Ndërlidhjet

Shpresoj se serbët e Kosovës nuk do të bojkotojnë zgjedhjet e përgjithshme


"Mendoj se Mitrovica është një shembull negativ. Ndarja nuk shpie askund. Prandaj duhet kërkuar modele të bashkëpunimit të ndërsjellë" thotë, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Dusan Janjic, drejtor i Fondit për Marëdhënie Ndëretnike në Beograd. Zoti Janjic mori pjesë në një konferencë në Prishtinë, me ç'rast u debatua për situatën në Luginën e Preshevës dhe në Veriun e Kosovës.

RFE:
Zoti Janjiq, si do ta vlerësonit ju konferencën e parë të pasluftës, ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve që u mbajt pa ndërmjetësim ndërkombëtar?

DUŠAN JANJIĆ:
Ishte kjo konferenca e parë pa ndërmjetësim ndërkombëtar dhe që mbahet në Prishtinë dhe mendoj se kjo është një gjë e mirë edhe për faktin se në të morën pjesë edhe serbët nga Kosova edhe serbë nga Beogradi. Aty erdhën njerëz që nuk kanë funksione politike dhe qeveritare, pos disa serbëve nga Kosova, si dhe shumë figura relevante nga Kosova dhe mendoj se kjo ishte një punë e mirë. U dëshmua gjithashtu se, pavarësisht se dikujt mund t'i duket që janë përsëritur qëndrime të mëhershme, këtu janë diskutuar probleme të reja, ka probleme të reja dhe më duket se të gjithë janë të vetëdijshëm për një kornizë të re apo për një realitet të ri dhe tash rreth kësaj u shtruan posaçërisht dy çështje, d.m.th. Presheva dhe Mitrovica.
Sipas mendimt tim, dy gjëra janë më të vlefshmet; së pari, sa i përket Luginës se Preshevës, mendoj se ishte mendim i përgjithshëm se duhet shfrytëzuar situata aktuale e përshtatshme. Sa më parë, duhet realizuar një qasje për një proces të ndërtimit të institucioneve që do ta garantonin marrëveshjet. Pra, siç thanë edhe Riza Halimi e Edita Tahiri, duhen krijuar korniza politike dhe kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të njeriut edhe të shqiptarëve edhe të të tjerëve në Luginën e Preshevës.
Sa i përket Mitrovicës, mbretëron një bindje, se së paku është shprehur një pajtueshmëri se nuk do të duhej të përsëriteshin ngjarjet më ekstreme që kemi parë nga njëra apo nga pala tjetër; si provokimi i ndonjë aksioni të KFOR-it që nuk do të ishte i mirë. Personalisht shpresoj se gjatë ditëve të ardhshme do të gjendet ndonjë model që do ta zbusë ekstremizmin edhe nga pala serbe, dhe këto vrasje të fundit nuk do të kenë ndikim për destabilizimin e situatës së sigurisë. Mendoj se ishte mendim i përgjithshëm se Mitrovica është një shembull negativ dhe se ndarja nuk çon askund dhe se duhen kërkuar modele të bashkëpunimit të ndërsjellë. Qëllim i kësaj konference nuk ishte gjetja e zgjidhjes, por krijimi i një atmosfere dhe paraqitja e disa argumenteve.

RFE:
Zoti Janjiq, ka pasur disa qëndrime për zgjdihjen e krizës së atjeshme, Si e shihni ju zgjidhjen e problemit të Mitrovicës, problemin e ndarjes së saj?

DUŠAN JANJIĆ:
Nuk do të thosha ndonjë profeci po të thoja se zgjidhja është e lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës, pasi kjo vërtetë është e lidhur. Para se kjo të bëhet, hapat paraprak duhet të jenë në kuptim të përparimit të mëtejshëm të situatës së sigurisë së njerëzve dhe ndoshta edhe me arnazhmane të tjera institucionale.
Në të vërtetë unë mendoj se ishte shumë keq që serbët bojkotuan zgjedhjet lokale në Kosovë, por koha atëherë ishte e tillë. Shpresoj se ata nuk do të bojkotojnë zgjedhjet e përgjithshme dhe do të ishte mirë sikur të arriheshin disa masa për përsëritjen e zgjedhjeve lokale në Mitrovicë. Unë personalisht do të sugjeroja një zgjidhje hap pas hapi. Është fakt se njerëzit janë të ndarë por mund të bëhen plane ekonomike dhe mund të mendohet edhe për dy komuna që do të bënin bashkësinë e komunave, apo për një komunë të vetme që do të kishte dy dhoma, një dhomë e qytetarëve dhe një dhomë e kombeve. Ky është një qytet specifik që kërkon edhe aranazhmane specifike. Ka qytete të ndryshme në Evropë që kanë modele të ndryshme të autonomisë në kuptim të vendosjes specifike në raport me qytetet e tjera. Më mirë kjo se sa të ndodhë Mostari, apo Berlini që është varianti më i keq, që njerzit nga lumi të bëjnë urë. Pra mendoj se zgjidhja është në kombinim, në ndërtimin e lehtë të forcave multietnike të policisë lokale, përfshirë edhe korpuset dhe KFOR-it dhe e dyta në një aranzhman tjetër institucional për qytetin e Mitrovicës.

RFE:
Por, si e shihni ju rolin e Beogradit zyrtar lidhur me Mitrovicën dhe serbët e Kosovës?

DUŠAN JANJIĆ:
Pyetët për rrolin e Beogradit. Më duhet të them se Beogradi ka qëndrime të polarizuara rreth Mitrovicës. Beogradi ka një pushtet qendror që e përbëjnë 18 parti që kanë qëndrime të ndryshme. Ka në mesin e tyre të tillë që janë të fortë në bisedime dhe nuk pranojnë të bisedojmë, ka të tillë që thonë: të mendojmë në mënyrë pragmatike dhe mendoj se do të ndohë një gjë tjetër, që Beogradi ta bëjë një komrpomis në marrëveshje me UNMIK-un dhe me palën shqiptare. Nga ky këndvështrim, ekstremistët lokalë serbë do të duhej të mendonin pak më shumë për karrierat e tyre politike që duket se u janë shumë të rëndësishme, pra të mendojnë se çka do të ndodhë me ta kur Beogradi do ti lërë ata në baltë. Beogradi më nuk mund të luaj lojërat e luftës dhe Beogradi nuk ka më potencial dhe njerëzit, më sa di unë, thjesht janë të lodhur nga kjo.


XS
SM
MD
LG