Ndërlidhjet

logo-print

NJU JORK / UASHINGTON


Hamendësohet të jetë disa mijëra numri i të vrarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyra Federale e Hetimit, FBI, njofton se janë ende të panjohur autorët e sulmeve të sotme ndaj Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që mijëra njerëz të djegur kanë vërshuar në spitalet e qytetit të Nju Jorkut, pasi dy aeroplanë u përplasën në dy rrokaqiejt e Qendrës Botërore të Tregtisë duke i shembur plotësisht ato. Shefi i policisë së Nju Jorkut, Howard Safir, tha se pret një numër tejet të madh viktimash, duke llogaritur se në një ditë të zakonshme pune, në kompleksin e godinave punonin më shumë se 40 mijë njerëz. Pak minuta pas atyre shpërthimeve një aeroplan i tretë u përplas në ndërtesën e Departamentit amerikan të Shtetit, ndërsa dëshmitarët rrëfejnë se si pjesë të Pentagonit u rrënuan pas eksplodimit. Pothuaj të gjitha institucionet shtetërore amerikane dhe ato tregtare janë evakuuar, ndërsa një aeroplan i katërt shpërtheu në Pensilvania. Ndërkaq, cak i sulmeve të sotme terroriste ka qenë edhe Departamenti i Shtetit, në afërsi të të cilit plasi një makinë-bombë. Presidenti amerikan George Bush, e ka quajtur ngjarjen një tregjedi kombëtare. Më tej ai tha se shpërthimet e sotme janë sulme të qarta terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara dhe ka premtuar hetim të plotë mbi rastin. Senatori amerikan Chuck Hagel, i ka cilësuar sulmet “një Pearl Harbor” i dytë, duke ngritur paralele me betejën e 60 vjetëve të shkuara, pas së cilës Shtetet e Bashkuara hynë në luftë me Japoninë. Televizioni CNN njofton se kufijtë e Shteteve të Bashkuara me Meksikën dhe Kanadanë janë mbyllur, kurse Administrata e Aviacionit Amerikan ka ndaluar të gjitha fluturimet në Shtetet e Bashkuara. Aeroplanët që tashmë janë në udhëtim kanë devijuar rrugëtimin drejt Kanadasë. Garda Kombëtare dhe ushtria amerikane janë në gjendje alarmi, ndërsa komentatorë i kanë cilësuar rrjedhat e sotme situatë lufte. Ngushëllimet i kanë arritur qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan nga liderët botërorë të cilët duket të jenë pajtuar totalisht në një pikë..se “sulmet e sotme janë një tragjedi e llahtarshme dhe e paprecedentë”.
Sekretari shtetëror amerikan, Colin Powell i cili ndërpreu qëndrimin në Peru, pas sulmeve të fundit terroriste, shprehu besimin se ato nuk do të ndikojnë në natyrën e shoqërisë amerikane.
XS
SM
MD
LG