Ndërlidhjet

PARTIA DEMOKRATIKE REAGON ASHPËR NDAJ DEKRETIMIT TË QEVERISË SË RE


Alma Çupi

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu dekretoi sot paradite të gjithë listën e ministrave të kabinetit të ri qeveritar të paraqitur nga kryeministri Fatos Nano.
Dekretimi i emrave nga presidenti ka ngjallur reagimin e ashpër të Partisë Demokratike, që e cilëson dekretimin skandaloz. Kryetari i PD Sali Berisha në mbledhjen urgjente të grupit parlamentar thotë se
institucioni i presidentit është i kompromentuar me këtë dekretim.
" Presidenti nga ana e tij dëshmoi se nuk është institucion aktiv në luftën kundër korrupsionit, por pjesë e korrupsionit, pasi në parlament dhe para parlamentit, ne media dhe para mediave deklaroi se nuk do të dekretojë emra të përfolur pa një skuzë publike. I takon atij t'i kërkojë të falur publikut tani për mashtrimin që bëri mendoj unë. Sepse një president nuk e mashtron publikun dhe ky është një mashtrim skandaloz.
Presidenti në seancën e fundit parlamentare të datës 18 dhjetor ka bërë publikisht vërejtje në lidhje me disa ministra të përfolur nga vetë kryeministri për përfshirje në korrupsion dhe shprehu dëshirën e tij përpara deputetëve për mos përfshirjen e tyre në kabinetin qeveritar. Por, në sqarimin që bëri sot zëdhënësja e shtypit e presidentit Afërdita Sokoli, tha se presidenti e ka bërë një thirrje të tillë për të injektuar moral në politikë. Megjithatë shtoi zëdhënësja në zbatim të detyrës funksionale, presidenti në çdo
rast i jep përparësi absolute gjykimit ligjor dhe kushtetues.
" Presidenti i ka bërë të njohur rezervat e tij për ministra të caktuar edhe në takimet me kryeministrin. Megjithatë në zbatim të detyrës funksionale, presidenti në çdo rast do t'i japë përparësi absolute gjykimit ligjor dhe kushtetues".
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e tij tha se opozita nuk do të marrë pjesë në Kuvend, nëse nuk arrihet numri i nevojshëm i deputetëve për t’u zhvilluar seanca dhe në rast të
kundërt do të marrë pjesë për të demaskuar para shqiptarëve, qeverinë e re.
" Opozita ka bërë sot një takim në të cilin ka diskutuar gjerësisht. Në rast se nuk do bëhet forumi, opozita nuk do bëjë forumin. Në rastin tjetër opozita do t'jua numërojë krimet, lidhjet, vjedhjet, shpërdorimet, para kamerave shqiptarëve duke filluar nga Fatos Nano, arkitekt kryesor i sistemit të korrupsionit, mbështetës kryesor i krimit të organizuar dhe klaneve kriminale", tha Berisha.
Në përgjigje të deklaratave publike të bërë nga Opozita, sipas të cilave disa nga anëtarët të kabinetit të ri qeveritar kanë dosje për korrupsion në Gjykatën e Lartë, ky institucion përmes një komunikate për shtyp sot i mohoi këto akuza.
Sot pasdite pritet që parlamenti të votojë dekretet e presidentit. Partitë e opozitës kanë deklaruar se do të japin votën kundër. Nuk është i qartë vendimi që do të marrë grupi i deputetëve mbështetës të ish zëvendëskryeministrit Meta. Sipas rregullores së re të miratuar në kongresin e fundit të Partisë Socialiste, deputetët që votojnë
kundër vendimeve të grupit për ligje të rëndësishme,përjashtohen nga grupi parlamentar. Nuk përjashtohetmundësia e mungesës së deputetëve përkrahës së ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta në sallën e Kuvendit.


XS
SM
MD
LG