Ndërlidhjet

Florence Hartmann: Ky nuk është proces i fituesve kundër humbësve


"Ende jemi duke ndjekur nga afër atë që po ndodh në Maqedoni. Kemi thënë qartas dimrin e kaluar se kemi juridiksion mbi Maqedoninë dhe se do të sjellim para Trupit Gjykues të gjithë individët që kanë shkelur ligjet ndërkombëtare njerëzore. Nuk mund t’ju jap hollësi për momentin, pasi jemi në fazën e grumbullimit të të dhënave dhe mirëpresim të gjitha informacionet lidhur me krimet e mundshme të luftës në Maqedoni" - thotë Florence Hartmann, zëdhënëse e Tribunalit të Hagës.

RADIO “EVROPA E LIRË”
Zonja Hartman, sa e ka vështirësuar ecurinë e procesit gjyqësor, refuzimi i Sllobodan Millosheviçit për t’u përfaqësuar nga një avokat mbrojtës?

Florence HARTMANN
Siç e dini të akuzuarit kanë të drejtë të vetë-mbrohen ose të kenë një mbrojtës dhe Millosheviçi ka vendosur të vijë vetë në Gjykatë duke refuzuar të marrë një avokat. Nuk ka ndonjë gjë të gabuar në gjithë këtë, por problemi për prokuroren qëndron në faktin se ajo ka ndjesinë se Millosheviçi nuk po mbron veten por po shfrytëzon Gjykatën si një tribunë politike. Ndaj kërkuam që Gjykata të caktojë një avokat për të, meqë ai e refuzon. Ky do të jetë një mik i Gjykatës, dikush që do të kujdeset për të mbrojtur të drejtat e tij, të mbajë fjalën e mbrojtjes gjatë gjykimit.

RADIO “EVROPA E LIRË”
Meqë sistemi jurdik i Gjykatës së Hagës nuk e ngrin hetimin gjyqësor, elementë të rinj mund t’i shtohen dosjes Kosova tashmë me akuzat për genocid kundër Millosheviçit. Si është bërë e mundur kjo?

Florence HARTMANN
Kam frikë se ka një keqkuptim. Sot prokurorja nuk mund t’i përgjigjej pyetjes së panelit lidhur me kohën e fillimit të gjykimit pasi ajo e quan të papranueshme që Millosheviçi të sillet në gjykatë për vetëm një pjesë të vogël të përgjegjësive të tij. Ju e dini se paditë kundër Milloshevicit lidhur me Kosovën, janë të kufizuara dhe nuk përmbajnë faktet e reja të zbuluara javëve të fundit në Serbi, si varrezat masive me viktima, shqiptarë të Kosovës. Ndaj edhe paditë lidhur me Kosovën, do të zgjerohen. Është gjithashtu e papranueshme për prokuroren që të ketë një gjykim të Millosheviçit vetëm për Kosovën, pasi ai mban përgjegjësi edhe për krimet në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Prokurorja informoi gjykatën se është e gatshme të provojë para trupit gjykues kërkesën për zgjerimin e akt-akuzës më 1 Tetor me padi të reja për Kroacinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Në rastin e Bosnje-Hercegovinës do të përfshihet edhe akuza për genocid.

RADIO “EVROPA E LIRË”
Kush është objektivi i prokurës për rastin Millosheviç: një gjykim apo disa?

Florence HARTMANN
Prokurorja dëshiron të ketë vetëm një gjykim dhe në konferencën e ardhshme për statusin, që do të zhvillohet më 29 tetor, ajo do të jetë në gjendje të kërkojë nga trupi gjykues të shtojë 3 akt-padi të reja dhe vetëm një gjykim. Mirëpo vendimi varet nga gjykatësit. Nëse do të kemi një Gjykim, e vështirë të thuhet nëse do të fillojë në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm. Por pak a shumë, në mesin e vitit të ardhshëm, do të shohim fillimin e një procesi të madh, historik kundër Millosheviçit.

RADIO “EVROPA E LIRË”
Biljana Pllavshiç po ndjek zhvillimin e procesit jashtë hekurave. Mund të ndodhë kjo edhe me Millosheviçin?

Florence HARTMANN
Nuk ka shans të ndodhë, pasi kandidatët për lirim të përkohshëm, janë vetëm ata të cilët janë dorëzuar vullnetarisht. Nuk mund të prisni nga dikush, i cili refuzon të njohë Gjykatën, të kthehet sërish në rinisje të procesit. Pra kjo nuk ka shans të ndodhë në rastin e Millosheviçit dhe kryeprokurorja do të kundërshtojë çdo kërkesë të këtij lloji. Lirimi i përkohshëm i Biljana Pllavshiçit, theksoj këtu se ajo varet nga Gjykata, e detyron Pllavshiçin të kthehet në cdo moment që e kërkon Tribunali. Ajo nuk është e lirë por vetëm përkohësisht e liruar.

RADIO “EVROPA E LIRË”
Ka pasur spekullime nga mediat dhe krahasime midis Hagës dhe Nurembergut. Sa afër dhe sa larg është ky proces nga tradita e Nurembergut?

Florence HARTMANN
Ka shumë ndryshime. Haga është një gjykatë ndërkombëtare, ku sillen të gjithë të pandehurit, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, nëse ata janë përgjegjës për shkeljen e ligjeve ndërkombëtare humanitare. Ky nuk është proces i fituesve kundër humbësve.

RADIO “EVROPA E LIRË”
Ka zëra se ish-udhëheqës të UÇK-së në Kosovë mund të paditen nga Tribunali i Hagës. Sa është e vërtetë kjo?

Florence HARTMANN
Përgjithësisht, çdo individ që është përgjegjës për shkeljen e ligjeve ndërkombëtare njerëzore, do duhej të paditej nga Tribunali. Dhe nëse disa anëtarë të UÇK-së kanë kryer të tilla shkelje të ligjeve, ata duhet të sillen para drejtësisë dhe të përgjigjen për aktet e kryera në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Ne kemi ndërrmarrë hetime ndaj anëtarëve të UÇK-së për krime kundër serbëve në Kosovë dhe po shohim për të dhëna, për fakte. Nuk mund t’ju tregoj më shumë.

RADIO “EVROPA E LIRË”
Keni bërë të ditur se po ndiqni me interesim zhvillimet e fundit në Maqedoni. Çfarë ju rezulton deri në këtë moment?

Florence HARTMANN
Ende jemi duke ndjekur nga afër atë që po ndodh në Maqedoni. Kemi thënë qartas dimrin e kaluar se kemi juridiksion mbi Maqedoninë dhe se do të sjellim para Trupit Gjykues të gjithë individët që kanë shkelur ligjet ndërkombëtare njerëzore. Nuk mund t’ju jap hollësi për momentin, pasi jemi në fazën e grumbullimit të të dhënave dhe mirëpresim të gjitha informacionet lidhur me krimet e mundshme të luftës në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG