Ndërlidhjet

James Hooper: Në Maqedoni nuk ka zgjidhje ushtarake të krizës


"Kosova duhet ti njohë kufijtë me Maqedoninë, në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar të mos mendoj se liderët e zgjedhur, po përpiqen të krijojnë Kosovën e Madhe, që do të përfshinte Bashkësinë Shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni; ky do të ishte një gabim" - thotë James Hooper, ekspert amerikan i çështjeve ballkanike.

RFE
Situata në Maqedoni është shumë e rrezikshme, megjithë bisedimet e liderëve politikë. Bashkësia Ndërkombëtare thotë se nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë krizë. Si i përshkruani Ju pozicionimet aktuale atje?

JAMES HOOPER
Unë besoj se, sipas asaj që po shohim, komuniteti sllavo-maqedonas duhet të bëj një zgjedhje fundamentale për të ardhmen e vendit, nëse ai dëshiron ta mbajnë shtetin e përbashkët. Unë sinqerisht mendoj se ai do ta bëjë këtë, për të mirën e të gjithëve dhe për të mirën dhe stabilitetin e rajonit. Unë besoj se shteti i përbashkët është domosdoshmëri.

Por, nëse dëshirojnë ta mbajnë shtetin e përbashkët, sllavo – maqedonasit duhet të jenë të përgatitur ti japin disa nga monopolet e kontrolluara shtetërore dhe realisht ta ndajnë pushtetin me pakicën shqiptare.

Pakica shqiptare numëron përafërsisht 30 deri në 40% të popullatës. Përqindja është më e madhe se sa që thonë shifrat zyrtare – përafërsisht 25%. Por, sllavo-maqedonasit nuk kanë vullnet ta ndajnë pushtetin në mënyrë të rëndësishme me minoritetin shqiptar. Mendoj se të moderuarit në Maqedoni kanë qenë të gartshëm ta bëjnë këtë. Problemi qëndron në nacionalistët maqedonas, që mbështeten nga kryeministri, Georgievski dhe në disa raste, nga presidenti Trajkovski dhe një numër i personave në ushtri, që vazhdojnë të thonë se ata besojnë se UÇK-në do ta shkatërrojnë me aksione ushtarake. Unë nuk besoj se diçka e tillë është e mundshme. Këtë e ka konkluduar edhe Komuniteti Ndërkombëtar. Aksionet ushtarake vetëm se do të çojnë në luftë civile ose, në disa raste, në ndarje të dhunshme. Kjo nuk është zgjidhje. Por për këta nacionalistë, që synojnë të mbajnë monopolin në kontrollin e shtetit nga ana e sllavo-maqedonasve, kjo është zgjidhja e preferuar e tyre. Komuniteti ndërkombëtar e rreziston këtë. Për këtë arsye, nacionalistët maqedonas, ishin të fokusuar kundër simboleve të Komunitetit Ndërkombëtar; kundër ambasadave, përfshirë këtu edhe ambasadën Amerikane dhe zyra të tjera diplomatike.

RFE
Si e shpjegoni këtë situatë… këtë ndjenjë anti-përëndimore?

JAMES HOOPER
Nacionalistët maqedonas, të udhëhequr nga kryeministri Georgievski, përfshirë këtu edhe persona nga ushtria dhe Ministria e Mbrojtjes dhe disa politikanë ekstremistë, kishin vendosur që ata nuk do të japin diçka nga monopoli i kontrollit të shtetit. Ata mendojnë, në fakt, se përëndimi është ai që kërkon ndarjen e pushtetit sepse përëndimi përkrahë ruajtjen e shtetit të përbashkët.

Por, përëndimi, poashtu, dëshiron që të përfundoj diskriminimi i pakicës shqiptare në Maqedoni. Prandaj nacionalistët maqedonas u sulën kundër ndërkombëtarëve, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Nato-s dhe kundër përfaqësuesve komercialë, që janë simbole të përëndimit.

RFE
Çfarë është pikëpamja juaj për të ardhmen e shqiptarëve dhe të sllavo-maqedonasve në Maqedoni?

JAMES HOOPER
Unë besoj se ka politikanë të mirë, të moderuar, në mesin e shqiptarëve dhe të sllavo-maqedonasve. Nëse të moderuarit dalin në skenë, mendoj se mund të bëhet punë. Sinqerisht, kërkohet që për vazhdimin e mbajtjes së shtetit të përbashkët në Maqedoni, për shumë gjëra, duhet të arrihet pajtimi – edhe si rezultat i përpjekjeve diplomatike të zoti Pardew dhe Leotard, që, në mënyrë efektive, tregon bashkëpunimin amerikano-evropian në aspektin diplomatik në Maqedoni.

