Ndërlidhjet

SHBA-të ANGAZHOHEN NË MAQEDONI


Shkelzen Maliqi Është sidomos inkurajues vendimi i administratës së re amerikane, që të angazhohet në arritjen e paqes në Maqedoni. Deri më sot, konfliktet në Ballkan nuk kanë mundur të zgjidhen pa ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, dhe kështu do të duhet të jetë edhe në Maqedoni.

Që nga fillimi i konflikteve në Maqedoni ka qenë e qartë se kriza nuk mund të tejkalohet vetëm me presione politike. Si edhe konfliktet e mëparshme në ish Jugosllavi, edhe konflikti shqiptaro-maqedonas kërkonte një ndërmjetësim dhe intervenim më të vendosur të Perendimit, sa politik po aq edhe militar.
Më në fund, dështimi i përpjekjeve të njëpasnjëshme që të arrihet një kompromis politik i brendshëm krahas veprimeve të pakontrollueshme të militantëve nga të dy anët, i detyrojë faktorët ndërkombëtarë që të përcaktohen për një strategji intervenuese.
Ky orientim bëhet i qartë me vetë faktin e dërgimit të dy emisarëve special, të Fransoa Leotarit në emër të Bashkimit Europian, dhe Xhejms Pardju-s në emër të Shteteve të Bashkuara, të cilët do ta udhëheqin procesin negociator në Maqedoni. Krahas kësaj janë përgatitur edhe planet në selinë e NATO-s në Bruksel për dërgimin e forcave që do të garantonin realizimin e marrëveshjeve politike dhe sigurinë e Maqedonisë.

Është sidomos inkurajues vendimi i administratës së re amerikane, që të angazhohet në arritjen e paqes në Maqedoni. Deri më sot, konfliktet në Ballkan nuk kanë mundur të zgjidhen pa ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, dhe kështu do të duhet të jetë edhe në Maqedoni.
Një indikator tjetër i seriozitetit të angazhimit të ri të amerikanëve në rajon, është se administrata e Shteteve të Bashkuara, paralelisht me vendimin për dërgimin e emisarit special, ka shpallur edhe një paralajmërim serioz ndaj forcave ekstreme shqiptare jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë, si dhe në Perëndim.

Presidenti i SHBA-ve Xhorxh Bush urdhëroi ndalesën e mbledhjes së fondeve dhe të çdo forme të përkrahjes të forcave ekstremiste shqiptare. Pokështu, është botuar edhe një listë e zezë e personave non-grata, të cilëve u ndalohet udhëtimi në SHBA-të. Në këtë listë përfshihen edhe personalitete të jetës politike në Kosovë si dhe pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, për të cilët dyshohet se janë inspirues ose edhe drejtues të ekstremizmit shqiptar.
Identifikimi, me emra, i ekstremistëve shqiptarë, është një moment i ri në politikën ndërkombëtare ndaj krizës rajonale dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare. Faktorët ndërkombëtarë nuk kanë qenë pa sens për pozitën e diskriminuar dhe kërkesat politike shqiptare, si në Luginën e Preshëvës, ashtu edhe në Maqedoni. Kërkesat shqiptare për avancimin e pozitës së tyre, janë konsideruar të arsyeshme dhe si parakusht për tejkalimin e krizës. Mirëpo, nuk ka gjetur përkrahje insistimi, as në Luginën e Preshevës, e sidomos në Maqedoni, që statusi më i avancuar, të sigurohet me luftë të armatosur.

Edhe emisari i Bashkimit Europian, Leotar, si edhe ndërmjetësuesi i mëhershëm amerikan, Frowik, fillimisht ka insistuar në përfshirjen e UÇK-së në biseda, si parakusht për ndërprerjen e luftimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje politike që do ta stabilizonte Maqedoninë dhe rajonin. Kuptohet, qëllimi i ndërmjetësimit është ndërprerje e kryengritjes dhe demobilizmi i UÇK-së, ashtu siç ka ndodhur edhe në Luginën e Preshevës me UÇPBM-në.
Forcat ekstreme, që tani janë thirrur me emra, duhet të kujtohen se në kushtet ekzistuese nuk mund të realizohen qëlllimet maksimaliste shqiptare, dhe se për këtë ata nuk e kanë as përkrahjen e faktorëve politikë shqiptarë, e as të botës.
Disa prej atyre që janë përmendur në listën e zezë të amerikanëve, kanë deklaruar me indiferencë se ata do ta vazhdojnë punën e tyre, ashtu sikur që edhe perëndimorët e bëjnë punen e tyre. Kjo përgjigje arrogante, megjithatë, nuk çon shumë peshë në pozitën objektivisht inferiore të ekstremizmit shqiptarë në krahasim me fuqitë botërore të nagazhuara në krijimin e një rendi dhe sistemi të sigurie në rajon.

Dorëzimi i Milosheviqit në Tribunalin e Hagës, tregon se arroganca, edhe kur mbështet në fuqi shumë më të madhe se që aktualisht e ka në disponim ekstremizmi shqiptarë, jo që nuk jep fryte, por mund t’i kthehet si bumerang vetë protagonistëve të ekstremizmit.
Rajoni sot do paqe dhe stabilitet, dhe kjo do të arrihet gjithsesi me luftimin e çdo ekstremizmi. Në Maqedoni nuk do të ndëshkohet vetëm ekstremizmi shqiptar, por edhe ai maqedonas.
Dhe ky, sërish, do të jetë edhe një mësim shtesë për Kosovën, që tash po hynë në fazën vendimtare të stabilizmit dhe të ndërtimit të institucioneve vendore që do të fitojnë edhe mandatin e angazhimit për përcaktimin e statusit final të Kosovës.



XS
SM
MD
LG