Ndërlidhjet

Shpëtimi i Maqedonisë


WASHINGTON POST Si shumë herë deri më tash në Ballkan, çmimi i intervenimi në planin ushtarak dhe diplomatik do të jetë i lartë dhe si më parë, dështimi për të paguar këtë çmim - tash - me gjasë, do të thotë të paguash çmim edhe më të lartë më vonë.

Lufta civile këtë javë sërish ishte buzë shpërthimit në Maqedoni, në vendin e vogël ballkanik, me potencial për të krijuar probleme të mëdha për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.
Intervenimi i zyrtarëve të NATO-s, deri më tash mezi ka shpëtuar paqjen, por intervenimi i Perendimit – diplomatik dhe ushtarak – është i domosdoshëm për t’i dhënë fund konfliktit.

Diplomacia intensive perendimore tash është e domosdoshme për të evituar formën e shpërthimit, që kohë më parë kishte shkatërruar Bosnjen dhe Kosovën, dhe një gjë e tillë do të kërkoj gjithashtu një angazhim më të madh të NATO-s.
Nëse Maqedonia një herë shpërbëhet, mund të dëshmohet si e pa mundur për t’u ribërë. Refugjatët tashmë janë duke krijuar linjat etnike, gjë që mund të shpie drejt ndarjes së sllavo-maqedonasve dhe shqiptarëve në dy enklava teritoriale të armiqësuara.

Një ndarje e tillë de fakto për Perendimin do të ishte katastrofë: ajo - jo vetëm që do të kërkonte një angazhim tjetër afatgjatë të forcave paqëruajtëse, por me të madhe do të komplikonte edhe problemin, përkatësisht çështjen se çfarë përgjegje t’u jepet shqiptarëve të Kosovës në kërkesën për sovranitetin e plotë.
Pas përpjekjeve së pa-sukseshme të diplomatëve evropianë që prinin në Maqedoni, administrata e Bushit dërgoi emisarin e rrespektuar special, Xhejms Perdju, i cili vazhdoi punën me përfaqësuesin evropian, Fransoa Leotar.
Intervenimi amerikan është i rëndësishëm për lidershipin shqiptar – çoftë politik, çoftë ushtarak – i cili pas luftës në Kosovë, sheh Shtetet e Bashkuara si një aleat dhe mbrojtës, por negociatorët perendimor janë ballafaquar me rrezistencë të fuqishme nga ana e sllavo - maqedonasve, të cilët të angazhuar në mbijetesën e një komuniteti, gjuhën dhe emrin e të cilit refuzojn ta njohin fqinjët, siç janë Greqia dhe Bullgaria, nuk janë të prirur për t’i akceptuar shqiptarët si të barabart në shtetin e tyre.

Shpëtimi i Maqedonisë, nëse një gjë e tillë është e mundur, me gjasë do të kërkojë përpjekje të jashtëzakonshme, gjë që administrata e Bushit dëshiron ta shmang në Ballkan.
Trupat amerikane do të duhet të jenë të dukshme në mesin e çfardo force që do të vendoset për të çarmatosur kryengritësit ose zbatuar marrëveshjen.

Si shumë herë deri më tash në Ballkan, çmimi në planin ushtarak dhe diplomatik do të jetë i lart; dhe si më parë, dështimi për të paguar këtë çmim - tash - me gjasë do të thotë të paguash çmim edhe më të lart më vonë.
XS
SM
MD
LG