Ndërlidhjet

FRANCOIS LEOTARD: GJUHA SHQIPE - GJUHA E DYTË ZYRTARE NË MAQEDONI


Për policinë është vendosur në atë mënyrë që t’i jepet epërsi rekrutimit të policëve me origjinë shqiptare kurse shefi i policisë lokale mbetet nën autoritetin e Ministrisë së Brendshme, por me një raport mirëbesimi me këshillat komunalë - tha Francois Leotar, përfaqësues i Bashkimit Evropian në negociatat për arrittjen e Marrëveshjes - Kornizë në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Leotard, si ndjeheni tani, pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes?

LEOTARD
Ishte një ditë shumë pozitive përderisa arritëm t’i bëjmë liderët e palëve të nënshkruajnë marrëveshjen që e angazhon Maqedoninë drejt një rruge më të hapur, më moderne, më tolerante dhe që do t’i lejojë këtij vendi të përshkojë udhën drejt Bashkimit Europian.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka disa aspekte të marrëveshjes që nuk janë krejt të qarta, ndryshimet kushtetuese për shembull, apo çështjet gjuhësore. A mund t’i saktësoni ju lutem?

LEOTARD
Diskutimet për reformën kushtetuese nisën veçanërisht në dy linja. Ka pasur edhe shumë gjëra të tjera, por më të rëndësishmet mbeten: gjuha dhe policia. Sa i takon së parës, gjuha maqedonase mbetet gjuhë zyrtare e Republikës së Maqedonisë, kurse shqipja njihet si gjuhë zyrtare në rrethana të caktuara dhe në rajone ku, përqindja e atyre që e flasin atë gjuhë është më e lartë. Në këtë aspekt, gjuha shqipe konsiderohet si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni, pas asaj maqedonase. Ky është tregues shumë i rëndësishëm për komunitetin shqiptar. Ngjashëm, për policinë është vendosur në atë mënyrë që t’i jepet epërsi rekrutimit të policëve me origjinë shqiptare kurse shefi i policisë lokale mbetet nën autoritetin e Ministrisë së Brendshme, por me një raport mirëbesimi me këshillat komunalë. Po përmbledh dhe veçoj përgjegjësinë e treguar nga drejtuesit e palëve të cilët kanë demonstruar frymë përgjegjësie duke pranuar koncesione për njëri-tjetrin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Leotar, a jeni optimist se marrëveshja do të respektohet nga palët, se NATO-ja do të procedojë me vendosjen e trupave dhe mbikqyrjen e çarmatosjes vullnetare të gueriljes shqiptare?

LEOTARD
Them se duhet të përpiqemi të vlerësojmë anën e mirë dhe pozitive të çështjes. Që sot, një pjesë e forcës së NATO-s, një forcë shumë modeste kjo, mbërrin në Shkup dhe më pas, sapo të fillojë debati në Parlament, edhe pjesa tjetër do të vendoset në terren. Kujtoj se është një mbledhje armësh, një grumbullim pasiv armësh me marrëveshje, dhe kujtoj se kjo do të jetë e kufizuar në afatin kohor prej një muaji. Është shumë e rëndësishme të theksoj se secili duhet të dëshmojë vullnetin për të ndjekur dhe pasuar këtë rrugë që sapo u çel, pasi ky është shtegu i vetëm për paqen civile.

RADIO EVROPA E LIRË
Analistë të ndryshëm kanë konstatuar se zgjidhja e krizës në Maqedoni ishte suksesi i parë i përbashkët diplomatik i Europës dhe Amerikës. A jeni dakort me këtë?

LEOTARD
Po, është shumë e rëndësishme që Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara po manifestojnë vullnetin për t’a zgjidhur këtë krizë. Shfrytëzoj rastin të theksoj marrëdhëniet shumë miqësore që arritëm unë dhe i dërguari amerikan, James Pardew, për të bërë të mundur që pozicionet tona, të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian të jenë të përbashkëta. E po ashtu edhe që qasja jonë të jetë e njëjtë lidhur me angazhimet e Shteteve të Bashkuara në trajnimim e policisë dhe mbështetjen tonë ekonomike. Gjithçka shkoi shumë mirë dhe unë përshëndes këtë koordinim shumë të fortë ndërmjet nesh.


RADIO EVROPA E LIRË
Doni të thoni se keni rënë dakort në të gjitha linjat me zotin Pardew?

LEOTARD
Po, po, kemi pasur një bashkëpunim të përsosur. Si t’ju them, nuk ka pasur hije mosmarrëveshjesh mes nesh kurse konceptet tona për evolucionin e shoqërisë maqedonase kanë qenë shumë të përafërta.


RADIO EVROPA E LIRË
Bashkimi Europian ka paralajmëruar një konferencë donatorësh. Kur dhe çfarë mund të pritet nga ky takim?

LEOTARD
Dua të kujtoj se në këto vite, Bashkimi Europian i ka dhuruar Maqedonisë 475 milionë euro, që është një shumë e konsiderueshme. Konferenca e donatorëve do të ketë për mision të fiksojë një mbështetje ekonomike dhe financiare që do t’i lejojë Maqedonisë të përparojë në rrugën e zhvillimit. Këto janë dy gjëra të ndara që Bashkimi Europian mund të bëjë. Zoti Chris Pattern ka lajmëruar së fundi një shumë të re prej 50 milionë eurosh. Konferenca e donatorëve do të merret me administrimin e kësaj çështjeje, mendoj jo më larg se në muajin shtator.
XS
SM
MD
LG