Ndërlidhjet

logo-print

JEMI KUNDER STRUKTURAVE PARALELE


Dan Everts, shef i Misionit te OSBE-se ne Kosove

RFE:
Zoti Everts, këtë javë nënshkruat një marrëveshje me Komisariatin serb për Refugjatë, për vëzhgimin e procesit të regjistrimit të votuesve për zgjedhjet e nëntorit në Kosovë. Kjo gjithsesi mbetet disi e paqartë. A mund të na shpjegoni ju lutem për cfarë koncensionesh bëhet fjalë?

DAN EVERTS:
Kjo është shumë e rëndësishme për ata vetë, serbët, sepse i lejon të marrin pjesë në proceset demokratike këtu. Regjistrimi i serbëve në Serbi, përfshin IDP apo personat e zhvendosur në brendësi, siç quhen ndryshe dhe ne po punojmë me komisariatin për regjistrimin e tyre. Komisariati kërkoi të bënte kopje për secilin formular regjistrimi, gjë që sigurisht është një shkelje e sekretit të të dhënave personale. Ne nuk e lejuam një gjë të tillë dhe arritëm në një kompromis. Jemi përballur me mungesë besimi nga ana e autoriteteve të Beogradit në lidhje me aftësinë tonë në përpunimin e të dhënave. Ndaj unë u kam ofruar organizatave serbe, ashtu siç i kam ofruar gjithë botës, të monitorojnë procesin e regjistrimit nga fillimi deri në fund. Ata mund të vijnë në Prishtinë për të parë se si po funksionon krijimi i bazës së të dhënave këtu, apo në Vjenë ku përpunohen formularët e rregjistrimit nga Gjermania apo Zvicra. Kështu, kompromisi është që autoritetet serbe të monitorojnë të gjithë procesin, por u kemi bërë të qartë se të dhënat personale, mbeten nën mbikqyrjen tonë dhe nuk mund të shihen pasi kjo bën pjesë në mbrojtjen e të dhënave.

RFE:
Sipas kritereve të përcaktuara nga OSBE-ja, do të regjistrohen si qytetarë të Kosovës edhe rreth 50 mijë serbë etnikë të ardhur nga Kroacia dhe Bosnja në vitet ‘95-’96 ?

DAN EVERTS:
Ajo që ne po bëjmë tani, është regjistrimi i votuesve për këto zgjedhje dhe shtetësia e tyre nuk është shqetësimi ynë. Ata janë shtetas jugosllav dhe do ta ruajnë këtë shtetësi. Çështja është, cilët qytetarë do të kenë të drejtën e votimit? Për këtë ata duhet të plotësojnë disa kritere: duhet të jenë të lindur këtu apo të kenë prindër të lindur këtu, ose të provojnë se kanë jetuar këtu për 5 vite me rradhë. Nëse plotësojnë njërin prej këtyre kritereve, atëhere ata do të kenë të drejtën e votës.

RFE:
Po si qëndron puna me mbi 400 mijë shqiptarët e emigruar nga Kosova për në Europën Perëndimore para vitit ’95 ? A do të mund të përfitojnë edhe ata nga procesi i tashëm i regjistrimit?

DAN EVERTS:
Ata të cilët janë larguar para zhvendosjeve kryesore të popullsisë, të themi përpara luftës, pra para datës 1 janar 1998, e kanë të drejtën e votës, por duhet të vijnë këtu për tu regjistruar. Pra, njerëzit që ju i referoheni mund të vinë dhe të regjistrohen. Kurse serbëve të Kosovës të cilët janë larguar pas luftës dhe të cilët nuk mund të vinë këtu për shkaqe sigurie, u kemi krijuar mundësinë të regjistrohen dhe të votojnë jashtë Kosovës. Ndërsa ata që janë larguar para luftës, veçanërisht shqiptarët e Kosovës, kanë një situatë të ndryshme. Ata mund të kthehen në Kosovë, ku kanë familjarët dhe pronat e tyre. Shumë prej tyre kanë vepruar në këtë mënyrë. Kanë ardhur dhe janë regjistruar si banorë të rregullt të Kosovës dhe kanë marrë dokumente udhëtimi të UNMIK-it.

RFE:
Në përfundim të kompletimit të listave të regjistrimit, sa gjykoni do të jetë, me përafërsi, raporti mes popullatës serbe dhe asaj shqiptare në Kosovë?

DAN EVERTS:
Jo, kjo nuk është një procedurë në të cilën pyeten njerëzit për përkatësinë e tyre etnike. Qëllimi ynë është të mos përqëndrohemi në përkatësinë etnike, por t’i inkurajojmë të gjithë t’i bashkohen këtij procesi si banorë të Kosovës. Ana e mirë e kësaj është se të gjithë komunitetet kanë vendosur t’i bashkangjiten këtij procesi, turqit kosovar, boshnjakët, goranët, romët, ashkalijtë dhe besoj se do të marrin pjesë edhe në zgjedhje. Problem janë serbët e Kosovës që ne dhe autoritetet e Beogradit po i inkurajojmë të regjistrohen, por pjesmarrja e tyre në zgjedhje nuk është ende e sigurtë. Shpresojmë se ata do të marrin një vendimin të zgjuar për arsye se është e padrejtë që ta izolojnë veten. Përkundrazi, ata duhet të përfshihen në këto procese.

