Ndërlidhjet

logo-print

Beteja kosovare e gjeneralëve aleatë!


Në librin e tij “Waging Modern War”, të botuar në Shtetet e Bashkuara, gjenerali Wesley Clark, pos të tjerash, përshkruan edhe epizodin tejet dramatik, që ndodhi ndërmjet tij e gjeneralit britanik, Michael Jackson. Gjenerali amerikan, Clark, ish komandant i Natos për Evropë, i kishte urdhëruar gjeneralit britanik, Jackson që të parandaloj hyrjen e pjesëtarëve të ushtrisë ruse në aeroportin e Prishtinës në qershor të vitit 1999. Por, gjenerali Jackson kishte refuzuar urdhërin, duke thënë se “ai më nuk do të zbatoj urdhëra nga Washingtoni”!

Gjeneralit britanik, Michael Jackson i ishte thënë se do të duhej të jepte dorëheqje nëse nuk i bindet një urdhëri të komandantit të atëhershëm amerikan të forcave të Natos për Evropë, gjeneralit amerikan, Clark. Urdhëri ishte i prerë: të parandalohen rusët nga marrja e kontrollit në aeroportin e Prishtinës! Kjo ngjarje ndodhi në Qershor të vitit 1999, menjëherë pas përfundimit të Luftës në Kosovë. Në librin e tij, të botuar në Shtetet e Bashkuara, gjenerali Clark sqaron se si “i kishte përsëritur dhe i kishte shpjeguar me kujdes, disa herë, gjeneralit Jackson, se nëse nuk i respekton urdhërat, do të duhej të tërhiqej nga pozita që kishte”. Kjo ngjarje, me gjasë, ishte konflikti më i ashpër ndërmjet komandantëve ushtarakë amerikanë dhe britanikë prej periudhës së mospajtimeve strategjike në Luftën e Dytë Botërore, ndërmjet Eisenhower-it dhe Montgomery-it.Fushata e bombardimeve të Natos kishte përfunduar, serbët ishin pajtuar që të tërhiqeshin… Gjenerali Jackson kishte filluar lëvizjet me njësitet e tij në Maqedoni, që të futej në Kosovë, më 12 Qershor të vitit 1999. Mirëpo, 200 pjesëtarë të trupave ruse, të vendosur në Bosnjë, kishin hyrë në Kosovë nga Veriu dhe ishin nisur për në aeroportin e Prishtinës, me qëllim që të parakalohej vendosja e trupave të Nato-s dhe të pritej për përforcime nga Moska. Qëllimi ishte që, praktikisht, të krijohej një ndarje e Kosovës, para arritjes së forcave të gjeneralit birtanik të Natos, Michael Jackson, shkruan pos tjerash, në librin “Waging Modern War” të gjeneralit Wesley Clark. Gjenerali Clark, mëtutje, shkruan se Pentagoni dhe sekretari i pëprgjithshëm i atëhershëm i Natos, Javier Solana e kishin autorizuar atë për përdorimin e helikopterëve të tipit Apache për të bllokuar hyrjet në aeroportin e Prishtinës dhe për të parandaluar hyrjen e trupave ruse. Mirëpo, gjenerali Jackson kishte refuzuar një urdhër të tillë, duke thënë se misioni i tij ishte kthimi i refugjatëve në Kosovë dhe ruajtja e paqes, e jo që të rrezikoj një konfrontim me Rusinë. Takimi i tyre kishte ndodhur në selinë e gjerneralit Jackson në një fabrikë këpucësh në Shkup. Gjenerali Clark shpjegon se “gjenerali Jackson ishte i hidhëruar dhe i shqetësuar”, ndërsa bisedën e tyre e përshkruan me fjalor ushtarak duke thënë se “ishte një shkëmbim zjarri i shpejtë”. Dialogu filloi me pohimin e komandantit britanik se “më nuk do të pranoj urdhëra nga Washingtoni”. Wesley Clark ishte pergjegjur se ky urdhër nuk vinte nga Washingtoni por nga ai, që ka autoritetin e komandantit të forcave të Natos për Evropë. Poashtu, Clark kishte thënë se ka mbështetjen e sekretarit të Përgjithshëm të Natos. Por, Michael Jackson kishte thënë se nuk do të filloj luftën e tretë botërore për zotin Clark. Gjenerali Clark kishte thënë se urdhëri i tij nuk ka të bëj me fillimin e Luftës së Tretë Botërore… Duhet bllokuar aeroporti ngase në të kundërtën mund të krijohej ndonjë krizë…Gjenerali Wesley Clark pastaj i kishte telefonuar gjeneralit Guthrie nga shtatmadhoria e armatës birtanike. Ky kishte mbrojtur qëndrimin e gjeneralit Jackson. Në fund mospajtimi u zgjidhë nga qeveria britanike dhe ajo amerikane. Nuk u dërguan helikopterët “Apache” dhe as trupat e Nato-s nuk u dërguan në aeroportin e Prishtinës. Megjithatë, trupat britanike dhe franceze ishin në një gatishmëri të lartë ushtarake. Kërcënimi rus ishte neutralizuar me diplomaci. Gjenerali Clark, këtë konflikt me gjeneralin Xhekson, e cilëson si “një shembull tipik të asaj që mund të quhet “sekret publik” në operacionet e Natos; komandantët e Natos ishin si kukulla, që nga prapaskena udhëhiqen nga vendet e tyre, pavarësisht nga gradat formale të trupave”.
XS
SM
MD
LG