Ndërlidhjet

FINALJA E BE-së DHE NATO-s NË MAQEDONI


"Christian Science Monitor"

Diplomatë përëndimorë kishin kërkuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, me seli në Vienë, që të dyfishojnë numrin e ekipit të tashëm vëzhgues, 26 anëtarësh, në Maqedoni. Mirëpo, OSBE-ja nuk dëshiron ta bëj këtë pa një forcë për mbrojtjen e personelit civilë. Gjërat i ndërlikon edhe më tepër e dhëna se Qeveria nuk përkrahë vazhdimin e pranisë së jashtme në Maqedoni.
Në këtë aspekt, Agjencia e Shteteve të Bashkuara – CIA, ka tërhequr vërejtjen se plani i paqes mund të dështoj totalisht pas tërheqjes së Natos.
Tash, një e shtata e territorit të Maqedonisë kontrollohet nga kryengritësit e UÇK-së. Komandantët e saj kanë thënë se forcat e sigurimit të Maqedonisë nuk do të lejohen të kthehen në këtëo hapësira derisa të bëhet reformimi i policisë. Ky proces mund të zgjasë me muaj ose edhe vite. Ministri i brendshëm, Boshkovski ka thënë se, sidoqoftë, ai planifikon që me forcat e veta të futet brenda këtyre territoreve.
Komandant “Mësuesi” nga guerilja shqiptare mbikëqyr dorëzimin e armëve, i mbrojtur nga luftëtarët e tij të armatosur.
“Nuk besoj se NATO-ja do të tërhiqet. Nëse kjo ndodhë, lufta do të rifilloj. Ne do të ri-armatosemi brenda disa ditësh” – thotë komandant “Mësuesi”, shkruan gazeta “Christian Science Monitor”.
Lidhur me procesin e dorëzimit të armëve, Milan Stavrev, kryesues i delegacionit të Kuvendit të Maqedonisë në NATO, ka thënë se “kemi informacione se ata kanë armë të sofistikuara, bashkëkohëse amerikane, por ata nuk e dorëzojnë këtë lloj të armatimit”.
Ministri Boshkovski, njëri nga politikanët e linjës së fortë, aktualisht shumë i popullarizuar ndër maqedonas, ka përsëritur shumë herë se “do të dërgoj forca me armatim të rëndë për të pastruar terroristët në hapësirat afër Tetovës e Kumanovës”. Ky opcion duket se gëzon përkrahje të gjërë në opinion dhe në Qeveri.
Por, kryengritësit shqiptarë duket se nuk frikësohen nga kërcënimet e tilla. Komandant “Mësuesi” thotë se “tashmë e dimë se maqedonasve nuk duhet tu besohet. Por, forcat maqedonase kurrë nuk mund të korrin fitore kundër nesh”.
Armët në këtë pjesë të Ballkanit kanë çmim të ulët dhe lehtë gjenden. Edhe nëse UÇK-ja dhe forcat e sigurimit maqedonas respektojnë armëpushimin, grupe të ndara nga të dy palët mbase nuk do të veprojnë kështu. Një grup, Armata Kombëtare Shqiptare, është bërë i njohur pas kumtesës se “nuk do ta ndalim luftën dhe nuk do të njohin kurrfarë marrëveshje politike”.
Paramilitarët etnikë maqedonas u bën realitet pasi Ministria e Brendshme armatosi 8 mijë rezervistë civilë gjatë muajit Maj të këtij viti. Tash civilë të armatosur mund të shihen duke shoqëruar policinë maqedonase.
“Kërcënimi për vazhdimin e luftës është shumë real” – deklaroi një zyrtar amerikan në Shkup dhe shtoi:“Ne nuk duhet të harrojmë se NATO-s i duhet Maqedonia më tepër se Maqedonisë – NATO-ja. Ky është një lokalitet shumë strategjik”.

XS
SM
MD
LG