Ndërlidhjet

GERT AHRENS: PANORAMA E ZGJEDHJEVE ISHTE POZITIVE


“Vëzhguesit ndërkombëtarë raportuan një numër serioz shqetësimesh përfshirë rastet e ndërhyrjes brutale të policisë, ndalimin e anëtarëve të komisioneve zgjedhore, manipulimin e votave. Kishte pra incidente serioze, por sipas vëzhguesve ato ishin të izoluara, ndaj në përgjithësi mund të themi se panorama e zgjedhjeve ishte pozitive” – thotë shefi i misionit në Shqipëri i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

RFE
Zoti Ahrens, cilat janë konkluzionet e institucionit tuaj lidhur me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri,- në raundin e parë dhe të dytë dhe cilat janë dallimet në krahasim me zgjedhjet e mëparshme?

AHRENS
Ne si OSBE nuk japim gjykimin tonë. Këtë e bën Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë, me të cilët kemi bashkëpunuar ngushtë. Ata thonë se nëse i shohim zgjedhjet në tërësi, vërehet progres sa i takon rajoneve administrative zgjedhore, paraqitjes së mediave dhe sjelljes gjatë fushatës. Sidoqoftë mbeten mjaft probleme, çka do të thotë se duhen bërë përmirësime me qëllim që të arrihen standardet ndërkombëtare. Më 8 korrik, shumë nga qendrat e votimit funksionuan në mënyrë profesionale që do të thotë se votimet proçeduan pa incidente. Por, vëzhguesit ndërkombëtarë raportuan një numër serioz shqetësimesh përfshirë rastet e ndërhyrjes brutale të policisë, ndalimin e anëtarëve të komisioneve zgjedhore, manipulimin e votave. Kishte pra incidente serioze, por sipas vëzhguesve ato ishin të izoluara, ndaj në përgjithësi mund të themi se panorama e zgjedhjeve ishte pozitive.

RFE
Cilat mund të jenë rrjedhojat e një raporti mbi mashtrimet elektorale që opozita e kryesuar nga zoti Berisha, mund të dërgojë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut me seli në Strazburg?

AHRENS
Deri tani nuk është dërguar asgjë në Strazbur, pasi së pari, me ankesat duhet të njihen e merren institucionet kombëtare. Na mbetet të shohim se si do të vazhdojë proçedura e ankesave me të cilat po merret Gjykata Kushtetuese. Misioni monitorues ka dokumentuar parregullsi për të cilat duhen bërë hulumtime të plota dhe të cilat do tu paraqiten autoriteteve. Parregullsitë kanë të bëjnë me zonat elektorale dhe protokollet, çështje këto që kanë ngritur shqetësime për rezultatin. Deri më sot, komisionet elektorale dhe gjykatat kanë dështuar në hetimin e këtyre rasteve. Pra, me një fjalë, kemi ende shumë punë për të bërë dhe raporti final do të përgatitet nga Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë maksimalisht një muaj pas zgjedhjeve. Në rastin konkret ato mund të zgjasin më shumë pasi diku zgjedhjet nuk janë zhvilluar fare ndërsa diku tjetër ato duhen përsëritur.
Nga ana tjetër këto zgjedhje shënojnë progres të qartë në krahasim me zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri. Kjo është vërejtur në administratën zgjedhore, Komisionin e Ri Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka bërë një punë thelbësisht të mirë. Ka, siç thashë, qasje relativisht më besnike të mediave ndaj fushatës apo sjelljes gjatë fushatës, e cila ishte, po të krahasohet me ato të mëparshmet, e çliruar nga fjalimet hakmarrëse. Në këtë kuptim them shënohet afrim ndaj standarteve ndërkombëtare. Partitë politike meritojnë të vlerësohen për vetë-përmbajtjen e tyre. Për parregullsitë apo çështjet e kontestueshme, le të shfrytëzohen kornizat institucionale dhe jo demonstrimet në rrugë.

RFE
Cilat vlerësoni se janë sfidat që do duhet të përballojë faktori politik shqiptar në të ardhmen?

AHRENS
Së pari: që Shqipëria duhet t’i afrohet strukturave euro-atlantike dhe Bashkimit Evropian. Vendi ka përparuar mjaft që prej vitit 1997, kur u shembën strukturat shtetërore dhe civile. Kjo është ajo që duhet të mbajë parasysh gjithë spektri politik shqiptar dhe kjo është arsyeja pse ne gjendemi këtu: pra të ndihmojmë shqiptarët të avancojnë në këtë rrugë. Bashkimi Evropian ka një grup punues të nivelit të lartë në Shqipëri i cili ka hartuar raporte disa muaj të shkuar, raporte të cilat janë optimiste rreth përparimeve në vend e në të cilat është thënë se zgjedhjet e tanishme do të jenë mjaft të rëndësishme për demokracinë shqiptare.


XS
SM
MD
LG