Ndërlidhjet

logo-print

Suspendimi dhe stabiliteti


Edhe pse ka skeptikë që përhapin defetizëm për rolin e fuqive të mëdha, madje edhe të amerikanëve, megjithatë, dominon bindja se kompromisi i arritur në Luginën e Preshevës dhe ai që tani po negociohet në Maqedoni, shpiejnë drejt një solucioni më të favorshëm për Kosovën.

Suspendimi i pesë gjeneralëve të TMK-së ishte ngjarja kryesore e javës së kaluar në Kosovë. Për këtë masë të jashtëzakonshme, pas të cilës Shtabi i përgjithshëm i TMK-së mbetet pa disa nga eprorët kryesor dhe me ndikim të madh, nuk janë dhënë shpjegimet e hollësishme. Dhe, pokështu, nuk ka pasur as reagime të zëshme në opinion. Partitë politike dhe liderët nuk janë deklaruar për suspendimin.
Vetëm Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së doli me një deklaratë në të cilë shfaqet pakënaqësia me vendimin e UNMIK-ut dhe të KFOR-it. Në këtë kumtesë thuhet se suspendimi është bërë “pa ofruar fakte konkret” që do ta arsyetonin suspendimin e eprorëve dhe kërkohet “kthimi i tyre në detyrat e mëparshme”.
Gjeneral Agim Çeku, komandant i TMK-së, si dhe disa bashkëpunëtor të tij të ngushtë kanë ofruar dorëheqje nga postet e tyre, por ato janë kundërshtuar si nga Shtabi i përgjithshëm i TMK-së ashtu edhe nga faktorët ndërkobmëtarë.
Kriza aktuale në TMK, edhe pse ka nxitur spekulime të ndryshme, nuk ka shkaktuar shqetësime të mëdha. Gjendja në Kosovë kohëve të fundit është mjaftë stabile dhe gjithnjë e më e qetë.
Sa i përket spekulimeve, dhe këto jo pa mbështetje, në qarqet e informuara pohohet se suspendimi i eprorëve të TMK-së është bërë pas presioneve të amerikanëve, të cilë një javë më parë e kishin botuar listën e zezë të ekstremistëve shqiptarë, ndër ta edhe të eprorëve të TMK-së në fjalë, të cilëve u ndalohet hyrja në SHBA-të dhe çdo lloj veprimtarie që ka lidhje me mbledhjen e fondeve dhe suportin e kryengritjeve shqiptare, që parasëgjithash lidhen me konfliktin në Maqedoni. Supozohet se shërbimet e inteligjencës kanë njohuri për përkrahjen politike dhe logjistike të eprorëve të suspenduar TMK-së, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila zhvillon luftime në Maqedoni.
Më herët aleatët e SHBA-ve si dhe disa media akuzonin shërbimet sekrete amerikane se kanë nxitur dhe ndihmuar kryengritjet shqiptare në Maqedoni, si edhe më herët në Luginën e Preshevës. Insistimi i amerikanëve që të suspendohen dhe izolohen eprorët e lëvizjeve më ekstreme ndër shqiptarët, tregon se Shtetet e Bashkuara në të vërtetë nuk janë përkrahës të konflikteve të reja në Ballkan. Përkundrazi, qëllimi i tyre është arritja e marëveshjes politike edhe në Maqedoni, dhe kjo me konditat që do të garantonin një stabilitet më të madh të brendshëm të këtij shteti të brishtë.
Qëndrimi i faktorëve shqiptarë, në Kosovë dhe gjetiu, ndaj politikës amerikane nuk ka ndryshuar. Edhe pse dihet mirëfilli se pas suspendimit të eprorëve qëndron administrata amerikane dhe jo UNMIK-u dhe KFOR-i, partitë politike dhe vetë TMK-ja shprehen se gjithnjë janë në favor të bashkëpunimit me SHBA-të, duke e konsideruar si faktor dhe aleat kyç për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Këtu është vlerësuar shumë lartë sidomos deklarata e shefit të zyrës amerikane, Kristofer Dell, me rastin e shënimit të 4 korrikut, që ka qenë fjalë përshëndetëse e tij ngase e lëshon misionin në Prishtinë, në të cilën tërthorazi i dha përkrahje të fuqishme aspiratës së Kosovës për pavarësi.
Edhe pse ka skeptikë që përhapin defetizëm për rolin e fuqive të mëdha, madje edhe të amerikanëve, megjithatë, dominon bindja se kompromisi i arritur në Luginën e Preshevës dhe ai që tani po negociohet në Maqedoni, shpiejnë drejt një solucioni më të favorshëm për Kosovën.


XS
SM
MD
LG