Ndërlidhjet

Përse Euro shënon rënie? (1)


Mark Baker Kur monedha Euro ishte emetuar, thuhej se ky ishte një fillim i ri në sferën e financave ndërkobëtare. Megjithatë, kjo monedhë, që aktualisht përdoret në 12 shtete evropiane, vazhdon të shënoj rënie.

Kur, para dy vitesh, zyrtarët e 12 vendeve të Bashkimit Evropian, emetuan monedhën euro, ata ushqenin shpresa të mëdha për të ardhmen e saj. Fillimisht, vlera e euros u përcaktua diçka më e lartë se një dollar. Pritej që, krahas dollarit amerikan dhe jenit japonez, edhe euro të promovohej në monedhë botërore – në një shtyllë të sistemit financiar ndërkombëtar dhe njësi kryesore e këmbimit për kompanitë dhe qeveritë. Të 12 vendet, që u pajtuan ta përdorin euron, vendosën kritere rigoroze monetare dhe financiare. Banka Qendrore Evropiane, e ngarkuar me menaxhimin e euros, doli si një lojtar kryesor në financat ndërkombëtare. Megjithatë, euroja vazhdon të shënoj rënie të vlerës... Këtë javë, një euro është shkëmbyer me 85 centë amerikanë, apo 30% më pak se vlera e saj fillestare. Vitin e kaluar zyrtarët mund të ankoheshin për dobësimin e euros edhe si pasojë e forcimit të ekonomisë amerikane apo joshjes nga aksionet e tregut të Shteteve të Bashkuara. Por, këtë vit, puna është ndryshe. Ekonomia amerikane ka pësuar rënie dramatike, interesi i aksioneve në Shtetet e Bashkuara është ulur, ndaj, rrjedhimisht, prespektiva për zhvillimin ekonomik të Evropës, duket e mirë. Ndërkohë, vlera e euros vazhdon të bjerë.
Profesori Hans - Werner Sinn i Institutit për Kërkime Ekonomike, në Mynih, thotë se ligjet ekonomike mund të shpjegojnë vetëm një pjesë të dobësive që vihen re, por jo gjithçka. Së fundi, Sinn ka kryer një studim në lidhje me këtë çështje, në të cilin ai parashikon krijimin e një pasigurie në fillim të vitit të ardhshëm kur valutat kombëtare, si marka gjermane p.sh., do të tërhiqen dhe kartëmonedhat Euro do të hidhen në qarkullim. Kjo gjë, sipas tij, do të ulë më tej vlerën e Euros. Ai, për Radion Evropa e Lirë, tha se më e pasigurtë do të ndjehet popullsia në Evropën Qendrore dhe atë Lindore, ku qarkullon, të paktën, një e treta e sasisë së përgjithshme të markave gjermane.
"Dobësimi i Euros shpjegohet me zvogëlimin e kërkesës për markat gjermane në Evropën Lindore. Pasiguria për këmbimin e monedhës do të thotë që njerëzit do të përpiqen të konvertojnë markat gjermane në një monedhë më të sigurt, siç është dollari" - thotë Sinn dhe vazhdon: "Evropianët e Lindjes kanë dëgjuar për lajmin se marka gjermane do të dalë nga qarkullimi dhe se do të zëvendësohet me euron, por ata nuk janë shumë të sigurtë se kush do t’i ndërrojë markat në euro, me ç’kurs, dhe nëse do të aplikohen tarifa të veçanta për këtë gjë. Ndaj, për të qenë të sigurtë, ata do të kërkojnë të ndërrojnë paratë me një monedhë që nuk është e prekur nga konvertimi në Euro" - përfundon profesori i ekonomisë, Hans Werner Sinn.
XS
SM
MD
LG