Ndërlidhjet

KOSOVA – NJË PËRPARIM I KONSIDERUESHËM


William WALKER, ish shef i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë

RFE:
Si e vlerësoni situatën në rajonin e Ballkanit, duke pasur parasysh, gjendjen në Maqedoni?

WALKER:
Është e natyrshme, që për sa kohë të ekzistojnë tensionimet etnike përreth Kosovës, në pjesë të ndryshme të Ballkanit, përherë do të ekzistoj edhe mundësia e përshkallëzimit të situatës – ashtu siç ndodhi edhe në Kosovë. Përderisa në Maqedoni kemi një situatë, ku një grup etnik kërkon respektimin e plotë të të drejtave të tij dhe statusin e barabartë me të tjerët, do të kemi këso tensionesh dhe dallime që më parë çojnë kah përkeqësimi se sa kah përmirësimi i situatës. Ajo që unë preferoj në këtë situatë, është, tu bëj thirrje të gjitha palëve në Maqedoni që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të bisedojnë për dallimet, e jo të bëjnë përpjekje për të qëlluar me armë njëra-tjetrën.

RFE:
Veç të tjerash, në artikullin e botuar në “Washington Post”, keni theksuar se koalicioni i reformuar qeverisës dhe regjimi aktual në Maqedoni, kanë për detyrë përshpejtimin e proceseve reformatore dhe ndërmarrjen e gjërave më madhore. Por, duke u nisur nga përvoja Juaj në Ballkan dhe veçanërisht në Kosovë, a besoni sinqerisht në mundësinë e ngritjes së një shoqërie të vërtetë shumë etnike në Ballkan, që do ti respektonte të drejtat e të gjithve?

WALKER:
Mendoj se nëse në Ballkan ka një vend, ku ky model duhet të fuksiononte, ky vend është Maqedonia. Për dallim nga Serbia ose Kroacia, Maqedonia është vërtet një shoqëri multietnike. Siç kam përmendur në artikullin tim në “Washington Post”, asnjë grup etnik atje, nuk përbën shumicën e konsiderueshme dhe thelbësore. Në Maqedoni ka raporte të konsiderueshme ndërmjet etnive të ndryshme, kështu që ata duhet të nxjerrin mësime për jetesën e përbashkët, duhet të nxjerrin mësime se të gjithë ata, në thelb, janë qytetarë të shtetit të quajtur Maqedoni. Natyrisht, atje nuk duhet të ekzistojë asnjë kategori e dytë e qytetarëve. Druaj thellë se Qeveria e reformuar e koalicionit nuk po i ndërmerr gjërat e duhura në mënyrë imediate dhe nuk po i zbaton ato në mënyrë serioze.

RFE:
Përkundër dënimit të përgjithshëm ndërkombëtar të gueriljes shqiptare në Maqedoni, Ju keni propozuar bisedime me UÇK-në, duke thënë se paqeja e qëndrueshme në këtë vend do të jetë e paarritshme nëse në vendosjen e saj nuk angazhohet edhe UÇK-ja. Dihet se komuniteti ndërkombëtar dënoi fuqishëm marrëveshjen e paradokohshme ndërmjet liderëve shqiptarë në Maqedoni dhe UÇK-së, të ndërmjetësuar nga diplomati amerikan Robert Frowick?

WALKER:
Jam i befasuar me reagimet dhe komentet e “Marrëveshjes…” ndërmjet liderëve politikë shqiptarë dhe UÇK-së në Maqedoni. Siç e thash në artikullin tim në “Washington Post”, jamë shumë më tepër për bisedime se sa për vrasjen e njerëzve dhe përpjekjet për ti eleminuar ushtarakisht ata. Shumë vështirë është të paramendohet se ndonjëra palë në Maqedoni mund të dalë fitues prej asaj lufte. Mendoj, po ashtu, se bisedimet me UÇK-në patjetër do të zhvillohen në ndonjë mënyrë, por shumë më mirë është që kjo të bëhet tash, para se gjërat të përshkallëzohen me më më shumë dhunë, me më shumë njerëz të vrarë, me më shumë fshatra të shaktërruara.

RFE:
Si i komentoni dallimet ndërmjet politikës së presidentit Clinton, i cili memorandoi misionin paqeruajtëse në Ballkan dhe politikës së presidentit Bush, qëllimet e të cilit kanë të bëjnë me kufizimin e përfshirjes amerikane në Ballkan?

