Ndërlidhjet

UNMIKU TRANSFEROI KOMPETENCAT JO TË REZERVUARA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përmes një vendimi formalo-juridik, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara ka lejuar sot bartjen e kompetencave nga kapitulli pesë i Kornizës Kushtetuese te qeveria e Kosovës, ku janë të parapara përgjegjësitë jo të rezervuara për shefin e UNMIK-ut. Sipas zëdhënësit të UNMIK-ut Sunil Narula, bartja e kompetencave është bërë për ato fusha jo të rezervuara në të cilat qeveria ka ndërtuar kapaicitete, ndërsa edhe nga këto përgjegjësi, mbeten jo të bartura disa kompetenca, për shkak se qeveria vendore ose nuk ka krijuar bazë ligjore për ushtrimin e tyre, ose ende nuk ka kapacitete për ushtrimin e funksioneve të caktuara. Narula tha se UNMIK-u ka marrë dhe një kërkesë të kryeministrit të Kosovës, në të cilën ai kërkon lejimin e hapjes së disa zyrave të qeverisë për fushat e rezervuara. Këto kërkesa tha ai, do të shqyrtohen dhe do të shihet nëse qëeveria ka kapacitete të mjaftueshme:
“Nganjëherë qeveria nuk ka pasur kapacitete të mjaftueshme, por ky është një proces dhe se ne po punojnë bashkarisht dhe do ta ndihmojmë për së afërmi qeverinë”, tha Narula.
Ndërkohë, zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës, Mimoza Kusari, tha se ky akt i përfaqësuesit special, ndonëse pak i vonuar shënon një hap tjetër në drejtim të fuqizimit të qeverisë vendore, kurse në perspektivë tha ajo, mbetet që një pjesë tjetër e kompetencave të realizohet gjatë procesit të plotësimit të standardeve. Kusari tha se ambicjet e qeverisë mbeten që ajo të kompletohet dhe të themelojë dhe zyra të reja për përgjegjësitë e rezervuara.
“Në vitin 2004 edhe UNMIK-u edhe qeveria do t’i kenë duart plot në punën rreth implementimit të standardeve e sidomos në angazhimin e grupeve punuese për këto standarde. Kjo edhe do të na jap neve një bazë të fortë për dëshmimin e përgjegjësisë së qeverisë, e në veçanti për marrjen e kompetencave të tjera”, tha Kusari.
Në anën tjetër deputetja serbe Rada Trajkoviç, vlerëson se shefi i UNMIK-ut ka marrë një vendim të nxituar dhe se sipas saj, serbët e Kosovës vlerësojnë se institucionet e Kosovës nuk kanë treguar aftësi e as nuk janë treguar demokratike që të meritojnë të pranojnë më shumë kompetenca.
“Kam frikë se një vendim i tillë do t’i izolojë edhe më tepër serbët dhe se me këtë nuk i kontribuohet stabilitetit”, thotë Trajkoviç.
Lidhur me këtë qëndrim të serbëve, zëdhënësja Kusari tha se liderët serbë duhet ta kuptojnë se ndërtimi i kapaciteteve vendore është në të mirën e Kosovës dhe të pakicës serbe gjithashtu.
“Qeveria vazhdimisht u ka bërë dhe do të vazhdojë t’u bëjë ftesë serbëve në proceset vendimmarrëse, por megjithatë këtë ata duhet ta bëjnë me vullnetin e tyre të mirë. Nëse mendojnë të jetojnë në Kosovë dhe të jenë pjesë e procesit integrues drejt definimit të statusit dhe më vonë integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike”, ka thënë zëdhënësja Kusari. Përndryshe, me aktin e sotëm UNMIK-u nuk ka bërë asnjë transferë të kompetencave nga kapitulli i tetë i Kornizës Kushtetuese, ku bëjnë pjesë siguria, drejtësia, politika e jashtme, mbrojta e fusha tjera të cilat mbeten në përgjegjësi të rezervuara për shefin e administratës ndërkombëtare.



XS
SM
MD
LG