do të rezultonte me zbatimin e atij që është vullnet politik i popullit të Kosovës, pra pavarësisë.
Intervistoi Arbana Vidishiqi.
XS
SM
MD
LG