Ndërlidhjet

ZGJEDHJET SERBE SHKAKTUAN REAGIME TE NDRYSHME NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Fitorja e shumicës së vendeve në parlamentin e Serbisë nga radikalët në zgjedhjet e djeshme parlamentare ka qenë një ngjarje e keqe për gjithë rajonin, kanë deklaruar zyrtarë të institucioneve të Kosovës.
Ndërkaq, anëtari serb i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviç, i cili ishte edhe kandidat në zgjedhjet e djeshme parlamentare të Serbisë, tha se rezultati i djeshëm ishte shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe kjo duhet respektuar pavarësisht se kjo nuk na pëlqen dhe mund të jetë e rrezikshme për rrjedhat e mëtejshme të ngjarjeve në Kosovë:
"Kuvendi në të cilin kanë numër aq të madh mandatesh radikalët dhe Partia Socialiste që i kontribuan aq shumë asaj që na ndodhi, është një vërejtje e madhe, si për qytetarët, ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare," tha Oliver Ivanoviç.
Ndërkaq, Mimoza Kusari, zëdhënëse e kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi mendon se kjo është një dëshmi për moslëvizjen e Serbisë drejt demokracisë:
"Kjo për ne që në fillim, edhe në zgjedhjet presidenciale ka treguar se demokracia është ende shumë e brishtë në Serbi. Ne na vjen keq që shteti fqinj ende e ngre demokracinë në bazat e tilla. Me siguri se do të kishim dëshirë të kemi një forcë demokratike në Serbi, pasi lëvizjet politike në Kosovë do të përputheshin dhe do të ishte më lehtë të hyhej në dialog me një forcë demokratike," tha zëdhënësja Kusari.
Oliver Ivanoviç, shpreh shqetësimin e tij se shqiptarët dhe qarqet ndërkombëtare do ta shtojnë presionin kundër Serbisë lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës:
"Unë kam frikë se plasmani i lartë i radikalëve do të shfrytëzohet në Kosovë, tek bashkësia ndërkombëtare dhe në qarqet shqiptare si arsyetim për të shtuar presionin mbi Serbinë që të pranojë ndonjë zgjidhje përfundimtare, e cila nuk i përgjigjet Serbisë," tha Ivanoviç.
Në anën tjetër, zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk kanë dashur të komentojnë me asnjë fjalë rezultatin e zgjedhjeve në Serbi.



XS
SM
MD
LG