Ndërlidhjet

logo-print

ESENCA E MARRËVESHJES – NDRYSHIME POLITIKE DHE ÇARMATOSJE


Ndryshimet kushtetuese do të bëhen në afat prej 45 ditësh pas nënshkrimit të marrëveshjes, prandaj mund të flitet maksimalisht për një proces, i cili do të shkojë me siguri paralelisht; ndryshime politike – çarmatosje, sepse vetëm në atë mënyrë do të sigurohet sukses në implementimin e paqes në Maqedoni. Dhe sigurimin dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve njëherë e përgjithmonë - definitivisht, tha Xhevdet Nasufi nga Partia Demokratike Shqiptare dhe pjesëmarrës në bisedimet e Ohrit.

RFE
Duket se sot në Ohër ishte një ditë e vendimeve tejet të rëndësishme për Maqedoninë. A mund të na përshkruani momentin e nënshkrimit të marrëveshjes, duke pasur parasysh se raportohej se atmosfera ishte e ngarkuar me incidentet që ndodhën sot e dje.

XHEVDET NASUFI
Mjerisht është me vend konstatimi juaj se dje dhe sot takimi në Ohër është përcjellë me atmosferën e ngjarjeve, të cilat, siç duket, dikush në mënyrë të kujdeshme është përkujdesur që t’i inskenojë. Prej orëve të mëngjesit i jemi qasur punës seriozisht dhe me pergjegjësi, veçanërisht blloku politik shqiptar, duke qenë kështu në funksion të paqes, në funskion të asaj që është mirëqenie e njerëzve këtu dhe të këtij shteti. Sot faktikisht e parafuam Marrëveshjen për zgjidhjen paqesore të konfliktit dhe krizës politike dhe juridike në Maqedoni.

RFE
Agjencitë e lajmeve kanë bërë të ditur se nënshkrimi përfundimtar do të bëhet të hënën e ardhshme. A mund të na thoni se çka do të thotë kjo?

XHEVDET NASUFI
Situata është njëmend tejet e tensionuar. Vrasja e djeshme në gjumë e shqiptarëve në Shkup, në fakt, ka indinjuar popullatën dhe si rrjedhojë e kësaj sot kemi edhe një situatë tjetër po ashtu, e cila është në kuadër të asaj që quhet luftë. Megjithatë, faktori ndërkombëtar, me përgjegjësinë që ka në këtë konflikt, sot arriti - bashkarisht me ne - të realizoj këtë marrëveshje. Pavarësisht nga gjendja e vështirë e krijuar, përmes së cilës tentohet të pengohet procesi i paqes, neve sot, megjithatë, gjetëm fuqi, gjetëm edhe vullnet politik që t’i paraprijmë dhe të pengojmë qëllimet e këtilla të errëta, me qëllim që t’i dalim paqes përballë.

RFE
Zoti Nasufi kërkesat kryesore të bllokut politik shqiptar ishin çështja e gjuhës dhe ajo e modaliteteve të policisë. A mund të na njihni me detajet që parashihen në këtë marrëveshje, lidhur me këto çështje?

XHEVDET NASUFI
Me plotë koshiencë theksoj se blloku politik shqiptar, veçmas ne që kemi qenë aty prezent, plotësisht e kemi ruajtur substancën, fokusin e kërkesave tona. Dhe mendoj se gjuha shqipe tani në fakt është gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni. Gjuha shqipe do të jetë mjet komunikimi, qe ka qenë mollë e ndaluar me vite ndër ne, do të përdoret në organet e gjithë pushtetit lokal, do të përdoret në dokumentet personale. Kjo është një fitore, një sukses i demokracisë i civilizimit bashkëkohor. Njëkohësisht nëpërmjet policisë, instalimit të policisë me përbërje multinacionale, e cila do t’i përgjigjet përbërjes së popullatës, ne kemi arritur të sigurojmë një status në një segment të ndieshëm, siç është policia, në të cilën, me vite, me dekada, janë bërë konstruksionet më të errëta ndaj shqitarëve, që sot në gjithë atë polici, në mënyrë aktive, të hyjnë shqiptarët. Po ashtu jemi nën përkujdesjen, që në këtë segment të veprimtarisë së shtetit, të sigurojmë prezencën e faktorit ndërkombëtar si një nga mjetet për demolimin e konceptit të vjetër të këtij segmenti të ndieshëm shoqëror.

RFE
Çka mund të na thoni lidhur me kërkesën e djeshme të palës maqedonase, pra të bllokut maqedons, për fillimin e procesit të çarmatimit të pjesëtarëve të gueriljes shqiptare, para se Marrëveshja politike të ratifikohet në Kuvendin e Maqedonisë.

Xhevdet Nasufi
Ky është absurd. Pikësepari, fundi i fundit, një kërkesë e tillë nuk është në kuadrin e dokumentit-kornizë. Nga ana tjetër, faktikisht, zgjidhjes së krizës në Maqedoni i paraprijnë marrëveshja politike - në të cilën çështje me peshë të veçantë janë ndryshimet kushtetuese. Ato ndryshime kushtetuese do të bëhen në afat prej 45 ditësh pas nënshkrimit të marrëveshjes, prandaj mund të flitet maksimalisht për një proces, i cili do të shkojë me siguri paralelisht; ndryshime politike – çarmatosje, sepse vetëm në atë mënyrë do të sigurohet sukses në implementimin e paqes në Maqedoni. Dhe sigurimin dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve njëherë e përgjithmonë - definitivisht.
XS
SM
MD
LG