Ndërlidhjet

Mungon kontrolli i jashtëm i gjithë asaj që po ndodhë në polici!


Me vetë faktin që njerëzit duhet ti braktisin shtëpitë e veta, me vetë faktin që dikush futet në jetën private të tyre, me vetë faktin se shpeshherë i janë nënshtruar maltretimeve ose sjelljeve jo adekuate nga të gjitha anët, automatikisht mund të flasim për një ulje jashtëzakonisht të madhe të nivelit të respektimit të të drejtave të njeriut. Kështu deklaroi, në intervistën për Radio Evropa e Lirë, Mirjana Najcevska, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni.

RFE:
Si e vlerësoni gjendjen e të drejtave të njeriut në Maqedoni; aktualisht a janë ato në harmoni me standardet e Marrëveshjes për Asocim dhe Stabilizim dhe me marrëveshjet e tjera të nënshkruara?

MIRJANA NAJCEVSKA:
Në këtë moment gjendja e të drejtave të njeriut në Maqedoni me të vërtetë është e keqe, kjo disi automatikisht rrjedh nga e gjithë ajo që po ndodh këtu: me përleshjet e armatosura, me shpërngulje të brendshme dhe me valë të madhe të refugjatëve, të shtetasve të Maqedonisë, në vendet përreth, e para se gjithash, në Kosovë. Meqë ekzistojnë përleshje të armatosura, veprime të ushtrisë, veprim të forcuar të policisë, automatikisht mund të llogarisim edhe në shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut. Me vetë faktin që njerëzit duhet ti braktisin shtëpitë e veta, me vetë faktin që dikush futet në jetën private të tyre, me vetë faktin se shpeshherë i janë nënshtruar maltretimeve ose sjelljeve jo adekuate nga të gjitha anët, automatikisht mund të flasim për një ulje jashtëzakonisht të madhe të nivelit të respektimit të të drejtave të njeriut.

RFE:
Sa mendoni se janë shkelur të drejtat e njeriut që nga filimi i konfliktit në Maqedoni?

MIRJANA NAJCEVSKA:
Po, do të thoja se Maqedonia, në një masë relativisht të madhe, ishte në rrugë të mirë që të fillojë të mësojë ti respektojë të drejtat dhe liritë e njeriut. Kjo nuk don të thotë se ne ishim në një nivel shumë të lartë, nuk don të thotë se sistemi ynë ligjvënës ose garniturat politike dhe strukturat politike, posaçërisht ato të shtetit, që sipas funksionit të tyre duhet të përkujdesen edhe për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kësaj sfere i janë qasur në një mënyrë të posaçme. Megjithatë, u krijua një klimë dhe atmosferë, ku shumë flitej për të drejtat e njeriut dhe kishte gjasa që të kalojmë në etapën e dytë, kur do të kishim filluar me praktikën e të drejtave dhe të lirive të njeriut. Me vetë momentin e fillimit të veprimeve të armatosura, e posaçërisht me aktivizimin e ushtrisë, u bë një kthim jashtëzakonisht i madh prapa në këtë fushë dhe, në këtë moment, mund të flasim për një situatë më të keqe se sa në fillim të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë.

RFE:
Si e vlerësoni reagimin e forcave maqedonase të sigurisë në rastin e Manastirit?

MIRJANA NAJCEVSKA:
Forcat maqedonase të sigurimit, në shumë raste, nuk reaguan në mënyrë adekuate. Kjo mund të arsyetohet ose të përshkruhet në mënyra të ndryshme. Në një mënyrë, destruksioni dhe mosorganizimi në Ministrinë e Punëve të Bendshme, gjithnjë e më shumë, po thyhet në kurriz të qytetarit të rëndomtë. Në këtë moment, kemi një situatë ku kemi polici, që ose nuk është mjaft e trajnuar ose nuk është mjaft mirë e stërvitur, nuk është ende e gatshme të reagojë në rastet specifike, siç janë tendosjet dhe konlfiktet ndëretnike. Kemi polici që, është më se e qartë, nuk ka udhëheqësi adekuate dhe të mirë, në të cilën ajo do të kishte besuar dhe e cila do të kishte mundur ta kontrollojë. Dhe para se gjithash më shumë mungon kontrolli i jashtëm i gjithë asaj që po ndodh në polici. Kjo do të thotë se ne në Republikën e Maqedonisë ende nuk kemi raste ku policia është vënë në bankën e të akuzuarit, respektivisht nuk kemi ndjekje penale të policëve, të cilët e kanë keqpërdorur detyrën e vet ose nuk e kanë kryer siç duhet.

RFE:
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni, a ka ndërmarrë masa në drejtim të pengimit të çfarëdo shkeljesh të të drejtave të njeriut në Maqedoni?

MIRJANA NAJCEVSKA:
Tash një kohë të gjatë, Komiteti i Helsinkit po përpiqet të futet në atë që quhet “in-servis training” ose stërvitje plotësuese, për futjen e të paktën, një pjese të policisë, në procesin e trajnimit lidhur me të drejtat e njeriut. Pastaj, përmes vëzhgimit të drejtpërdrejt, monitoringut të asaj që po ndodh, posaçërisht nga aspekti procedural gjatë arrestimit të njerëzve, gjatë arrestit dhe gjatë vuajtjes së dënmit në burg. Në një mënyrë më aktive Komiteti i Helsinkit, tashmë inicon disa raste para Porkurorit publik për ngritjen e procedurave penale kundër policëve, të cilët e kanë tejkaluar detyrën e tyre.



XS
SM
MD
LG