Ndërlidhjet

Rivlerësimi i doktrinës ushtarake amerikane


Frank Csongos Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara është duke bërë një rivlerësim të angazhimeve ushtarake karshi sfidave të periudhës pas luftës së ftohtë. Njëri nga propozimet që po shqyrtohet, ka të bëjë me riorientimin e involvimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara nga Evropa në Paqësor. Kjo strategji e re ende është në procesin e formulimit në mënyrë që pastaj ti paraqitet presidentit, George Bush.

Administrata e Presidentit, George Bush thotë se është duke rivlerësuar doktrinën ushtarake amerikane dhe sistemin e armatimit, që është i nevojshëm për mbrojtjen e interesave të Shteteve të Bashkuara anembanë botës. Zyrtarë amerikanë kanë thënë se rivlerësimi po bëhet në Departamentin e Mbrojtjes. Njëri nga propozimet kryesore që do të merret në konsideratë është riorientimi i fokusit të involvimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara nga Evropa në Paqësor. Zyrtarët hezitojnë të flasin publikisht lidhur me specifikat e rivlerësimi ushtarak. Më herët, në një konferencë me gazetarë në Departamentin e Mbrojtjes, admirali Greg Quigleu, ka paraqitur këtë perspektivë: “Paqësori është shumë i rëndësishëm. Shikoni vetëm hapësirën e përgjegjësisë së Komandës së Paqësorit; ajo është komanda më e gjërë unike e Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara. Ju keni disa shtete në këtë pjesë të botës. Ne kemi lidhje të pashkëputshme ekonmike me këtë pjesë të botës. Disa prej miqve tanë më të fortë dhe aleatë në botë, gjenden në rajonin e Paqësorit. Pra është një pjesë shumë e rëndësishme e botës për ne”. Zyrtarët kanë thënë se studimi i Sekretarit të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, lidhur me politikën ushtarake, do ta udhëheq administratën ashtu që ta realizoj premtimin e shprehur gjatë fushatës së zotit Bush, për përmirësimin e cilësisë së forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara. Andrju Marshall, është një zyrtar veteran i Departamentit të Mbrotjes, që udhëheq këtë projekt. Raportohet se ai, si pikë kryesore, që i ka paraqitur zotit Rumsfeld, thekson çështjen se Paqësori, me gjasë, është fushëveprimi kryesor ushtarak amerikan. Poashtu thuhet se Kina po bëhet më e fuqishme, ndërsa Rusia më pak. Kjo gjë do të kërkoj një riorientim të politikës së vjetër 50 vjeçare të mbrojtjes, që ishte e fokusuar në ruajtjen e paqes në Evropë dhe parandalimin e ish Bashkimit Sovjetik. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, më herët, kishte përsëritur kërkesat e tij për zhvillimin e sistemit mbrojtës kundëraketor, i cili synon parandalimin e sulmeve eventuale nga shtetet, siç janë: Iraku, Koreja Veriore dhe Irani. Rusia dhe Kina kanë kundërshtuar këtë sistem. Eduard McCord është profesor i historisë dhe i marëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Xhorxh Uashington në Uashington. Ai i ka deklaruar Radios “Evropa e Lirë” se administrata e Bush-it beson se kërcënimi për Amerikën vjen nga Asia dhe për këtë arsye po veprohet në mënyrë adekuate. “Ata synojnë të kenë një lloj fokusi, dhe nëse keni të bëni me një armik, kjo gjë aktualisht paraqitet e dobishme edhe për çështje politike; mendoj – e keni dikë që mund ta fokusoni si kërcnim në disa mënyra. Prandaj Kina shihet si kërcnim, nga aspekti strategjik dhe ekonomik”. Eduard McCord thotë se se ai nuk beson se kjo politikë është realiste. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara nuk ballafaqohen me kërcnim ushtarak, çfarë ishte ai gjatë Luftës së Ftohtë.
XS
SM
MD
LG