WALKER:
Nuk jam i sigurt se pajtohem me këtë këndvështrim. Adminitsrata e presidentit Bush ndodhet në pushtet për një kohë të shkurtër. Ata ende janë duke shqyrtuar opcione të ndryshme dhe unë jam i bindur se ata do të zgjedhin rrugën, që do të mundësoj gjasë më të mira për krijimin e Maqedonisë së lirë, të hapur dhe etnikisht të harmonizuar. Unë jam i sigurt se Administrata aktuale amerikane e synon këtë objektiv. Unë do të isha i fundit që do të kritikoja Administratën tonë dhe përpjekjet e saj në rajon. Ata po bëjnë përpjekje për ta ndaluar dhunën dhe nuk pajtohem me krahasimet ndërmjet politikës së ish presidentit Clinton dhe politikës së Bush-it, pasi jam i bindur se Administrata e Bush-it është duke kërkuar zgjidhjen më të mirë për të ndalur dhunën në Ballkan.

RFE:
Propozoj që bisedën ta vazhdojmë me Kosovën, e cila është duke bërë përparime, por arritje shumë të vogla dhe jo të qëndrueshme… Çka mendoni ju në këtë aspekt?

WALKER:
Do të jem atje për një javë. Me siguri do të kem shumë më tepër mundësi që ti përgjigjem kësaj pyetje pasi të realizoj vizitën. Por, pajtohem me konstatimin që e theksuat.
Atje është arritur një përparim i konsiderueshëm. Me siguri ky është një përparim i madh në krahasim me atë situatë, me të cilën unë u përballa për të parën herë, që karakterizohej me përpjekjet e regjimit të Millosheviqit për të siguruar fitoren ushtarake mbi UÇK-në. Ne kaluam një rrugë të gjatë nga tetori i vitit 1998, kur zotërinjtë Holbrook dhe Milosheviq arritën marrëveshjen e tyre. Shikoni, përherë është vështirë që në kushtet e tensionimeve brenda shteteve fqinje, të ecet pëpara në mënyrë të përshpejtuar dhe të bëhen përpjekje për të ndërtuar Kosovën, ashtu siç dëshirojmë ne të gjithë.

RFE:
Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit e ka lënë të hapur çështjen për të ardhmen e Kosovës, duke mbështetur konensusin ndërkombëtar të statusit të saj përfundimtar. A mendoni se është i mundur ndryshimi i Rezolutës 1244?

WALKER:
Të gjithë, apo gati të gjithë, janë duke e konsideruar rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit si një kornizë, në bazë të së cilës duhet vepruar në Kosovë dhe ndaj Kosovës. Mendohej se të gjithë pajtohen me idenë se opcioni përfundimtar, për atë se çfarë do të jetë Kosova, ende është i papërkufizuar dhe nuk është i qartë. Të gjitha këto mbeten për tu zgjidhur në të ardhmen. Ajo që OKB-ja dhe komuniteti ndërkombëtar janë duke bërë në Kosovë, është përforcimi i një niveli të konsiderueshëm të sigurisë, të harmonisë etnike, të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe rimëkëmbjes së jetës së njerëzve, që në mënyrë të vrazhdë u çrregullua nga ana e regjimit të Millosheviqit.

RFE:
Analistët e pavarur ndërkombëtarë i tërheqin vëmendjen Perëndimit se do të jetë rrezik i madh përpjekja për ti detyruar shqiptarët e Kosovës që ti rikthehen ndonjë Federate me Serbinë, pa marrë parasysh se kush e drejton këtë vend?

WALKER:
Unë mendoj se një zgjidhje e këtillë do të jetë shumë vështirë të menaxhohet. Pajtohem me analiza të cilat thonë se do të jetë jashtëzakonisht vashtirë që të sigurohet pëlqimi i popullit të Kosovës, sidomos shumicës shqiptare, për vendosjen mbi ta të çfarëdo kontrolli të Beogradit. Absolutisht pajtohem me këto analiza.

RFE:
Kosovarët ndiejnë ndaj jush një mirënjohje të jashtëzakonshme për rrolin tuaj domethënës, në të kaluarën, sidomos në rastin e Reçakut. Në fund të kësaj interviste… a dëshironi tu dërgoni ndonjë mesazh atyre para se ta vizitoni Kosovën?

WALKER:
Unë jam i lumtur për kthimin tim të sërishëm në Kosovë dhe për qëndrimin tim atje, pas më shumë se një viti. Jam shumë i interesuar që të takohem me udhëheqësit politikë, por ajo që është me e rëndësishmja edhe me njerëz në rrugë, me miqtë e mi që punonin me mua së bashku në Misionin verifikues të OSBE-së në Kosovë. Shpresoj se do të takoj sa më shumë që është e mundur njerëz atje, shpresoj se ata nuk më kanë harruar. Thjesht, jam tejet i kënaqur për vizitën time në Kosovë. Mos harroni, para një viti, unë jam nderuar me Çmimin e qytetarit të nderit të Kosovës dhe krenohem shumë për këtë mirënjohje.
XS
SM
MD
LG