Ndërlidhjet

"CAKTIMI I HARTAVE TË REJA NUK ËSHTË INTERES I UÇK-së DHE SHQIPTARËVE"


Ali Ahmeti, udhëheqës politik i UÇK-së


REL
Zoti Ahmeti si i vlerësoni kërkesat e disa faktorëve ndërkombëtarë për vazhdimin e pranisë së forcave ndërkombëtare në Maqedoni edhe pas skadimit të afatit 30 ditësh?

A. AHMETI
Ne vazhdimisht kemi paraqitur shqetësimin tonë, lidhur me haspësirën midis 30-ditëshit, deri te implementimi i plotë i Marrëveshjes. Kjo hapësirë duhet të mbulohet. Dhe logjikisht nga ne është propozuar që përderisa NATO-ja ka marrë pjesë në këtë proces, që edhe më tutje NATO-ja të qëndrojë në Maqedoni, sigurisht që duke u mbështetur edhe në bazën e Marrëveshjes, që trupa të shtuara të ketë OSBE-ja dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, për mbikëqyrjen e situatës. Mirëpo këto mekanizma, si OSBE-ja dhe mekanizmat tjerë, duhet t’i mbështesë ndonjë forcë, ajo forcë përpos NATO-s nuk mund të jetë forcë tjetër.

REL
Po atëherë si i komentoni kundërshtimet e palës maqedonase për vazhdimin e forcave të NATO-s në vend?

A. AHMETI
Unë mendoj se nuk është e aryseshme që presidenti Trajkovski i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, konkretisht Këshillit të Sigurimit, që të shqyrtohet prezenca e UNPREDEP-it në Maqedoni. Arsyeja qëndron aty se në këtë proces ka marrë pjesë NATO-ja, ka marrë pjesë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sigurisht që këto mekanizma duhet të marin pjesë dhe kanë përgjegjësinë për implementimin e Marrëveshjes së nënshkruar. Fundi-fundit, zoti Trajkovski ka qenë ai që e ka ftaur NATO-n, prezencën e NATO-s në Maqedoni. Por, të lihet përshtypja te shqiptarët se NATO-ja erdhi këtu vetëm për t’i mbledhur armët nga Uashtria Çlirimtare Kombëtare dhe të largohet nga ky vend - atëherë sigurinë kush do t’ua sigurojë këtyre ushtarëve të cilët i kanë dorëzuar armët? Thjesht kur e ka dorëzuar armën, ushtari ka dorëzuar edhe jetën e tij. Kështu që për sigurinë e ushtarëve dhe në tërësi të popullit shqiptar në Maqedoni, ne mendojmë se egzistenca e NATO-s, qëndrimi i NATO-s edhe më tutje në Maqedoni është më shumë se i arsyeshëm.

REL
Sipas jush me çka mund të rezultojë vakumi i sigurisë, që mund të krijohet pas 30 ditëve, nëse pala maqedonase edhe më tutje kundërshton prezencën e forcave të NATO-s?

A. AHMETI
Ne mendojmë se nuk do të lihet një vakum i tillë. Shqetësimet tona ia kemi paraqitur edhe komunitetit ndërkombëtar dhe sigurisht se do të merren masa në këtë drejtim. Mendoj se rritja e mirëbesimit midis komuniteteve do ta ndihmonte shumë vendosjen e paqes në Maqedoni. Në këtë drejtim , mendoj se duhet të angazhohen shumë mekanizma brenda shtetit. Në radhë të parë duke u nisur nga mediat, si nga ato maqedonase ashtu edhe nga ato shqiptare, që të mos përhapin të pavarëteta, të mos mbjellin urrjejtje mes komuniteteve, ta paraqesin gjendjen më realisht, ashtu siç është. Mendoj se do të ishte një kontribut i madh në drejtim të stabilizimit të gjendjes.

REL
Në qarqe të caktuara theksohet se Ushtria Çlirimtare Kombëtare, qëllim parësor ka shkëputjen e territoreve shqiptare dhe jo realizimin e të drejtave të shqiptarëve bë Maqedoni? Cili është komenti juaj në këtë drejtim?

A. AHMETI
Kjo më tepër bëhet nga qarqe të caktuara politike dhe me prapavi të caktuar. Në interes të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe në interes të shqiptarëve në Maqedoni, nuk është rindarja apo caktimi i hartave të reja për ndarje territoresh. Ne kemi luftuar të jemi të barabartë dhe të përmirësohet statusi i shqiptarëve në Maqedoni.

REL
Në Marrëveshjen-korrnizë mendoni se janë të ngërthyera të gjitha ato kërkesa të shqiptarëve për të cilat angazhohej Ushtria Çlirimtare Kombëtare?

A. AHMETI
Sigurisht që po edhe pse është lënë hapësirë, që nuk do të thotë se përmes rrugës parlamentare, në të ardhmen, nuk do të realizohen edhe ato kërkesa të shqiptarëve, si të thuash, të paplotësuara qind për qind. Në këtë rast mund të përmendet gjuha shqipe. Edhe pse aplikimi i gjuhës shqipe nuk është i barabartë me gjuhën maqedonase, ose në përdorim të jashtëm diplomatik, kjo nuk do të thotë se do të jetë e parealizueshme në të ardhmen. Gjuha shqipe do ta ketë vendin e merituar në kuadër të shtetit. E rëndësishme për ne ka qenë që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në Maqedoni dhe kjo është arritur me Marrëveshjen-korrnizë.

REL
Si udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si e shihni epilogun e përfundimit të krizës disa mujore në Maqedoni?

A. AHMETI
Sigurisht në bashkëpunim edhe me komunitetin maqedonas të dy palët do të japin kontributin. Kuptohet nuk janë momente që nuk duhen sakrifica. Duhet të afrohemi sa më shumë, kështu që të mendojmë bashkërisht për të ardhmen tonë. Nuk mund të kemi të ardhme të lumtur të ndarë, por e ardhmja jonë e siugurt, mund të jetë bashkëpunimi reciprok.
XS
SM
MD
LG