Ndërlidhjet

SHBA-të FOKUSOHEN NË ZBULIMIN ERRJETIT TË TERRORIZMIT


Jeremy Bransten

Dy ditë pasi u godit nga një sulm terrorist, që u cilësua si sulmi terrorist me pasojat më tragjike në histori, Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të hulumtojnë për të mbijetuarit, derisa vendi po mbanë zi.
Por, agjencitë qeveritare, ushtarake dhe hetuese janë të përqendruara në zbulimin e misterisë se kush e ka kryer këtë operacion, në mënyrë që presidentit Bush t’i bëhet e mundur ndërmarrja e aksioneve gjegjëse, që i ka premtuar.
Zyrtarë të agjencisë FBI kanë thënë se, besojnë, se në rrëmbimin e katër aeroplanëve të udhëtarëve, që janë përdorë në sulme, kanë qenë të involvuar ndërmjet 12 e 24 personave. FBI ka thënë, poashtu, se 50 persona të tjerë mbase kanë ndihmuar në zbatimin e planit. Tash, hetimet janë të përqendruara në Floridë, në Boston, në Nju Jork dhe në Uashington Di-Si.

Drejtori i agjencisë FBI, Robert Mueller në konferencën e djeshme për media tha:




“Ne poashtu kemi identifikuar, nëpërmjet disa hetimeve, para se gjithash, në qytetet prej nga u nisën fluturimet e aeroplanëve, një numër individësh, për të cilët ne besojmë se ndoshta kanë të bëjnë me rrëmbimin e aeroplanëve. Ne po vazhdojmë me këto hetime në mënyrë intensive”.
Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Mindy Tucker ka thënë dje se shkollat e pilotëve, në më tepër se në një shtet federal, janë të involvuara në trainimin e rrëmbyesve të aeroplanëve. Disa rrëmbyes kishin edhe licenca pilotësh.
Burime të hetuesisë kanë thënë se agjentët e Shteteve të Bashkuara i kanë rënë në gjurmë një personi me emrin Ali Muhammed al-Darmaki, për të cilin raportohet se ka ndjekur një universitet të aeronautikës në Daytona Beach, por, për shkak të notave të dobëta, nuk ka arritur ta përfundoj atë. Dy të dyshuar të tjerë, që ndoqën kurse trainimi për pilotë në Floridë, janë identifikuar si Mohammed Atta dhe Marwan al Shehhi. Të gjithë këta ishin në fluturimet vetëvrasëse të së martës.
Hetimet në mënyrë të shpejtë kanë kaluar edhe në vendet e tjera. Në Gjermani, gjatë natës dhe sot, policia në Hamburg ka bastisur tetë apartamente, në të cilat sypozohet se së paku dy të dyshuar kishin banuar përkohsisht, para ardhjes së tyre në Floridë. Shefi i policisë në Hamburg, Gerhard Mueller ka thënë se një bashkëpunëtor i mundshëm i terroristëve është ndaluar. Ai nuk ka dhënë detaje të tjera.
Hetuesit amerikanë poashtu kanë kërkuar informacione nga Franca lidhur me një person 31 vjeçar, francezo-algjerian, i cili ishte arrestuar muajin e kaluar. Ky person ishte trainuar për pilot dhe sipas shërbimit francez të zbulimit, ai kishte lidhshmëri me terroristin me origjinë saudite, Osama bin Laden.
Në kuadër të procesit të kontakteve me liderë botëror, presidenti George Bush ka biseduar me telefon me kryetarin e kinës, Jiang Zemin dhe dy herë me presidentin rus, Vladimir Putin. Ambasadori i Arabisë Saudite, princi Bandar bin Sultan, ka thënë se ishte në kontakit të vazhdueshëm me sekretarin amerikan të shtetit, Powell dhe me këshilltaren për siguri kombëtare, Condoleeza Rice.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Pakistani që të bashkëpunoj, në rast se gjurmët e hetuesve çojnë kah Afganistani, ku nga Talibanët, strehohet Osama bin Laden.
Lideri i Pakistanit, Pervez Musharraf, sot në Islamabad deklaroi:
“Pakistani kishte zgjëruar bashkëpunimin me përpjekjet ndërkombëtare për ta luftuar terrorizmin në të kaluarën dhe do ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Dëshiroj ta siguroj presidentin Bush dhe Qeverinë e Shteteve të Bashkuara edhe njëherë për një bashkëpunim të pakursyeshëm në luftën kundër terrorizmit”.
Në Filipine, sekretari i jashtëm, Teofisto Guingona ka thënë sot se Shtetet e Bashkuara po bëjnë plane për të shfrytëzuar këtë shtet si pikë transitore, për evakuimin eventual të shtetasve amerikanë nga Azia dhe nga Lindja e Mesme.
XS
SM
MD
LG