Çështje për të cilën nuk ekziston pajtueshmëria është përdorimi i gjuhës shqipe. Siç thashë, shqiptarët përbëjnë ndërmjet 30 dhe 40% të popullatës dhe mendoj se është në rregull që të bëhet diçka për përdorim më të gjërë të gjuhës shqipe. Por, nëse kjo gjë nuk bëhet – unë kësaj i frikësohem – nëse ekstremistët në anën sllavo-maqedonase vazhdojnë të udhëheqin dhe të jenë të përgatitur për përdorim të forcës ushtarake për të punuar kundër zgjidhjes me negociata, atëherë ideja e shtetit të përbashkët bëhet e pamundur. Atëherë mund të kemi edhe federalizim të shtetit, në të cilin komunitetet do të jetojnë pranë njëri tjetrit, por jo njëri me tjetrin, ndërsa teknikisht do të ishin në shtetin e njejtë. Ose, do të ndodhë një lloj ndarjeje. Unë mendoj se këto nuk janë përfundime shumë të arsyeshme… nuk janë përfundime stabilizuese për rajon.

RFE
Zoti Hooper, aktualisht në Kosovë, zyrtarët ndërkombëtarë dhe partitë lokale politike po bëjnë përgatitje për zgjedhjet e përgjithshme në Nëntor.

Meqë ju keni qenë në Rambuillet, dëshiroj t’ju pyes çfarë është mendimi juaj për situatën e përgjithshme dhe për kornizën juridike atje?

JAMES HOOPER
Mendoj se këto zgjedhje do të kenë rëndësi të madhe sepse më në fund, në Kosovë do të ketë autoritete që vetëqeverisin. Për fat të keq, ato mbahen tash, por realisht, ato është dashur të mbahen para një ose para një viti e gjysmë.

Ato do të mbahen në Nëntor, kur do të bëhen më shumë se dy vjet pas arritjes së forcave të Nato-s në Kosovë – dhe unë mendoj se është shumë vonë.

Megjithatë, zgjedhjet, më në fund do të mbahen, në mbarë Kosovën, për autoritetet vetëqeverisëse. Mendoj, se do të jetë esenciale, që liderët e rinjë, të zgjedhur, që do të marrin postet më Një Janar, e kanë mandatin e popullit të Kosovës. Shpresoj, para se gjithash, se serbët etnikë në Kosovë do të marrin pjesë në zgjedhje. Kjo do të ishte shenjë e mirë, nëse ata janë të gatshëm të punojnë në mënyrë më konstruktive se deri më tash.

Por, mendoj se komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Evropianët, presin që shqiptarët, që kuptohet se do të kenë shumicën e kontrollit në Qeveri, do të shfrytëzojnë realisht autoritetin që e kanë. Ndërkombëtarët duhet tu japin atyre më shumë nga autoriteti i tyre, që të mundësohet puna e kësaj vetëqeverisjeje.

Mendoj se gjëja më e mirë dhe më konstruktive që mund të ndodhë për Kosovën, është që, më në fund, shqiptarët dhe serbët e zgjedhur në mënyrë demokratike, do të punojnë së bashku, në Qeverinë me shumicë shqiptare, për krijimin e kushteve për ecjen e Kosovës kah e ardhmja.

Pikëpamja ime personale është që Qeveria e re, punën më të mirë që do ta bënte, është që në Parlament të miratoj një rezolutë, në të cilën thuhet se Kosova është e pavarur. Mendoj se në këtë aspekt, ndërkombëtarët po gabojnë. Çdokush e dinë se shqiptarët në Kosovë e dëshirojnë pavarësinë. Unë mendoj se do ta kenë pavarësinë – brenda një periudhë kohore.

Është e nevojshme që ata të tregojnë se do të qeverisin në mënyrë efektive, se do të kenë forca efektive policore dhe se do të kenë pjekuri politike që çështjen e pavarësisë të mos e qesin, menjëherë, si çështje të parë në agjendë, por të punojnë që të zgjërojnë mundësitë dhe të marrin sa më shumë autoritet për vetvete, nga ana e Komunitetit Ndërkombëtar.

Pastaj, mendoj se ata do të ecin kah pavarësia. Çdokush e kupton se pavarësia do të vijë. Kjo gjë do të bëhet, më shpejtë dhe me përkrahjen e Bashkësisë Ndërkombëtare, nëse bëhet trajtim konstruktiv, pozitiv dhe respektim i minoriteteve në Kosovë dhe nëse tregohet përkushtim për demokraci dhe për procese demokratike.

Kosova duhet ti njohë kufijtë me Maqedoninë, në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar të mos mendoj se liderët e zgjedhur, po përpiqen të krijojnë Kosovën e Madhe, që do të përfshinte Bashkësinë Shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni. Ky do të ishte një gabim.




XS
SM
MD
LG