Ndërlidhjet

"SHQYRTOHEN MODALITETET E MISIONIT TË RI TË NATO-s NË MAQEDONI"


Ron Synovitz



NATO sot ka marrë kërkesë zyrtare nga presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkovski, për një mision të ri pas përfundimit të operacionit “Korrja e domosdoshme”.
Mark Lejti, zëdhënës i NATO-s në Shkup ka deklaruar:
“Maqedonia i ka dërguar letër NATO-s me të cilën ata dëshirojnë dhe janë të gatshëm të mbështesin një prani të leht të NATO-s në vend, pas operacionit ‘Korrja e domosdoshme’, si kontribut në drejtim të mbrojtjes së sigurisë së vëzhguesve. Ata kanë pyetur nëse NATO do të akseptonte një mision të tillë. Këshilli Veriatlantik është duke shqyrtuar këtë çështje”, ka thënë zëdhënësi Mark Lejti.
Ai ka konfirmuar se guerilët shqiptarë janë pajtuar që nesër të fillojnë fazën e tretë dhe përfundimtare të dorëzimit armëve të tyre. Këto zhvillime kanë pasuar pavarrësisht nga fakti që Parlamenti i Maqedonisë ende nuk ka përmbushur premtimet e kësaj faze të procesit paqësor. Në këtë kontekst Mark Lejti thotë:
“Me përfundimin e operacionit ‘Korrja e domosdoshme’ që kishte mandat 30 – ditësh, ne kemi biseduar me ata, nëse janë të gatshëm të fillojnë dorëzimin e armëve në fazën përfundimtare. Ata, pra guerilët shqiptarë, kanë sinjalizuar se do të fillojnë prej nesër të dorëzojnë armët. Rrjedhimisht, ne jemi të kënaqur me këtë zhvillim. Dorëzimi vullnetar i armëve është një hap i rëndësishëm në gjithë procesin e dhënjes fund të krizës në Maqedoni. Fakti që ata tash janë të gatshëm të lëvizin në drejtim të fazës së tretë dhe përfundimtare është shumë inkurajues për ne”.
Ambasadorët e NATO-s gjithsesi janë të gatshëm të miratojn kërkesën e Trajkovskit për një mision që do të pasonte operacionin e deritashëm. Ajo që mbetet të vendoset është numri dhe obligimet e reja të forcës së NATO-s, gjatësia kohore e mandatit të ri dhe saktësimi i forcave që do të kenë vendet anëtare të NATO-s.
Iv Broder, një zëdhënës tjetër i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, thotë se hollësitë do të zgjidhen në takimet ndërmjet zyrtarëve të Aleancës dhe autoriteteve të Shkupit dhe veqanërisht në bisedimet e OSBE-së dhe BE-së, që do të mbikëqyrin misionin vëzhgues.
Iv Broder ka thënë se planifikuesit e Aleances kanë filluar të shqyrtojnë opcionet e mundshme për trupat e NATO-s.
“Pak para se Këshilli Veriatlantik të fillonte takimin këtë mëngjes, ne morrëm letrën nga presidenti i Maqedonisë Boris Trajkovski”, thotë Iv Broder dhe në vazhdim flet për konsultimet që do të pasojnë:
“Konsultime me Shkupin do të ketë. Dhe jo vetëm me Shkupin, por edhe me Organizatën për Siguri e Bashkëpunim Evropian dhe me Unionin Evropian, sepse siç thashë, kjo prani e NATO-s do të jetë mision vëzhgues”.
I pyetur të deklarohet për numrin e trupave të NATO-s në misionin e ri dhe për modalitetet e tij, Iv Broder thotë:
“Kjo është një çështje për ekspertët ushtarak dhe unë i tillë nuk jam. Rrjedhimisht, hezitoj të jap çfardo numri, sepse në këtë çast kjo nuk do të kishte kuptim”.
XS
SM
MD
LG