Ndërlidhjet

Anëtarët e Kuvendit nën trysni të shtuar, me qëllim që t’a mbështesin marrëveshjen


Washington Post “Fakt është se e ashtuquajtura UÇK po i dorëzon armët dhe po shpërbëhet si organizatë” – citon Washington Post, sekretarin e përgjithshëm të Naot-s, Robertson. Përpjekjet që marrëveshja të fundoset në Parlament dirigjohen, sipas zyrtarëve perëndimorë, nga një grup i partisë së kryeministrit Ljubco Georgievski.

Faza e parë e operacionit të NATO-s për çarmatosjen e kryengritësve shqiptarë, përfundoi në një bazë të vogël ushtarake, në një qytet të vogël të Maqedonisë – shkruan Washington Post. Mirëpo në kryeqytet - vijon artikulli - kundërshtarët e marrëveshjes së paqes, sinjalizojnë se do të votojnë kundër saj në Parlament gjatë ditëve të ardhshme.

Zyrtarë perëndimorë dhe të moderuarit në Maqedoni, duke dyshuar se kjo edhe mund të ndodhë, po shqyrtojnë mundësinë që të shmangin votimin në Kuvend dhe të kalojnë marrëveshjen në një referendum direkt të popullit. Kjo mund të shtyjë NATO-n të zgjasë operacionin, i cili supozohej të kufizohej në vetëm 30 ditë. Referendumi do të merrte të paktën 60 ditë për tu organizuar, pasi parlamenti ta autorizonte mbajtjen e tij, si dhe kohë për grumbullimin e 150 mijë nënshkrimeve në mesin e popullatës.

“Referendumi është mundësi që po e konsiderojmë” – citon Washington Post një burim pranë presidentit Boris Trajkovski. Zyrtarët perëndimorë kanë diskutuar me Trajkovskin mundësinë e mbajtjes së referendumit dhe thonë se opinioni publik po lëvizë drejt mbështetjes së marrëveshjes së paqes- pohon Washington Post.

Anketimi përmes telefonit i rreth 1055 të rriturve i drejtuar nga Instituti për Demokraci, Solidaritet dhe Shoqëri Civile tregon se një shumicë prej 50.3 % e të anketuarve i përgjigjet pozitivisht marrëveshjes së paqes dhe e mbështetë atë. Kjo përfaqëson një hap domethënës përpara, krahasuar me të dhënat e sondazheve të kryera fill pas nënshkrimit të ujdisë.

Një fushatë mediatike e financuar nga Shtetet e Bashkuara, për të rritur mbështetësit e marrëveshjes në rradhët e popullsisë sllavo-maqedonase, nisi këtë javë. Sipas një studimi të Përëndimorve, rezulton se shumë pak është kuptuar nga të dyja grupet etnike se ç’do të thotë apo çfarë përfaqëson marrëveshja, ndaj një nga qëllimet madhore të fushatës është të rrisë kuptueshmërinë e publikut në këtë drejtim.

Mes sllavo-maqedonasve, vazhdon më tej Washington Post, numri i atyre që mbështesin marrëveshjen arrin në 43.7 %, ndërsa kundërshtarët mendojnë, përgjithësisht, se marrëveshja u jep shumë të drejta shqiptarëve dhe se sulmi frontal ushtarak kundër gueriljes mbetet alternativa më e mirë.

Ndërkaq, 78 % e shqiptarëve është në favor të marrëveshjes - dëshmojnë sondazhet.
Anëtarët e parlamentit gjenden nën trysni të shtuar, me qëllim që t’a mbështesin marrëveshjen. Zyrtarët perëndimorë po vizitojnë deputetë dhe udhëheqës komunalë me qëllim që të shtrojnë shtigjet që do të shpinin tek një pro - marrëveshjes.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s lordi George Robertson, tha se ajo që ka rëndësi, nuk është vetëm numri i armëve të grumbulluara nga guerilja, duke kujtuar paralelisht se fati i vendit është në duart e ligjvënësve.

“Fakt është se e ashtuquajtura UÇK po i dorëzon armët dhe po shpërbëhet si organizatë” – citon Washington Post zotin Robertson.
Përpjekjet që marrëveshja të fundoset në Parlament dirigjohen, sipas zyrtarëve perëndimorë, nga një grup i partisë së kryeministrit Ljubco Georgievski.

Për tu miratuar, ujdia duhet të aprovohet nga 80 deputetë. Danillo Gligorski, antëar i partisë së Georgievskit parashikon që vetëm 50 deri 55 vota të shkojnë në favor të marrëveshjes kur ajo të paraqitet në parlament.

“Ky është një vend i vogël dhe jo i njohur për mosbindje…ndaj në fund të ditës, të gjithë këtu shtrohen” – citohet të ketë thënë Edward Josef nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Ivica Boçevski, drejtor ekzekutiv i Institutit për Demokraci dhe Solidaritet thotë se partitë në Maqedoni, janë të disiplinuara dhe hierarkike, ndaj Georgievski mund të sigurojë mjaft vota për kalimin e marrëveshjes ndërkohë që të lejojë një grup të vogël të mos bjerë dakort, për qëllime simbolike – përmbyll Washington Post.

XS
SM
MD
LG