Ndërlidhjet

Kryeprokurorja Del Ponte: jemi të gatshëm për seancën gjyqësore kundër të akuzuarit Millosheviq


Në paraqitjen e tij të dytë para Tribunalit të Kombeve të Bashkuara për krime të luftës në Hagë, i akuzuari, Sllobodan Millosheviq kundërshtoi akuzat dhe tha se po i dhunoheshin të drejtat. Kryeprokurorja e Tribunalit, Carla Del Ponte, tha se është e gatshme për seancën gjyqësore kundër Millosheviqit në lidhje me akuzat për krime lufte në Kosovë. Ajo paralajmëroi mundësinë që aktakuza të zgjërohet edhe me gjenocid për rrolin e Sllobodan Millosheviqit në konfliktet në Bosnjë dhe në Kroaci.

Ish presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviq, i akuzuar për krime kundër njerëzimit, për mizoritë në Kosovë në vitin 1999, përsëri e cilësoi ilegal Tribunalin e Hagës.

Ishte kjo paraqitja e dytë e të akuzuarit Millosheviq, për të cilin agjencia Reuters vëren se, paraqet personalitetin e parë të lartë evropian, që ballafaqohet me gjyqin ndërkombëtar të krimeve të Luftës, pas liderëve Nazistë, që ishin gjykuar në Nirnberg pas Luftës së Dytë Botërore.

Deri ku kanë arritur përgatitjet e prokurorëve për këtë çështje? Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte thotë:

- Aktiviteti ynë përgatitor, me plotësimin e akuzave për Kosovë dhe për dy akuzat e tjera lidhur me Kroaci dhe Bosnjë - ne kemi një program të veprimeve hetimore, veçanërisht për dy akuza të
reja - mendojmë se do të përfundoj në fillim të Tetorit” – tha Carla Del Ponte.

Gjyqtari Richard May foli për datën e mundshme të mbajtjes së procesit gjyqësor:

- Ne mendojmë, sipas një programi tonë, se data e gjykimit do të jetë brenda periudhës së dy muajve të parë të vitit të ardhshëm.

Agjencitë e lajmeve bëjnë të ditur se Gjykata në Hagë ka vendosur që ta emëroj një avokat, në cilësinë e siç thuhet “mikut të gjyqit” ose “amicus curiae” që do të punoj me këshillin e gjyqit duke ndërmarrë veprime, që do ti ndërmerrte avokati i të akuzuarit Millosheviq.

Gjykata veproi kështu sepse Sllobodan Millosheviqi refuzon ta përcaktoj mbrojtësinë e vet.

I akuzuari Millosheviq tha:

- Unë nuk e njoh këtë Tribunal. Unë e konsideroj atë krejtësisht jolegjitim dhe ilegal, kështu që të gjitha çështjet lidhur me këshill, me përfaqsësues, nuk mund të diskutohen.

Ai pastaj pyeti gjyqin se përse është i izoluar nga familja dhe përse vizitat që i bëhen – mbikëqyren.

Në këtë aspekt, i akuzuari për krime lufte në Kosovë, ish presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviq kërkoi që t’i lejohet kontakti me media:

- Përse mbahem i izoluar nga shtypi, posaqërisht në rrethanat në të cilat çdo ditë diçka shtypet dhe emetohet kundër meje, si gënjeshtra të kulluara. Ju më mbani të izoluar që të mos komunikoj me shtypin, përveq se me telefon, që është e vetmja gjë që më lejohet.

Gjykatësi Richard May u përgjigj në çështjet e ngritura:

- Rregullat e njësisë së burgimit parashohin se nuk ka komunikim me shtypin. Ato janë rregulla dhe duhet të respektohen. Ato nuk janë diskriminuese kundër juve. Ato zbatohet për të gjithë të akuzuarit, që janë të burgosur. Lidhur me pikëpamjet tuaja për mosnjohjen e Tribunalit, këtë e keni bërë të qartë dhe nuk ka nevojë që kjo të përsëritet.

Zëdhënësi i Tribunalit të Hagës, Jim Landale i ka deklaruar agjencisë Reuters se “Millosheviqi kishte takuar së paku 6 avokatë dhe se kishte kaluar afro 45 orë me gruan e tij dhe, më tepër se 20 orë, gjatë vizitave me anëtarët e tjerë të familjes”.

XS
SM
MD
LG