Ndërlidhjet

Maqedonisë i duhet ndihma ushtarake e Natos!


Carlotta Gall Nëse Brukseli i përgjigjet pozitivisht një kërkese të presidentit të Maqedonisë, Boris Trajkovski, për ndihmë ushtarake, mijëra ushtarë të Natos do të duhej të depërtonin në zonat e përfshira nga lufta.

Lidhur me kërkesën e kryetarit të Maqedonisë, Boris Trajkovski për ndihmë ushtarake, sekretari i përgjithshëm i NATO-s George Robertson ka deklaruar se kërkesën në fjalë do t’ua kalojë për shqyrtim, anëtarëve të NATO-s. Në të njëjtën kohë, ai përjashtoi mundësin e intervenimit ushtarak të NATO-s në Maqedoni, shkruan e përditshmja “New York Times”. Një kërkesë e tillë e Shkupit zyrtar, në selinë e NATO-s konsiderohet si pjesë përbërse e planit për çarmatosjen e pjestarëve të UÇK-së dhe zhbërjen e lëvizjes kryengritëse shqiptare në Maqedoni. Kërkesa e Maqedonisë për inkuadrimin e NATO-s në procesin e gjetjes së zgjidhjes politike për krizën në vend, sipas gazetës “New York Times”, vjen pas formimit të Qeverisë së koalicionit me bazë të gjërë, e cila ka për qëllim arritjen e marrëveshjes së përgjithshme politike mbi çarmatosjen e pjesëtarëve të gueriljes dhe shqyrtimin e shqetësimeve të komunitetit shqiptar, lidhur me të drejtat e tyre të cenuara. Duke pasur parasysh strukturën komplekse të nxjerrjes së vendimeve në aleancën veriatlantike, që ka 19 anëtarë, zyrtarët e Nato-s nuk shprehen të entuziazmuar me mundësinë e arritjes së menjëhershme të konsensusit të brendshëm për vendosjen e tretë me radhë, të paqeruajtësve të NATO-s në Ballkan. “Do të mjaftonte vetëm një kundërshtim nga radhët e anëtarëve, për të pamundësuar përgjigjën pozitive në kërkesën maqedonase”, thotë një zyrtar anonim në NATO. Presidenti amerikan, George Bush nuk ka shprehur interesim për involvim të sërishëm ushtarak në Ballkan, por disa anëtarë të tjerë të NATO-s kanë shfaqur gatishmërinë për dërgimin e ushtarëve të tyre në Maqedoni. Një gjë e tillë , sipas “New York Times”-it, nuk është e ndaluar me rregullat e NATO-s. Në rast të përgjigjës pozitive nga Brukseli, lidhur me kërkesën e kryetarit Trajkovski për ndihmë, mijëra ushtarë të Nato-s do të duhet të depërtojnë në zona të përfshira me luftë, në veri dhe në veri-perëndim të Maqedonisë . Si pengesë të mundshme vendore, ndaj mbështetjes ushtarake të NATO-s për procesin politik në Maqedoni, “New York Times” veçon kryeministrin Ljupco Georgijevski, për të cilin thuhet se qëndron në prapavi të forcave paramilitare dhe armatimit aktual të civilëve maqedonas. Në anën tjetër, sipas kësaj gazete amerikane, nuk mund të parashikohet as reagimi i liderit të UÇK-së, Ali Ahmeti ndaj futjes së trupave të NATO-s në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja. Në një intervistë për median shqipe në Shkup, zoti Ahmeti kishte deklaruar se do të dakordohet me planin mbi çarmatosjen e kryengritësve të tij, nëse ky plan mbështetet dhe garantohet nga NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG