Ndërlidhjet

Paul Denig: Ata që janë përgjegjës për vdekjen e shtetasve tanë, duhet të nxirren para drejtësisë!


Alexandra Poolos Kufomat e tre shtetasve të Shteteve të Bashkuara, me origjinë shqiptare, ishin gjetur në varrezat masive në Serbi gjatë javës së fundit. Të tre vëllëzërit ishin anëtarë të Brigadës së Atlantikut, e cila përbëhej nga shqiptarët etnikë nga Amerika Veriore, që kishin shkuar në Kosovë për të luftuar së bashku me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Zbulimi i trupave të tyre ka tronditur komunitetin ndërkombëtar dhe autoritetet jugosllave. Rrjedhimisht, Uashingtoni ka kërkuar shpjegime për vdekjen e tyre.

Të tre vëllëzërit shqiptarë, kufomat e të cilëve u gjetën në varrezën masive afër qytetit të Serbisë, Petrovo Sello, ishin qëlluar në gjoks prej së afërti. Nëse analizat konfirmojnë identitetin e tyre, ata do të ishin shtetasit e parë amerikanë, trupat e pajetë të të cilëve, janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

Shumë detaje lidhur me vdekjen e tre vëllëzërve mbeten të pasqaruara. Ata ishin larguar nga shtëpia e tyre në Long Island në New York, në pranverë të vitit 1999, për të luftuar në Kosovë. Kur forcat e Nato-s u vendosën në Kosovë, në qershor të vitit 1999, tre vëllëzërit Bytyçi, Ylli – 24, Agroni – 23 dhe Mehmeti – 21 vjeçar, kishin përcjellë nënën e tyre nga Tirana në Prizren.

Atje, ata mësuan për përpjekjet e fqinjëve të tyre të kombësisë rome, për të ndihmuar nënën e tyre pasi forcat paramilitare serbe kishin depërtuar në çdo pjesë të Kosovës. Në atë kohë, shqiptarët e Kosovës konsideronin se shumë romë kishin bashkëpunuar me Serbët gjatë luftës. Për këtë arsye, shumë romë kishin braktisur Kosovën.

Vëllëzërit Bytyçi ishin pajtuar që të përcillnin tre romë nga Prizreni në Serbi, në shenjë falënderimi për ndihmën që romët i kishin ofruar nënës së tyre.

Pasi kaluan kufirin e Serbisë, të tre vëllëzërit arrestohen për hyrje ilegale në Serbi.

Natasa Kandic nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se ata ishin dënuar me nga 15 ditë heqje lirie dhe ishin dërguar në burgun e Prokuples. Më 8 Korrik të vitit 1999, katër ditë para skadimit të dënimit, tre vëllëzërit u morën nga dy persona, që nuk ishin të uniformuar. Prej kësaj dite vëllëzërit më nuk janë parë të gjallë.

Natasa Kandic thotë se ministria e Brendshme e Serbisë ishte drejtëpërdrejt e involvuar në zhdukjen dhe në vdekjen e mëvonshme të tre vëllëzërve:

- Në këtë rast, drejtori i burgut ka thënë se Ministria e Brendshme nga Beogradi kishte thënë se dikush do të vijë për ti marrë me vete vëllëzërit Bytyçi. Pas dy vitesh ne mësuam se Ministria e Brendshme nuk ka lejuar involvimin e oficerëve lokalë në përcjelljen e vëllëzërve për në Kosovë. Prandaj, në këtë rast, përgjegjësia i bie Ministrisë së Brendshme.

Fatos Bytyçi, 22 vjeçar, vëllai i të vdekurve, është në Prishtinë dhe pret që të shkoj në Serbi, për të identifikuar trupat e vëllëzërve të tij. Ai thotë se vëllëzërit, herën e fundit, i kishte takuar në Shqipëri.
Fatosi tregon se si nëna e tij kishte shkuar në Prokuple për ti vizituar djemtë e saj në burg. Atje i ishte thënë se vëllëzërit tashmë ishin liruar dhe ishin përcjellë për në Shtetet e Bashkuara. Por e vërteta ishte se ata, në atë kohë, gjendeshin në duart e dy personave pa uniforma zyrtare.

Paul Denig është zëdhënës i ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Beograd. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të bëjnë presion në autoritetet e Serbisë për të dhënë më tepër informacione për vëllëzërit. Ai thotë se vdekja e tyre paraqet një krim serioz, veçanërisht për shkak se ata ishin vrarë pasi lufta në Kosovë kishte përfunduar.

Paul Denig thotë:

- Ne kemi biseduar disa herë me autoritetet serbe dhe u kemi bërë të qartë se do të dëshironim të shohim hetime të plota. Ata që janë përgjegjës për vdekjen e shtetasve tanë, duhet të nxirren para drejtësisë. Mendoj se takimi ynë me ministrin e brendshëm serb, Mihajlloviq, tregoi se ai e kupton rëndësinë e situatës dhe po vazhdon me hetime.

Denig nuk deshi të spekuloj se përse vëllëzërit Bytyçi ishin vrarë pasi konflikti kishte përfunduar. Por Natasa Kandic nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se, beson se arsyeja është e qartë:

- Nuk mund të them asnjë arsye tjetër pos se ata ishin shtetas amerikanë dhe se në atë kohë (fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut) propaganda serbe kundër Shteteve të Bashkuara ishte e një niveli tejet të lartë. Mendoj se ishte vendim kundër Shteteve të Bashkuara, kundër shtetasve amerikanë, se gjoja kishin shkuar në Kosovë për të luftuar kundër serbëve.

Zyrtarë serbë kanë hedhur poshtë përgjegjësinë për vdekjen e vëllëzërve Bytyçi. Por minsitra qeveritarë kishin pranuar se vëllëzërit kishin qenë në duart e policisë në momentin kur ishin zhdukur dhe se vrasjen e tyre e kishin cilësuar si një “krim serioz të jashtëzakonshëm”.
XS
SM
MD
LG