Ndërlidhjet

Reagime pozitive të shumicës së liderëve botërorë për dorëzimin e Milosevicit në Hagë


Ministri i jashtëm rus, Igor Ivanov ka thënë se ky zhvillim, u konvenon “separatistëve në Kosovë dhe në Mal të Zi, që synojnë shkëputjen nga Federata Jugosllave”.

Dorëzimin e Millosheviqit në Hagë e kanë përshëndetur: presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, liderë të lartë të Britanisë së Madhe, të Francës, të Bashkimit Evropian…

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, pos tjerash, tha:

“Mendoj se pakkush ka menduar, se është e mundshme, që njëri nga njerëzit më me ndikim në Ballkan, tash është në kontrollin e gjyqit të Hagës. Kjo gjë do tu tregoj të gjithë liderëve, që abuzojnë pozitën e tyre, se në botën e sotme, populli i atyre shteteve dhe komuniteti ndërkombëtar do të kërkojnë përgjegjësi".

Ndërkaq, ministri i jashtëm rus, Igor Ivanov, për dorëzimin e ish presidentit jugosllav, Milosevic në Hagë, ka thënë:

“Një shqetësim që mund të hetohet në fjalët e presidentit jugosllav, Vojisllav Koshtunica, është se, dorëzimi i Millosheviqit në Tribunal, paraqet shkelje serioze të parimeve kushtetuese”.

Ai, poashtu, ka thënë se ky zhvillim u shkon përshtati vetëm “separatistëve në Kosovë dhe në Mal të Zi, që synojnë shkëputjen nga federata Jugosllave”.

Ndërkaq, sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, gjatë një konference për shtyp, dje në Jerusalem, lidhur me dorëzimin e Millohseviqit, pos tjerash, tha:

“Unë jam i kënaqur që ai i është dorëzuar drejtësisë dhe do të ballafaqohet me Tribunalin Ndërkombëtar për krime. Jam i kënaqur që presioni amerikan ka luajtur një rrol të konsiderueshëm në këtë zhvillim”.

Ai mëtutje ka përmendur edhe konferencën e donatorëve:

“Tash, kur ai është nën mbikqyrjen e autoriteteve të Hagës, e kemi më lehtë të ndihmojmë në konferencën e donatorëve dhe gjatë ditëve e javëve të ardhshme”.

Ndërsa, kryetari i Komitetit të Senatit amerikan për Marëdhënie të Jashtme, Jozef Biden, deklaroi:

“Dua ti them popullit serb: ju keni bërë veprim të drejtë. Ju keni bërë një veprim të drejtë për humanitet, për drejtësi. Keni bërë një veprim të mirë për vendin tuaj”.

XS
SM
MD
LG