Ndërlidhjet

logo-print

GJINGJIQI DHE KOSOVA


Shkelzen Maliqi Nëse këto nisma që vijnë nga Beogradi mund të konsiderohen si pjesë e fushatës së paramenduar të qeverisë serbe për hapjen e çështjes së Kosovës, që mbështeten në një plan të caktuar, ende jo fort të qartë sa i përket përmbajtjes së tij, për palën kosovare mund të thuhet se ende nuk është e përgatitur që t’i përgjigjet kësaj fushate më ndonjë platformë të përbashkët dhe të artikuluar

Beogradi zyrtar diteve të fundit ka lancuar një sërë nisjativash të cilat e demonstrojnë dëshirën e autoriteteve serbe për një qëndrim më aktiv ndaj kësaj çështje delikate. Qeveria e Beogradit e bëri të ditur vendimin për ndërtimin e një baze ushtarake mes Preshevës dhe Bujanocit, per të cilën thuhet se do të jetë strehim i përkohshëm i forcve serbe që një ditë duan të kthehen në Kosovë. Pokështu, Beogradi dy ditë më parë kishte dërguar një konvoj me ndihma për serbët e Kosovës, i përcjellur nga shumë aktivistë politikë nga Serbia. UNMIK-u dhe KFOR-i ndaluan dhe kushtëzuan hyrjen e aktivistëve, dhe jo edhe të ndihmës, duke e arsyetuar këtë me reagimet e mundshme në Kosovë dhe sigurinë e tyre.

Ndërkohë, kryeministri serb Zoran Gjingjiq ka paralajmëruar se së shpejti do ta vizitojë Kosovën. Ai paralajmëroi takimet me Hashim Thaçin, kryetar i PDK-së dhe Agim Çekun, komandant i TMK-së. Sipas Gjingjiqit, qëllimi i takimeve të tij është mbeldhja e informatave për fatin e serbëve të zhdukur gjatë luftës, gjë që ai kohë më parë ua kishte premtuar anëtarëve të familjeve të tyre.

UNMIK-u ka konfirmuar kërkesën e kryeministrit serb që të vizitojë Kosovën, por nuk ka ende konfirmim për gatishmërinë e liderëve shqiptarë që të takohen me te. Përgjigjja e lidërëve shqiptarë me gjasa do të jetë negative, edhe pse ende nuk është e qartë se a është propozimi i Gjingjiqit i bërë krye në vete, apo në koordinim me faktorët ndërkombëtarë.
Përshtypja e parë është se Gjingjiqi e ka paralajmëruar vizitën më shumë për qëllime propagandistike. Supozohet se nisma e tij ka lidhje me vizitën e paralajmëruar të presidentit amerikan George Bush në Kosovë, që është caktuar më datën 24 korrik. Kryeministri Gjingjiq paralajmëroi vizitën e tij rreth datës kur edhe presidenti Bush do të qëndrojë në Kosovë, dhe kjo me gjasa për ta tërhequr vëmendjen e administratës amerikane dhe të opinionit ndërkombëtarë për faktin se qeveria serbe është e gatshme të zhvillojë bisedat me shqiptarët e Kosovës, por se ata janë pala që refuzon kontaktet dhe dialogun.

Në nderëkohë, edhe zëvendëskryeministri serb Nebojsha Çoviq, që përndryshe e ka marrë përsipër edhe rolin e koordinatorit kryesor të qeverisë serbe për çështjen e Kosovës, ka dalur me një nismë të re për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën, duke pohuar se ekziston vetëm një deriçkë e vogël nëpërmjet të cilës Serbia do të mund të kthehet në Kosovë dhe se ajo mundësi duhet të shfrytëzohet me mençuri duke i definuar, siç tha ai, qartë edhe interesat shtetërore serbe, edhe interesat dhe vullnetin e shqiptarëve. Konferenca në të cilën do të merrnin pjesë personalitetet e njohura dhe me ndikim nga Kosova, Serbia dhe bota, do të ndihmonte në përcaktimin e kornizave reale te interesave të shqiptarëve dhe serbëve, tha Coviqi.

Nëse këto nisma që vijnë nga Beogradi mund të konsiderohen si pjesë e fushatës së paramenduar të qeverisë serbe për hapjen e çështjes së Kosovës, që mbështeten në një plan të caktuar, ende jo fort të qartë sa i përket përmbajtjes së tij, për palën kosovare mund të thuhet se ende nuk është e përgatitur që t’i përgjigjet kësaj fushate më ndonjë platformë të përbashkët dhe të artikuluar. Forcat politike në Kosovë konsiderojnë se ende nuk janë përmbushur kushtet për fillimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Dhe kjo për dy e arsye. E para, ngase qeveria e Serbisë nuk i ka plotësuar parakushtet e domosdoshme për fillimin e dialogut - dy vjet pas përfundimti të konfliktit, nuk janë liruar nga burgjet në Serbi të gjithë pengjët e luftës dhe nuk është sqaruar fati i të zhdukurëve, numri i të cilëve është shumë më i madh se të zhdukurëve serbë, për fatin e të cilëve interesohet kryeministri Gjingjiq. Zbulimi i varesave masive të shqiptarëve në Serbi, është në fazat e hershme dhe Serbia zyrtare ende nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka pranuar përgjegjësinë dhe dëmshpërblimet për krimet dhe shkatërrimet e bëra në Kosovë.

Arsyeja e dyte e kundërshtimit të dialogut ka të bëjë me problemin e përfaqësimit të Kosovës. Subjektet politike kosovare hë për hë nuk duan që të marrin përgjegjësinë e zhvillimit të bisedave pa u përfunduar zgjedhjet e përgjithshme dhe pa u krijuar institucionet demokratike të Kosovës, të cilat do ta kanë edhe mandatin e përfaqësimit të interesave të Kosovës para botës.

Nga pikëshikimi i partive politike nga Kosova, propozimi i Çoviqit për mbajtjen e një konference sigurisht se është i parakoshshëm. Mirëpo, në Kosovë ka qarqe, sidomos të pavarura, në të cilat mendohet se fuqitë e mëdha, ndër to edhe amerikanët, të cilët gjithnjë kanë qenë në krye të nismave që lëvizin proceset, mbase kanë në plan mbajtjen e një konference parapërgatitore, me ambicie më të kufizuara, që nuk do të merrej me statusin e Kosovës. Qëllimi i kësaj konference do të ishte zgjidhja e problemeve praktike si dhe e çështjeve që e bllokojnë fillimin e dialogut më serioz. Në këtë kontekst edhe propozimi i Çoviqit do të bëhej më i kuptueshëm.

Mirëpo, gjithnjë mbetet çështje se a do të janë edhe subjektet politike shqiptare të gatshme për aprovimin e një forme më joobliguese të dialogut, për të cilin as opinioni i Kosovës nuk është i përgatitur sa duhet.


XS
SM
MD
LG