RFE:
Deri tani misioni i OSBE-së në Kosovë, ka luajtur rolin jo vetëm të monitoruesit por kryesisht të organizuesit. A do të ndryshojnë kompetencat tuaja pas zgjedhjeve të nëntorit?

DAN EVERTS:
Ne këtu kemi marrë pjesë në një proces konstruktiv. Ky ka qenë roli ynë kryesor. Ndaj dhe kemi marrë pjesë në formimin e policisë së Kosovës i cili mund të konsiderohet një sukses. Kemi përgatitur rreth 4000 policë burra e gra, si një forcë multietnike ku ka 10 % serb dhe përfaqësues nga komunitetet e tjera të vogla. Ky është një nga kontributet tona i cili do të vazhdojë më tej. Kemi ndërtuar gjithashtu institucione për të përgatitur gjyqtarë, prokurorë dhe për të rritur aftësitë e sistemit të drejtësisë. Gjithashtu kemi dhe një rol të rëndësishëm në media. Kemi kontribuar në një televizion publik të pavarur, stafi drejtues i të cilit është i gjithi jo zyrtar dhe jashtë strukturave qeveritare ndaj është vërtet i pavarur. Gjithashtu ka dhe një numër gjërash të tjera me të cilat merremi, e ku sigurisht përfshihen dhe zgjedhjet. Kontributi ynë në të gjitha këto do të vazhdojë edhe pas 17 Nëntorit.

RFE:
Të kthehemi tek kontaktet që ju keni pasur me palën serbe dhe zëvendës-kryeministrin Nebojsha Coviq…Çfarë prisni ju nga formacioni i deklaruar para pak ditësh, e kam fjalën për Komisionin për Zbatimin e Programit për Kosovën?

DAN EVERTS:
Ne presim që aktiviteti i këtij komisioni të bashkërendohet me aktivitetin e UNMIK-ut i cili është autoriteti kryesor këtu në Kosovë dhë është përgjegjës për administrimin. Ne shpresojmë që ky komision të kontribuojë në vendosjen e një dialogu pa marrë përsipër rolin e bashkë administratorit, sepse kjo është e pamundur në rezolutën 12-44. Ndaj duhen përgatitur disa kufinj për aktivitetin e këtij komisioni. Por në krijimin e një dialogu dhe besimi të dyanshëm ky komision mund të jetë një ndihmesë.

RFE:
Pala shqiptare i druhet krijimit të strukturave paralele në Kosovë? Në një rast të tillë, c’masa do të ndërrmirrnit ju?

DAN EVERTS:
Besoj se kjo është e qartë…nuk është e justifikueshme, sepse ne nuk duam struktura paralele në Kosovë qoftë të shqiptarëve apo të serbëve. Siç e dini, ne ja dolëm të eliminonim strukturat paralele shqiptare dhe ata vetë bashkëpunuan mjaft në këtë drejtim. Kështu, në mënyrë të ngjashme, struktura paralele serbe, ekzekutive ose administrative, nuk mund të lejohen. Ato duhet të integrohen me strukturat ekzistuese. Ndaj ne i shkujarojmë të gjitha këto lloj inciativash.

RFE:
Dhe së fundi zoti Everts, personalisht, a besoni se mund të arrihet një zgjidhje kompromisi mes palësh me vullnetin për të realizuar objektiva diametralisht të kundërta, i referohem kërkesës së shqiptarëve për një shtet kosovar dhe synimit serb për të mos lejuar pavarësimin e Kosovës?

DAN EVERTS:
Po ekzistojnë vërtet opinione të kundërta, por fatmirësisht ne duhet të përqendrohemi në të ardhmen e afërt, dhe e ardhmja e afërt përcaktohet nga rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara që do të thotë se territori ndodhet nën autoritetin e Kombeve të Bashkuara por me një shkallë të lartë institucionesh vet-qeverisëse. Ndaj, as ideja e pavarësisë dhe as integrimi me Serbinë, ende nuk janë shtruar për zgjidhje. Unë mendoj se, në vitet në vazhdim, duhet të përqendrohemi në ndërtimin e një shoqërie të vërtetë demokratike, ku çdo komponent të luajë rolin e duhur, në respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore. Këtu mendoj se duhet të përqendrohemi dhe kjo do të bëjë që të gjitha komunitetet të afrohen me njëra tjetrën. Është mjaft e vërtetë që ekzistojnë divergjenca të rënda midis komuniteteve, ndaj duhet të punojmë për të ngritur gradualisht urat ndërmjet tyre. Problemi është se nuk është e lehtë të kapërcehet e shkuara shumë e hidhur.
XS
SM
MD
LG